Sejdiu i telefonon Berishës: “Kosova do të dërgojë trupa në zonat e përmbytura”
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka telefonuar dje kryeministrit Berisha, të cilit i ka premtuar ndihmën e Kosovës në zonat e përmbytura në Veri të vendit. Presidenti Sejdiu gjithashtu ka marrë informacion për situatën e vështirë në të cilën ndodhen banorët e zonave veriore të vendit. Ai bëri të ditur se Kosova ka vendosur të nisë në Shqipëri Trupa të Sigurisë së Kosovës për të ardhur në ndihmë në zonat e përmbytura. Kryeministri Berisha e falënderoi Presidentin e Kosovës, z. Fatmir Sejdiu, për këtë vendim, si dhe për ofertën e qeverisë së Kosovës për ndihma në varka shpëtimi dhe mjete të tjera. Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit Sejdiu falënderimin e tij edhe për ndihmën financiare që komuna e Gjakovës ka akorduar për zonat e përmbytura në Shqipëri. Gjatë bisedës telefonike, Presidenti i Kosovës u shpreh se po ndjek me vëmendje situatën në vijimësi, si dhe shprehu vlerësimet e tij për të gjitha përpjekjet e autoriteteve dhe të qeverisë shqiptare për përballimin me eficiencë të kësaj situate të vështirë.
Qeveria ngre Komitetin Ndërministror të Emergjencës Civile
Këshilli i Ministrave zhvilloi gjatë ditës së djeshme një mbledhje të fokusuar plotësisht në situatën e vështirë në të cilën ndodhen banorët e zonave veriore të vendit për shkak të përmbytjes. Për të kapërcyer këtë situatë qeveria miratoi ngritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile për përballimin e situatës së krijuar si pasojë e reshjeve të shumta dhe të vazhdueshme të shiut, të rëna ditët e fundit në vendin tonë dhe përmbytjet. Ky komitet do të kryesohet nga ministri i Brendshëm Lulzim Basha dhe në përbërje do të ketë ministrin e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, ministrin e Financave, Ridvan Bode, ministrin e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, ministrin e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Genc Ruli, ministrin e Shëndetësisë, Petrit Vasili dhe ministrin e Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj. Ky komitet do të nisë menjëherë punën për hartimin e një plani masash për përballimin e kësaj situate. Gjatë fjalës së tij Berisha tha se “detyra jonë është të parandalojmë katastrofën”. Sipas tij, Komiteti do të koordinojë me autoritetet vendore të gjithë procesin e evakuimit nga zonat e përmbytura.
PDK: “Paaftësia e qeverisë përmbyti Shkodrën dhe Lezhën”
Partia Demokristiane ka ndjekur me shqetësim situatën e rëndë të krijuar nga përmbytjet në qarqet e Shkodrës e të Lezhës dhe ka shprehur dje, gjatë një deklarate për shtyp, solidaritetin e saj me familjet e dëmtuara nga vërshimi i ujërave në banesa dhe në tokat bujqësore. PDK, duke e ndjekur nga afër situatën e rëndë të krijuar, vëren se rreziku është ende i lartë dhe se vazhdimi i reshjeve mund të sjellë një katastrofë të vërtetë në zonat e Shkodrës dhe të Lezhës. Në këtë situatë alarmante, PDK ka kërkuar që qeveria dhe institucionet përgjegjëse të marrin të gjitha masat, së pari për të shpëtuar jetët e rrezikuara të njerëzve në fshatrat e përmbytura dhe së dyti, të ndjekë me përgjegjësi të situatën orë pas ore. “PDK konstaton me keqardhje se situata e rëndë e krijuar nga përmbytjet mund të ishte evituar nëse situatës do t’i bëhej një menaxhim preventiv dhe me përgjegjësi, duke mos pritur tejmbushjen e liqeneve mbi lumin Drin dhe shkarkimin e sforcuar të ujëra, aq më tepër që infrastruktura kullese e lënë pas dore nuk mund të përballonte as shirat e rënë natyrshëm gjatë javëve të fundit”, - theksohet në deklaratën e PDK-së. Sipas saj, qeveria edhe njëherë tregoi papërgjegjshmëri në menaxhimin dhe përballimin e situatës kritike të krijuar nga reshjet e vazhduara, duke u shkaktuar dëmtimin e pronës dhe rrezikimin e jetës mijëra familjeve shqiptare. PDK-ja i kërkon gjithashtu qeverisë të marrë përgjegjësitë politike për dëmin e shkaktuar.
7 Janar 2010