E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga, faza e tretë nis me "surpriza"

Veçanërisht humbjet e dy skuadrave që kanë ndjekur Dinamon nga pas, të Besës në shtëpi me Skënderbeun, por edhe e Tiranës një ditë më parë në “Sleman Stermasi“ me Kastriotin, lënë mjaft për të dyshuar. Sot Besa ka pritur në Kavajë Skënderbeun, ndërsa në Laç, skuadra vendase ka pritur Flamurtarin.

Verdhezinjtë e vendit të dytë janë mundur 2-1 nga korçarët, të cilët njohin vetëm fitore në vitin 2010 (përjashto ndeshjen në Shkodër me Vllazninë), duke u përpjekur të largohen sa më shumë nga vendi i fundit, të cilin e kishin “marrë me tapi“. Sidoqoftë, fitoret e kuqebardhëve janë shoqëruar edhe me zëra për lëshime të kundërshtarëve, ashtu siç ekziston një mjegullnajë e tillë edhe për sfidën e Tiranës.

Krejt ndryshe, Laçi duket i vendosur të mos lëshojë pe për askënd. Kurbinasit kanë fituar 3-1 ndaj Flamurtarit, duke i mundur kuqezinjtë dy herë brenda një kohe të shkurtër. Me 3 pikët e radhës, bardhezinjtë e shikojnë veten vetëm 1 pikë larg Tiranës së vendit të tretë, duke konfirmuar kështu një sezon të shkëlqyer të tyre, që akoma mbart në vetvete shpresa për “Kupat e Europës”.

Në Krujë, në një fushë asnjanëse, edhe pse u detyrua të luante Dinamos si pritëse, (stadiumi “Qemal Stafa” mbylli dyert), kanë triumfuar kryesuesit e kampionatit. Blutë, që tashmë nuk kanë asnjë rival në luftën për titullin kampion, mundën Gramozin me rezultatin 1-0. Ndryshe nga dy skuadrat ndjekëse të saj, Besa dhe Tirana, Dinamo nuk ka pasur asnjë pikë mëshire për Gramozin e vendit të fundit, që rrezikohet seriozisht për të rënë një kategori më poshtë.

Në Durrës, Teuta dhe Apolonia kanë ndarë nga një pikë, falë barazimit 1-1. Të parët kanë kaluar në epërsi miqtë nga Fieri, ndërkohë që në pjesën e dytë kanë barazuar durrsakët. Një rezultat i tillë ka lënë më të kënaqur miqtë, të cilët kanë qenë gjithmonë “mace e zezë” për Teutën.

Java e 23-të e Superligës ka filluar me ndeshjen e së shtunës mes Tiranës dhe Kastriotit, e luajtur në “Selman Stermasi“, e cila ka përfunduar me fitoren e krutanëve, me rezultatin 1-0. Takimi mes Shkumbinit dhe Vllaznisë u shty për ditën e mërkurë, pasi fusha e Peqinit është jashtë çdo standarti për zhvillimin normal të një ndeshjeje futbolli.

Superliga, java e 23-të:

Dje
TIRANA 0 – 1 KASTRIOTI (Djarmati 27)’

Sot
DINAMO 1 – 0 GRAMOZI (Del Monte 55’)
BESA 1 – 2 SKËNDERBEU (D.Xhafaj 78′ / E.Lika 44′, Guerrib 58’)
LAÇI 3 – 1 FLAMURTARI ( Nora 36′, 55′, Veliaj 79′ / Zeqiri 85’)
TEUTA 1 – 1 APOLONIA (Ymeraj 47’ / Brkic 16’ (pen)

Të mërkurën
SHKUMBINI-VLLAZNIA

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›