Superliga, ndalet Tirana, 0-0 ndaj Bylisit
Tirana është ndalur nga Bylisi në javën e 6 të Superligës, ndërsa Partizani është mundur 1-0 në Vlorë. Kjo humbje i lë të kuqtë në vendin e fundit në renditje. Ndërkohë, Lushnja arriti të fitonte 2-1 në Peqin, ndërsa Dinamo barazoi 1-1 me Vllazninë në kryeqytet.
Tirana mundi të ruajë vendin e parë në renditje edhe pse nuk shkoi më shumë se një barazim pa gola në fushën e Ballshit, përballë Bylisit vendas. Bardheblutë e drejtuar nga Blaz Slishkoviç rrezikuan të pësonin humbjen e parë në këtë sezon, pasi lojtarët ballshiotë janë treguar shumë të rrezikshëm. Pa Dabullën dhe Andi Lilën, skuadra kryeqytetase tregoi edhe njëherë qëndrueshmëri në mbrojtje, duke u ngjitur në kuotën e 14 pikëve. Ndërkohë, Shkumbini ka pësuar humbjen e parë në shtëpi për këtë sezon, pasi është mposhtur 1-2 nga Lushnja e Saimir Malkos. Turdiu shënoi në minutën e 16-të, duke i dhënë avantazhin e përkohshëm ekipit të drejtuar nga Gugash Magani. U duk se do të ishte fitorja e radhës, por në të vërtetë nuk ndodhi aspak kështu. Dorian Bubeqi barazoi shifrat në minutën e 42-të, ndërsa në të dytën Lushnja arrin të fitojë një penallti. Ka qenë Turdiu, ai që ndërhyri keq ndaj Bubeqit dhe Bardhyl Pashaj fishkëlleu penallti dhe karton të kuq për Turdiun, ndërsa Lushnja realizoi edhe golin e dytë me anë të Gentian Çelës.
Në ndeshjet e tjera, Partizani është mundur 1-0 në Vlorë duke mbetur në vend të fundit, me 4 pikë. Dinamo ka barazuar në kryeqytet me Vllazninë, ndërsa në Kavaja, Besa fitoi 1-0 ndaj Elbasanit.
(a.s/News24/Balkanweb)