E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama fton “të vjetrit” e PS për zgjedhjet

Nga Darina Tanushi
Edi Rama ka menduar, sipas burimeve nga PS-ja, që gjatë rrugëtimeve të tij të marrë edhe mendimin e “të vjetërve” socialistë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare 

LEZHE-Kryetari socialist, Edi Rama e ka filluar vjeshtën jo vetëm me takimet në kuadër të turit “Rruga e ideve për të ardhmen”, por edhe me një tur tjetër për të takuar të gjithë ish-drejtuesit e ish-deputetët socialistë ndër vite. Ai ka menduar, sipas burimeve nga PS-ja, që gjatë rrugëtimeve të tij të marrë edhe mendimin e “të vjetërve” socialistë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kreu socialist mendon që të dëgjojë nga ish-ët mendimet për alternativat që e çojnë në fitore PS-në. Ideja e re e Ramës mbështetet edhe nga një nismë tjetër që është marrë në PS. Në çdo degë partie në të gjithë vendin, por edhe në qendër tashmë funksionon një zyrë për pritjet me popullin. Në këto zyra do të punojnë pikërisht ish-drejtuesit dhe ish-deputetët e PS-së ndër vite. Edhe në selinë qendrore të PS-së në Tiranë, tashmë ka nisur funksionimin një zyrë në katin e parë të selisë së rinovuar. Idetë dhe mendimet e ish-ëve duket janë cilësuar të vlefshme nga kryetari Edi Rama, pikërisht në këtë periudhë kur dy parti të tjera që kanë dalë nga PS-ja, LSI dhe PS-91 deklarojnë se rreth tyre janë afruar të gjithë socialistët e vërtetë, të zhgënjyer nga politika e Ramës. Nga ana tjetër, kreu socialist duke nisur edhe nga bisedat me këta ish-drejtues u ka dhënë edhe siguri për fitoren e PS-së në 2009-ën anëtarëve të kryesisë, në mbledhjen e dy ditëve më parë. Ndërkaq Rama vazhdon turin e tij të nisur një vit më parë, por që tanimë ka marrë një tjetër emër “Rruga e Ideve për të Ardhmen”. Ai ka qenë dje në Lezhë, ku ka bashkëbiseduar sërish për çështjen e arsimit, siç do të bëjë deri në mes të tetorit, për të vijuar më pas me një temë tjetër të programit qeverisës të PS-së. “Këtu, në zonën ku nis dhe shtrihet veriu i vendit, problemet janë më të prekshme dhe më të frikshme. Këtu del lakuriq varfëria migjeniane; ku fëmijët e kanë të pamundur të shkojnë në shkollë për shkak të varfërisë; ku fëmijët e kanë të pamundur që të marrin mësimin normal në mjedise që dikur kanë qenë shkolla dhe sot nuk mund të quhen më të tilla; ku fëmijët janë të kërcënuar nga ana e analfabetizmit”, - është shprehur Rama gjatë takimit me lezhjanët. “Analfabetizmi sot jo vetëm është shfaqur, por po përparon me shpejtësi. Ai është pengmarrësi i 10 % sipas statistikave zyrtare, por shumë më tepër sipas statistikave logjike”, - u shpreh Rama. “Jam absolutisht i bindur se gjithçka në Shqipëri dhe Shqipërinë e së nesërmes, do të fillojë nga arsimi. Arsimi do të bëhet prioriteti jo thjesht i PS-së, por për të gjithë ata qytetarë që do bëhen përditë e më të vetëdijshëm se ne duhet ta mundim analfabetizmin që po konsumon të ardhmen e këtij vendi, do ta mundim varfërinë që nuk po lë fëmijët të shkojnë në shkollë dhe prindërit në plot e plot zona të Shqipërisë t’iu japin fëmijëve shkollimin”, - theksoi Rama.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›