E Diel, 1 Nëntor 2026

Superliga, nis operacioni “Merkato”



Kategoria Superiore do të zhvillojë të mërkurën (19 maj, 16:30) aktin e 33-të këtij sezoni (jo fort të ndershëm). Verdiktet e mëdha janë dhënë: Dinamo, kampion dhe në Ligën e Kampioneve; Besa, fituese e Kupës dhe në Ligën e Europës, e shoqëruar në këtë kompeticion nga Laçi (debutim historik) dhe Tirana (skuadra shqiptare me më shumë ndeshje në Europë). Kur kanë mbetur edhe 90 minuta ankthi, sidomos për katin e fundit të Superligës, me Apoloninë (kandidate e fortë për të shoqëruar Gramozin në Kategorinë e Parë), Kastriotin, Skënderbeun e Teutën (për të shmangur të paktën njëra prej tyre zonën plejout), ajo që ka nisur të “flasë” para kohe është merkato.

DINAMO – Kampionia e re e Shqipërisë (titulli i 18-i saj në 60 edicione ku merr pjesë) ka bërë një fazë të tretë të shëmtuar: 8 humbje në 10 ndeshje. Grupi i saj nuk duket se premton shumë në Ligën e Kampioneve, të cilën blutë do ta nisin nga turi i dytë eliminator e praktikisht me skuadra më të forta kundërshtare. Trajneri kampion Shkëlqim Muça është paraparë t’ia lërë vendin argjentinasit Luis Manuel Blanko, një formulë që po përsëritet shpesh te Dinamo. Në edicionin e fundit (2008-2009) kur Dinamo morri pjesë në Ligën e Kampioneve (përballë Modricës), trajneri Ilir Daja, njeriu që i dha titullin e 17-të bluve u zëvendësua “urgjentisht” nga argjentinasi Marcelo Havier Zuleta (rezistoi vetëm një ndeshje), teksa ky i fundit ia dorëzoi stafetën kroatit Zlatko Daliç. Gjithsesi, teksa flasim për merkaton e futbollistëve ia vlen të përmendim se Dinamo ka në shënjestër jo pak, por gjashtë emra të rëndësishëm, përveç argjentinasve që do të sjellë me vete Luis Manuel Blanko. Mesfushor Jetmir Sefa (aktualisht te Tirana), mbrojtësi nigerian Abraham Alechenu (Tirana), mbrojtësi Franc Veliu (Flamurtari), sulmuesi Migen Memelli (Flamurtari), mesfushori Ervin Bulku (ish-Tirana dhe ish-Krivbas në Ukrainë) dhe Ansi Agolli (ish-Tirana dhe ish-Krivbas në Ukrainë) janë në planet e presidentit të Dinamos, Besnik Sulaj.

BESA - Fituesit e Kupës së Shqipërisë kanë në gjirin e tyre golashënuesin më të mirë (për momentin) të sezonit, Daniel Xhafaj (17 gola), por Besa është në gjithnjë e më pranë “topçiut” të dytë më të mirë të kampionatit, sulmuesit aktual e kapitenit të Apolonisë, Mlladen Bërkiç (15 gola), një prej të huajve më cilësorë që luan në Shqipëri. Kavajasit e presidentit karizmatik, Nexhat Bizhdili, dështuan gjatë merkatos së janarit të siguronin shërbimet e sulmuesit boshnjak të Apolonisë, Sead Haxhibuliç (ky i fundit më pas u huazua te Vllaznia, por pa lënë shumë gjurmë te shkodranët. Por, me sa duket Bërkiç, për vetë situatën që po ndodh në kampin fierak, mund të jetë një përforcim i vlefshëm i Besës, të paktën fillimisht në Ligën e Europës, ku kavajasit do të luajnë në turin e dytë eliminator. Nga ana tjetër, me një Apoloni (99.99 për qind të rënë) dhe me një Bërkiç në përfundim të kontratës dhe me 99.99 për qind gjasa që të mos rinovojë me një klub inferior e me pagesa jo në nivelin që mund të ofrojë Besa e Bizhdili, sulmuesi beogradas mund ta nisë sezonin e ri nga Kavaja, aty ku verdhezinjtë do të synojnë të fitojnë për herë të parë në historinë e klubit të fitojnë titullin kampion pas dy kupave të fituara në harkun e katër edicioneve të fundit. Dy çështje të mëdha janë të Besa për momentin: e ardhmja e sulmuesit shkodran Vioresin Sinani dhe ajo e fantazistit korçar Bledi Shkëmbi.

