E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga, Tirana fiton dhe kryeson e vetme kampionatin



Vllaznia barazon në Shkodër ndaj Bylisit

Dinamo mund ekipin e Apolonisë, 3-1

Pas një jave të mbushur me polemika të zhurmshme mbi përcaktimin e vendit të parë në tabelë, ashtu edhe në lidhje me dhunën që mbylli fazën II, dje fjala i kaloi fushave të futbollit. Faza e tretë dhe e fundit pritet të dhurojë futboll të bukur dhe plot emocione, për vetë faktin se thuajse të gjitha skuadrat janë përfshirë nga ethet e objektivave. Disa synojnë titullin, disa të tjera një vend sa më të lartë për të luajtur në Kupat e Evropës, ndërsa gjysma e skuadrave shpreson shmangien e rënies nga kategoria, ose rrezikun e ndeshjeve “play-off”. Pas ndeshjeve të javës së 23-të ka qenë pikërisht ekipi i Tiranës që me fitoren e arritur ndaj ekipit të Lushnjës ka shkëputur me dy pikë diferencë ekipin e Vllaznisë. Fitorja e bardhebluve, 2-1 ndaj Lushnjës, u ka siguruar atyre kreun e Superligës pas javës së 23-të. Kjo fitore për skuadrën e drejtuar nga tekniku Agustin Kola ka ardhur pas dy barazimeve në takimet e fundit në kampionat. Bardheblutë kanë arritur të shënojnë që në minutën e 24-t me anë të sulmuesit Migen Memelli. Me rezultatin 1-0 është mbyllur edhe pjesa e parë e takimit. Në 45 minutat e dyta, Tirana është përpjekur të sigurojë rezultatin dhe ka shënuar në minutën e 64-t me anë të kapitenit Devi Muka. Skuadra lushnjare ka shkurtuar diferencën e golave në 2-1 pas penalltisë të shënuar nga mesfushori Çela. Pas kësaj fitoreje, Tirana kryeson e vetme Superligën në kuotën e 44 pikëve, duke përfituar edhe nga barazimi 0-0 i Vllaznisë ndaj Bylisit. Lushnja pas humbjes së sotme gjendet në vendin e fundit në kuotën e 19 pikëve, duke rrezikuar rënien nga kategoria. Ekipi i Vllaznisë i ka bërë një “favor” të madh Tiranës, pasi nuk ka mundur që të shkojë më tej se një barazim me ekipin e Bylisit. Kuqeblutë pas barazimit 0-0 të arritur në Shkodër ndaj Bylisit gjendet në kuotën e 42 pikëve. Ndërsa ekipi i Bylisit ka marrë një pikë me mjaft vlera në Shkodër. Pas këtij takimi, ballshiotët renditen në vendin e 11-të të klasifikimit në kuotën e 21 pikëve. Por nga barazimi pa gola i Vllaznisë ka ditur që të përfitojë mjaft mirë ekipi i Dinamos.

Blutë pas fitores së 4-t radhazi në kampionat iu janë afruar shkodranëve duke u ngjitur në kuotën e 41 pikëve. Dinamo fitoi dje, 3-1, ndaj Apolonisë në stadiumin “Selman Stermasi”, në takimin e vlefshëm për javën e 23-të të Superligës. Kampionët e Shqipërisë të drejtuar nga trajneri Shkëlqim Muça kanë vazhduar serinë pozitive të fitoreve në kampionat. Ndaj Apolonisë kanë mjaftuar golat e sulmuesve Sefa dhe Bakaj për t’i dhënë tre pikët Dinamos, duke e ngjitur në kuotën e 41 pikëve. Sulmuesi shtatlartë Sefa ka shënuar golin e parë për Dinamon në minutën e 41-të. Ky gol ka sjellë siguri në radhët e kampionëve, të cilët kanë shënuar edhe golin e dytë në minutën e 77-të me anë të sulmuesit Elis Bakaj. Dy golat e tjerë nga një për çdo skuadër nuk kanë ndryshuar rrjedhën e takimit. Pas ardhjes së trajnerit Shkëlqim Muça, Dinamo ka arritur 4 fitore radhazi në kampionat duke iu afruar kreut dhe duke qenë një pretendente serioze për titullin kampion. Apolonia pas kësaj humbjeje renditet në vendin e 10-të në kuotën e 24 pikëve. Fitore me mjaft vlera ka arritur dhe ekipi i Teutës. Durrsakët një javë më parë mundën ekipin e Vllaznisë (4-0), ndërsa duket se “radhën” e ka pasur ekipi i Partizanit. Djemtë e Duros pasi kaluan në avantazh, 2-1, nuk ditën të ruanin rezultatin dhe u mundën në minutat e fundit, 3-2. Ekipi i Sulejman Starovës e ka gjetur fitoren pikërisht në minutën e 92’ të takimit me anë të Hysës. Pas këtij trepikëshi, ekipi durrsak renditet në vendin e gjashtë të klasifikimit në kuotën e 32 pikëve. Ndërsa ekipi i Partizanit edhe pse duket se i është larguar fundit të tabelës është vetëm 4 pikë larg zonës “play out”. Ndërsa dy takimet e mbetura: Shkumbini–Flamurtari dhe Besa-Elbasani janë mbyllur me rezultatin e barabartë, 1-1.

Ndeshjet e javës së 23-të të Superligës:

Tirana - Lushnja 2-1

Memelli 24’, Muka 64’/Çela 83’

Vllaznia - Bylis 0-0

Dinamo - Apolonia 3-1

Sefa 41’, Bakaj 77’

Shkumbini - Flamurtari 1-1

Mustafaj 12’/ Veliu 82’

Besa - Elbasani 1-1

Leci 65’/Pema 25’

Teuta - Partizani 2-2

Vila 50’, 82’, Hysa 92’/Ngjela 36’, Karapici 71’

Renditja e Superligës pas javës së 23-të

1 Tirana 44

2 Vllaznia 42

3 Dinamo 41

4 Shkumbini 37

5 Besa 33

6 Teuta 32

7 Elbasani 26

8 Flamurtari 26

9 Partizani 25

10 Apolonia 24

11 Bylis 21

12 Lushnja 19

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›