E Shtunë, 31 Tetor 2026

Murinjo kundër Van Galit, nxënësi kundër mësuesit



Dash Frashëri

Besimi është diçka që nuk i ka munguar kurrë Hoze Murinjos, por është një njeri që më shumë se kushdo tjetër e ndihmoi trajnerin e Interit të besonte te vetja e tij, i cili mund të jetë edhe ai që do të përpiqet t’i mohojë titullin e dytë në Ligën e Kampioneve ditën e shtunë: ky është trajneri i Bajernit të Munihut, Luis van Gal.
Kur Van Gal zëvendësoi “plakushin” Sër Bobi Robson te Barcelona në vitin 1997, ai vuri re se ndihmësi i trajnerit anglez kishte diçka speciale brenda tij. Murinjo i bëri hapat e tij të para si trajner, pikërisht nën urdhrat e Robsonit, fillimisht si përkthyes te Sportingu në Portugali, përpara se ta ndiqte atë te Porto dhe Barcelona. Kur Robsoni u largua nga klubi katalanas, Van Gal e mori portugezin ambicioz nën krahët e tij.
Murinjo kishte opsione të tjera, por një fjalë e qetë nga holandezi e bindi se e ardhmja e tij ishte në “Kamp Nou”: “Ku r unë fola me Van Galin rreth kthimit tim në Portugali për të qenë ndihmëstrajner te Benfika, ai më tha; ‘Jo, mos shko’,”, - tha Murinjo për UEFA.com. “Pyete Benfikën nëse ata duan një trajner në ekipin e parë, atëherë ti mund të shkosh; nëse ata duan një ndihmëstrajner, ti mund të qëndrosh”, i kishte thënë Van Gali, Murinjos.
Murinjo nuk ndjeu aspak keqardhje në lidhje me vendimi e tij për të qëndruar në Spanjë. “Van Gal ishte një person shumë besues dhe në momentin kur një trajner ishte i ri si dhe unë, kjo ishte e rëndësishme. Ai më dha besimin të drejtoja ekipin në fushë. Në ndeshje miqësore, në ndeshjet e Kupës së Katalonjës, me dha përgjegjësinë e të qenit trajner. Ai më tha: ‘Unë po ulem në bankinë, merre ti përgjegjësinë e ekipit’. Kështu, ai ishte shumë i rëndësishëm në zhvillimin tim”.
Van Gal shtoi: “Ai ishte shumë modest atëherë. Ishte e këndshme të shihje zhvillimin e tij, të shikoje se ai kishte fituar personalitet. Unë e dija se ai do të më ndihmonte, pasi ai ishte shumë i pasionuar. Ai e vuri re menjëherë që unë po e çoja përpara. Mendoj se e edukova sado pak. E vura re se ai kuptonte lojën”. Megjithatë, Murinjo nuk e kishte ndjekur Van Galin si një skllav të zotin. Trajneri holandez theksoi: “Ai ushtrohet të fitojë gjithmonë. Unë pëlqej të luaj futboll të bukur dhe të fitoj. Rruga ime është më e vështirë”.
Çifti ndoshta kurrë nuk e kishte menduar se një ditë do të ishin në bankinë si kundërshtarë në një finale të Ligës së Kampioneve. Ish-nxënësi i dikurshëm të mundë mësuesin e tij. “Hera e fundit që kemi qenë bashkë ishte në vitin 2000”, - tha Murinjo. “Ne jemi duke folur për dhjetë vjet më parë, kështu që sigurisht ai do të jetë tani një person i ndryshëm. Por, ai është një trajner i madh dhe një person i mirë, kjo nuk ka ndryshuar”.
Van Gal e fitoi Ligën e Kampioneve me Ajaksin në vitin 1995, dhe më pas ai erdhi te Barcelona ku gjeti Murinjon. Ata u bashkuan për disa vite, derisa më në vitin 204, Murinjo fitoi Ligën e Kampioneve me Porton. Duke parë se të dy do të luajnë finalen e Madridit, njëri prej të dyve, Murinjo apo Van Gali do të ndjekë Otmar Hitcfeldin dhe Ersnst Hapelin, si trajneri i tretë që ka fituar Ligën e Kampioneve me dy klube të ndryshme.
“Shpejt ose vonë unë do të jem në këtë grup, pasi unë jam një trajner i ri”, - tha 47-vjeçari Murinjo. “Shpresoj se kam edhe më shumë se 20 vjet për të qenë trajner, kështu që herët apo vonë unë do të jem atje. Por, unë shpresoj të jem atje më mirë në disa javë se sa në disa vite. Jo se unë me të vërtetë dua të jem në këtë grup të privilegjuar, por se unë dua ta bëj me këta lojtarë, me këtë klub, me këta tifozë. Unë do të dëshiroja ta bëja tani, pasi Interi nuk e ka fituar kompeticionin për një kohë të gjatë”.
Van Gan nuk është i vetmi një nga kundërshtarët e ditës së shtunë të Murinjos. Edhe anësori holandez i Bajernit, Arjen Roben, i cili e fitoi kampionatin anglez nën drejtimin e trajnerit portugez në vitin 2004 dhe 2005 me Çelsin. Roben është një lloj Lionel Mesi dhe trajneri i Interit duhet të tregojë shumë kujdes ndaj tij ashtu siç bëri ndaj Mesit në triumfin kundër kampionëve ende në fuqi të Europës, Barcelonës, në gjysmëfinale.
“Mesi është Mesi, por Arjen është i aftë të luaj në nivel të lartë për katër, pesë apo gjashtë muaj rresht, ai është një lojtar i pabesueshëm. Ai është një lojtar për të cilin ju duhet të shqetësoheni, por unë nuk do të ndryshoj mënyrën time, edhe pse ai si Mesi dhe Kristiano Ronaldo, është një lojtar i lëvizjeve. Kështu, që mbrojtja jonë presing zonal. Ne nuk do ta ndryshojmë, sigurisht, ndaj Arjen nevojitet një kujdes i dyfishtë, pasi ai është një super lojtar”.
Në kontrast me disa talenteve të shkëlqyer individualë që Inter ka në gjirin e tij e që i hapën rrugën drejt finales, Murinjo beson se është etika e ekipit dhe vullneti i lojtarëve të tij për të bërë sakrifica, që skuadra ia doli të shkojë aq larg. “Grupi është më shumë se sa shuma e pjesëve tona”, - tha ai. “Samuel Eto’o është një shembull i madh. Ai është një lojtar me një status të madh, një lojtar sulmues, por kur ekipi është në vështirësi dhe ne kemi nevojë për të bëjë një punë më të madhe ai është i pari që e bën. Kur jeni keni në ekip lojtarë të tillë dhe këta janë të aftë ta bëjnë këtë, është e lehtë të jesh një lider”. Besimi është i lartë, Murinjo është gati për Madrid.

Murinjo-Van Gal 2-2
Si trajneri i Interit, Hoze Murinjo, ashtu dhe ai Bajernit, Luis van Gal, kanë fituar këtë sezon nga dy trofe respektivisht në kampionatin e Italisë dhe Gjermanisë. Murinjo fitoi Serinë A dhe Kupëne Italisë, Van Gal triumfoi në Bundesligë dhe Kupëne Gjermanisë. Tani, që të dy kanë rastin të fitojnë një trofe të tretë, çka do të ishte një rekord si për Italinë ashtu dhe për Gjermaninë, por kësaj do t’i arrijë vetëm njëri.

FINALJA E LIGËS SË KAMPIONEVE
BAJERN MUNIH-INTER
22 maj 2010, 20:45

18 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›