Edije Kollaku: Dëshira ime për 8 Marsin, të takoj 4 fëmijët që nuk i takoj prej 12 vitesh
Apeli: I lutem Presidentit të më falë. Kam tre fëmijë në moshë delikate për t’u qëndruar pranë
“Nuk e di nëse do më vijnë fëmijët apo jo nesër për 8 Marsin. Shpresoj për ndonjë surprizë nesër, por surpriza më e madhe do të ishte nëse do më ulej ndonjë vit burg nga Presidenti apo do më jepnin ndonjëherë leje të shkoja disa ditë te halla ime këtu në Tiranë, nëse është gjallë”. Këto ishin dëshirat e Edije Kollakut, 61 vjeçe, e dënuar si bashkëpunëtore e burrit të saj të dytë në një vrasje të dyfishtë. Edija rri e veçuar nga gratë e tjera që i janë bashkuar festës së 8 Marsit. E përlotur gjatë gjithë aktivitetit, i afrohemi dhe mësojmë se përse është dënuar, sa vite ka bërë dhe sa i kanë mbetur, nëse pret dikë ditën e sotme në aktivitetin e 8 Marsit, si dhe çfarë do dëshironte si surprizë në këtë festë.
Si quheni dhe për çfarë jeni dënuar?
Më quajnë Edije, jam 61 vjeçe dhe nënë e 7 fëmijëve. Jam dënuar për një vrasje të kryer nga burri im, Vath Kollaku, i cili vrau dy fqinjët tanë me të cilët ndanim oborrin. Ai u dënua me burgim të përjetshëm dhe mua më bëri bashkëpunëtore.
Kë prisni t’u vizitojë këtë 8 Mars?
Shpresa kam për tre fëmijët që kam me burrin e dytë dhe që ndodhen në jetimore. Do doja me shpirt të takoja katër fëmijët e mëdhenj, të cilët mesa di janë në Greqi. Kam 12 vite pa i parë. Ata do ishin surpriza më e madhe për mua.
Nuk keni folur për kaq kohë?
Për fatin tim të keq, jo. Ata më dolën borxhit shumë vite më parë. Më kërkuan të shkoja me ta në Greqi dhe unë nuk shkova për fatin tim të keq. Bëra një gabim në atë kohë dhe tashmë nuk kam asnjë mundësi për t’i takuar. Janë pengu im...
Po nga burri juaj, Vathi, prisni ndonjë surprizë për nesër?
Jo. Nuk kam pritur, nuk pres dhe as dua ta shoh me sy. Prej tij po vuaj sot në burg. Nuk e kam takuar që kur jam dënuar dhe as që kam dëshirë ta takoj, sepse prej tij u dënova me 25 vjet burg, duke më bërë bashkëpunëtore.
Çfarë do doje tjetër në këtë 8 Mars?
Do doja të më jepnin leje për disa ditë si gratë e tjera. Kam vetëm një hallë nga njerëzit e mi, sepse unë jam rritur me njerkë. Nëse ajo është gjallë, do doja të shkoja ta takoja. Nëse nuk do jetë gjallë, të dilja disa ditë të rrija me vajzën që e kam në jetimore. Do doja që Presidenti të më përfshinte në listën e faljeve apo uljes së dënimit. Të isha pranë fëmijëve të mi, të cilët rrinë jetimoreve me prindër gjallë por në burg. Nuk do doja që në këtë moshë që janë të marrin rrugë të keqe.