VLLAZNIA – Shkodranët pas tetë vitesh pjesëmarrje të rregullt në Europë do të mungojnë në edicionin e ardhshëm. Vllaznia dështoi si në kampionat ashtu dhe në Kupën e Shqipërisë, ku u mund në finale nga Besa (2-1) pas 120 minutave lojë në takimin e gjykuar nga slloveni Dario Ceferin. Golashënuesi më i mirë i saj, sulmuesi 19-vjeçar Bekim Bala: 17 gola në të dyja kompeticionet, 9 në kampionat dhe 8 në Kupën e Shqipërisë, ndiqet nga shumë klube europiane. Pas provës në Francë te Paris Sën Zhermeni, e një numri të pafund klubesh te interesuar për të, përfshirë dhe Ajaksin e madh, skuadra turke Gençlerbirligi duket se është afër me lojtarin e thirrur nga trajneri i Kombëtares shqiptare, Josip Kuzhe, për dy miqësoret e radhës, ato kundër Malit të Zi (25 maj) në Podgoricë dhe Andorrës (2 qershor) në Tiranë.

FLAMURTARI – Kur në fund të dhjetorit të vitit të kaluar u mbyll java e 17-të dhe pjesa e parë e sezonit, Flamurtari ishte i rrezikuari i madh për të rënë nga Kategoria. Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, investoi fuqishëm te golashënuesi më i mirë i kampionatit të kaluar, Migen Memelli, dhe pogradecari ia shpërbleu besimin jo vetëm me 13 gola në 13 ndeshje të luajtura, por e shpëtoi Flamurtarin. Skuadra më rezultative shqiptare në Europë, e vetmja që ka e ka mbërritur deri në turin e tretë, por njëherësh edhe ekipi që ka pësuar humbjen më të thellë, 8-1 kundër skocezëve të Madhëruellit, falë kontributit të jashtëzakonshëm të Memellit siguroi mbijetesën. Memelli u provua në Qipro te Alqi Larnaka, por edhe pse skuadra për të cilën ka luajtur së fundi, portieri Isli Hidi e mbrojtësi Blerim Rustemi, ofroi 230 mijë euro për dy vjet, sulmuesi e hodhi poshtë ofertën.
Flamurtari, një klub i mësuar me lojtarë të huaj, sidomos kroatë, ka obketivat e tij në merkato: argjentinasit Rafael Soza dhe Lukas Malarkane (të dy të Dinamos), Ylli Shameti (Kastrioti), Dritan Smajli (Vllaznia) dhe Mlladen Bërkiç (Flamurtari). Flamurtari është një nga klubet më të pasur nga pikëpamja financaire dhe me futbollistët që synojnë të fitojnë sa më shumë, nuk është çudi që emra të spikatur të luajnë për kuqezinjtë vlonjatë.

GRAMOZI – Skuadra kolonjare e financuar nga kompania “Taçi Oil International” do të luajë sezonin e ardhshëm në Kategorinë e Parë, edhe pse në muajin janar luajti një nga miqësoret më luksoze në historinë e futbollit shqiptar kundër gjigantëve spanjollë të Realit të Madridit. Por nëse Gramozi pritet të “shkërmoqet”, një nga lojtarët e tij më të mirë të këtij sezoni, mbrojtësi Klodian Semina firmosi në Qipro për tre sezone me Ermis Aradipu, skuadër e Kategorisë Superiore në ishullin e “Afërditës”, ku luajnë aktualisht Arjan Beqaj, Altin Haxhi dhe Klodian Duros.

ELBASANI – Edhe pse zyrtarisht ende figuron si ekip i Kategorisë së Parë, Elbasani do të luajë sezonin e ardhshëm në Kategorinë Superiore, në të cilën është shpallur 2 herë kampion. Mesfushori i majtë Bledar Lena është dhe emri i parë i përfolur. Elbasanasi në dy sezonet e fundit ka luajtur me Gramozin.

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›