E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga Skenderbeu fitoi 2-0 ne Lac

Kampionët nuk ka kush i ndal. Brenda apo jashtë fushe, mes polemikave apo pa to, Skënderbeu po vazhdon të tregojë se është skuadra më e mirë e Superligës.
Këtë e provoi edhe Laçi në fushën e vet, në Kurbin, duke u mundur 0-2 nga kryesuesit dhe trofembajtësit në një përballje që u sundua më së shumti nga skuadra mike.
Korçarët krijuan momente për gol që në minutat e para dhe ishte fajtor sulmuesi Sebino Plaku që avantazhi nuk erdhi që para pushimit. Në mungesë të Pero Pejiçit, ai pati dy mundësi, por pa mundur ta dërgojë topin në rrjetë.
Me të nisur pjesa e dytë, u duk se Laçi do të reagonte dhe u desh një ndërhyrje e Orges Shehit për të shpëtuar portën nga goli pas gjuajtjes së kroatit Buljan.
Veçse, kjo ishte vetëm një lule që nuk sillte dot pranverën dhe u duk qartë kur Skënderbeu kaloi në avantazh vetëm pak minuta më vonë. Autor i golit ishte pikërisht Plaku.
Korçarët nuk lanë shumë kohë për diskutime duke mbyllur ndeshjen 180 sekonda më vonë. Këtë herë në rrjetë topin e dërgoi mbrojtësi i qendrës, Ditmar Bici, një lojtar që shpesh ka ditur të shënojë.
Me këtë fitore, Skënderbeu arrin në kuotën e 42 pikëve pas 17 javëve kampionat, plot 12 pikë para Teutës së vendit të dytë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›