Superliga merr arratinë nga Shqipëria
Kushtet e këqija atmosferike në vendin tonë, si dhe gjendja e papërshtatshme e terreneve stërvitore, por edhe dëshira për pak “relaks” i ka shtegëtuar skuadrat e Supeligës jashtë Shqipërisë, ku si gjithmonë i preferuar mbetet destinacioni i Malit të Zi e ku në Ulqin do të jënë katër skuadra: Apolonia, Shkumbini, Gramozi dhe Vllaznia.
Dinamo
Kryesuesja e Superligës do të udhëtojë të mërkurën drejt Turqisë, ku do të qëndrojë 12 ditë, për tu rikthyer në Shqipëri, më datë 17 janar. Gjatë fazës përgatitore në Antalia skuadra e Shkëlqim Muçës pritet të zhvillojë disa ndeshje miqësore.
Tirana
Bardhblitë do ta kryejnë fazën përgatitore në Antalia. Kampionia në fuqi do të niset të shtunën (9 janar) dhe do të akomodohet në Kemer të Antalias, në hotelin “Limak Limra”, një ambient shumë i njohur për 24-herë kampionët e Shqipërisë. Në Turqi do të jetë edhe Dinamo, me të cilën bardheblutë do të përballen në ndeshjen e parë të vitit 2010 (java 18). E reja e fundit nga Tirana është rikthimi në stërvitje i mbrojtësit të njohur Rezart Dabulla, i cili rikthehet pas një rikuperimi 3 mujor.
Apolonia
Fierakët do ta zhvillojnë fazën përgatitore dimërore në Ulqin të Malit të Zi. Skuadra fierake do të niset drejt vendit fqinjë të mërkurën, më 6 janar. Trajneri Hasan Lika do të ketë mundësinë të testojë lojtarë të rinj, por dhe të zhvillojë ndonjë miqësore të mundshme pasi në Malin e Zi do të jenë edhe tri skuadra të tjera të Superligës, Shkumbini, Gramozi dhe Vllaznia.
Flamurtari
Vlonjatët nisën fazën përgatitore në Bosnjë-Hercegovinë. Skuadra vlonjate do të akomodohet në Mecigorje ku do të qëndrojë për rreth dy javë. Në përbërje të skuadrës, midis 22 lojtarëve të thirrur nga trajneri Gugash Magani janë dhe Gerhard Progni e Elton Grami.
Vllaznia
Shkodranët do ta kryejnë fazën përgatitore në Malin e Zi, duke filluar nga data 6 janar. Trajneri i ri i Vllanzisë, Edi Martini, ka mundësinë të testojë edhe prurjet e reja në ekip. Në Malin e Zi ndodhen edhe skuadrat e Shkumbinit e Gramozit dhe nuk përjashtohen edhe ndeshjet miqësore midis tyre.
Gramozi
Skuadra kolonjare nisi përgatitjet dimërore në Malin e Zi, ku do të qëndrojë rreth dy javë, përpara se skuadra kolonjare të përballet në miqësoren e luksit me Realin e Madridit, më 20 janar 2010. E vetmja blerje e zyrtarizuar e formacionit të Agim Canajt është sulmuesi Marius Ngjela. Po në Malin e Zi është edhe Shkumbini i Peqinit.
Shkumbini
Shkumbini nisi fazën përgatitore dimërore në Ulqin të Malit të Zi. Në provë te skuadra peqinase është kosovari Krasniqi. Ndeshja e parë e Shkumbinit për vitin 2010 është ajo kundër Vllaznisë.
Besa
Skuadra kavajase ka zgjedhur Luzin si vendin ku do të zhvillojë fazën përgatitore dimërore.
Teuta
Edhe durrsakët nuk kanë ndërmend të lëvizin nga Shqipëria.
Skënderbeu
Ende nuk ka deklaruar vendin se ku do të kryejë fazën përgatitore.
Kastrioti
Ende nuk ka deklaruar vendin se ku do të kryejë fazën përgatitore, me shumë mundësi në Krujë.
Laçi
Edhe skuadra kurbinase nuk ka deklaruar ndonjë destinacion të huaj.
6 Janar 2010