Ibsen bashkon ballkanasit në skenën e teatrit të Shkupit
Teatri shqiptar në Shkup vuri në skenë dramën e njohur "Peer Gynt" me artistë nga Shkupi, Tirana, Prishtina dhe Beogradi. Drama “Peer Gynt” e dramaturgut të njohur norvegjez Ibsen, mblodhi në skenën e teatrit të Shkupit artistë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia dhe Serbia. Me ndihmën e Fondacionit Ibsen nga Oslo, ideja e kahmotshme e regjisorit maqedonas Sllobodan Unkovski, dhe aktorit shqiptar nga Shkupi, Bajrush Mjaku u shndërrua në realitet. "Arti po i shemb pengesat e kufijve në Ballkan, kështu mund të thuhet, sepse arritëm që të bashkojmë në skenë artisë nga Teatri Kombëtar i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë. Ndërsa skenografi është Modrag Tabaqki nga Beogradi", shprehet regjisori i shfaqjes “Peer Gynt” Sllobodan Unkovski. I gjithë teatri Ibsen shquhet për vërtetësinë e karaktereve dhe të detajit atistik, duke ngjitur në skenë njeriun e zakonshëm dhe duke e bërë teatrin një pasqyrë të jetës reale. "Ne dëshirojmë që të jemi pjesë reale e kësaj hapësire ballkanike", thotë regjisori Unkovski. Është hera e tretë që regjisori Unkovski punon me një miks artistësh nga tre shtete dhe kjo gjë për të paraqet kënaqësi të veçantë. “Nuk mund të përshkruhet përjetimi kur punon me artistë nga tre vende të ndryshme dhe komunikimi zhvillohet në maqedonisht, shqip dhe anglisht. Kur ekziston dëshira për të bërë një punë të mirë atëherë gjuha nuk paraqet problem", shprehet regjisori Unkovski. Ai shton më tej se: "Në hapësirat e Ballkanit ekziston potencial me vlera të larta të artistëve. Ne duhet t'i shfrytëzojmë këto vlera sepse duke njohur njëri-tjetrin, duke komunikuar, ne ndërtojmë besimin e ndërsjelltë dhe bëhemi të vetëdijshëm për të jetuar në një hapësirë të përbashkët siç është Ballkani". Aktori Bajrush Mjaku thotë se përmes "Peer Gynt" ka realizuar dëshirën e kahmotshme të bashkimit të artistëve të rinj nga të gjitha trojet shqiptare. “ Ne si teatër shqiptar, si kulturë teatrore shqiptare duhet t'i prezantohemi botës teatrore në Evropë si një kulturë, pa marrë parasysh a prezantohet Shkupi, Tirana apo Prishtina. Edhe pse ne do të bëjmë gara ndërmjet nesh për të sfiduar njëri-tjetrin, atje duhet të dalim si një sepse jemi një”, thotë aktori Bajrush Mjaku. Ardian Morina është artist nga teatri kombëtar i Kosovës. Pjesëmarrja në shfaqjen “Peer Gynt” do të jetë një përvojë e pashlyeshme në karrieren e tij. Së paku kemi thyer një pengesë kulturore me "Per Gynt", thotë Ardiani: "Kemi një komunikim shumë të mirë, dhe mbi të gjitha është gjuha e teatrit ajo që na lidh dhe na mundëson të merremi vesh më lehtë. Gjatë kohës së realizimit të këtij projekti natyrisht jemi lidhur shumë më tepër, dhe tani Shkupi nuk na duket i huaj, na duket i yni. Shpresoj që të shkojmë edhe më larg, që nesër edhe Parisi edhe skena të tjera të na duken si tonat”, thotë artisti kosovar Ardian Morina. Shfaqja “Peer Gynt” pas premierës në Shkup do të shfaqet edhe në festivalin teatror në Butrint dhe atë ndërkombëtar “MESS” në Sarajevë.
18 Maj 2010