E Shtunë, 31 Tetor 2026

Superliga do ta mbylle javen VIII te saj me ndeshjen Tirana-Skenderbeu

 Në mungesë të derbit të madh, që ndoshta mund të kthehet pas disa vjetësh, bardheblutë nuk po dinë se ku të kërkojnë “piper” për futbollin. Kështu që, edhe ndeshja e sotme ndaj Skënderbeut në orën 17:00, shihet si një derbi nga ana e Tiranës, një shkak për motivim më të madh se zakonisht.

Java e 8-të e Superligës mbyllet pikërisht me këtë takim në “Qemal Stafa”, ku kryesuesja pret kampionen në fuqi, ndërsa në stol janë dy trajnerë të huaj si Hulian Rubio Sançez i Tiranës dhe Stanislav Levi i Skënderbeut.

Vendasit kanë disa shqetësime pasi mbrojtësi i qendrës Pisha nuk besohet që të luajë, ndërsa Julian Ahmataj duket se është riaftësuar, por mund të mos jetë në formën e tij më të mirë. Nga ana tjetër, Klodian Duro paraqitet si krejt në rregull, ndonëse pati shqetësime në fillim të javës.

Tek Skënderbeu nuk ka shumë probleme, ndonëse i dëmtuari Fagu nuk ishte në gjendje as këtë herë të bashkohej me skuadrën. Presidenti Zeqo ka premtuar një shpërblim të madh në rast fitoreje, por vëmendja më e madhe duket se është përqëndruar tek tifozët.
Kjo, për shkak të ngjarjeve të Superkupës në Korçë ku pati përplasje mes palëve. Duke mos i hyrë analizës lidhur me përqindjet e fajit, mjafton të thuhet se policia është vënë në gatishmëri për të parandaluar konfrontimet, të cilat mund të ndodhin edhe jashtë stadiumit. Besohet se rreth 2 000 korçarë do të jenë sot në kryeqytet, ndërsa tribunat do të jenë të mbushura jo pak.

Tirana ka 16 pikë pas 7 javësh kampionat e Skënderbeu 6 më pak, pra 10 pikë. Asnjëra nga skuadrat nuk mund të kënaqet me pikë pasi rivaliteti nga Teuta e Flamurtari mbetet tepër i madh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›