Arbër Jakllari, një mesazh njerëzor në skenën shqiptare
Izaura Ndoj
Të gjithë mund ta dinë që pikërisht kur njerëzit ndodhen në kulmin e lumturisë, ndodh që një e keqe lind dhe e përpin këtë lumturi. Të gjithë i njohim apo edhe i kemi provuar disa nga problemet që shqetësojnë sot jo vetëm realitetin shqiptar por edhe atë në tërësi, si moskomunikimi, intrigat, smirat e xhelozitë e kështu me radhë. Kanë qenë pikërisht këto ide që kanë ngacmuar regjisorin Arbër Jakllari të sjellë në skenën shqiptare një fragment të shkëputur nga “Otello” i Shekspirit, i montuar në bazë të një vizioni regjisorial ku idea përqëndrohet tek moskomunikimi dhe shoqëria njerëzore. Publiku shqiptar pati mundësinë ta shijonte këtë pjesë mbrëmjen e djeshme në sallën Black Box, të Akademisë së Arteve, ndërkohë që në rolin kryesor në atë të Otellos erdhi Florjan Kokona, në rolin e Desdemonës erdhi Esela Pysqyli, në rolin e Jagos Endri Çela. Jakllari ka zgjedhur një trupë prej 9 aktorësh të tjerë, të cilët me lojën e tyre aktoriale i falën publikut një shfaqje me vlera artistike. Dashuria e Desdemonës dhe Otellos është aq e fort, sa krijon një muzikalitet dhe harmoni, duke u përhapur në të gjitha sferat e tjera, pikërisht në këtë moment, rebelohet djalli (Jago-personazhi kryesor) dhe thur intrigën për ta shuar këtë harmoni dhe dashuri. Kjo smirë ndizet dhe punon brenda trupit njerëzor si një motor dhe shuhet vetëm atëherë kur smira arrin të zotëroj gjithçka dhe të shuaj egon njerëzore. Pra kështu siç ndodh në jetë ku njerëzit shprehen; në qoftë se jam unë keq, duhet të jetë edhe tjetri keq ose pse ai dhe jo unë. Regjisori Jakllari tregon se shfaqja “Otello”ka të bëjë me një botë intrigante ku lumturia e tjetrit shikohet si një smirë. “Jetojmë në botën e pagove (intrigantëve) e parë kështu do të thotë se intrigantët ndodhen kudo rreth nesh (jagot)”. Mesazhi përqëndrohet te individi i cili nuk duhet të mbyllet brenda guaskës së vet, (siç bën Otello) por duhet të komunikoj, sepse një nga problemet kryesore që ka shoqëria jonë njerëzore është moskomunikimi”-cilësoi Jakllari. Sipas tij ne flasim me njëri tjetërin, por në të vërtet nuk merremi vesh. Skenografia e shfaqjes është simboliste dhe kostumografia i është përmbajtur ditëve të sotme mbi rregulla estetike. Së fundi regjisori Arbër Jakllari u ngjit në skenë e Teatrit Kombëtar jo vetëm si regjisor por edhe si aktor në rolin kryesor Prometeun. Ai solli një Promete të kohëve moderne, i zhgënjyer nga vetja e vet dhe nga njerëzimi. Zanafillën e ka që nga antikiteti, në momentin kur Prometeu merr zjarrin dhe ua jep atë njerëzve. Është e vërtetë që figura e Prometeut dhe ngjarja në fjalë është pothuajse e njohur nga të gjithë. E veçanta e shfaqjes është se aty kemi pikërisht kalimin nga kjo periudhë e antikitetit në atë moderne, të ditëve të sotme ku zjarri ka marrë si të thuash përmasa galopante, në drejtim të përdorimit të keq që njerëzit i kanë bërë kësaj dhurate. Konkretisht kemi një botë të pafajshme dhe një tjetër botë të dhunshme që vendosen përballë njëra tjetrës, ku e para është pre e botës së dytë, e cila nga dita në ditë dhe po përparon me mënyrat e veta, duke përmbushur kështu qëllimin e saj, ka shprehu regjisori Jakllari. I pyetur mbi mesazhin që solli kjo vepër regjisori ka thënë se: Prometeu i lidhur është heroi i njerëzve dhe i njerëzimit. Kjo është e ditur dhe e njohur pothuajse për të gjithë. Dua të theksoj që edhe në ditët e sotme, ai vjen si hero i njerëzve dhe i njerëzimit, por konteksti është disi ndryshe. Ky personazh identifikohet me njerëzit me anë të zemrës. Madje, kjo duket edhe në fjalët e tij kur ai shprehet: Ata njerëz, me zemrën time. Dhe që nga ky moment ai merr vendimin për t`u dhuruar zjarrin e për t`i ndihmuar ata. Bashkë me zjarrin u dha jetën, mënyrën si ta jetonin atë, por mënyra sesi njerëzit e trajtuan këtë dhuratë lë për të dëshiruar. Pikërisht këtu vjen edhe ideja dhe qëllimi i shfaqjes. Njerëzit e përdorën zjarrin, pra këtë dhuratë për të vrarë e madje, rrezikuar ekzistencën e tyre. Prometeu vjen sot i zhgënjyer nga njerëzit dhe i lidhur pikërisht nga ky zhgënjim, i cili në mënyrë simbolike është edhe një zhgënjim nga vetvetja e tij. Shfaqja Prometeu i lidhur erdhi e realizuar duke marrë fragmente nga vepra e Eskilit, pra nga e gjithë antika.
Libri fjala e “Omerikëve” promovohet në Galerinë e Arteve
Fjala e “Omerikëve” është libri që do të promovohet sot në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve. Ky libër është një përmbledhje poezish prej autorësh të ndryshëm, të cilët janë frymëzuar nga vepra e Omer Kaleshit, piktorit shqiptar që jeton në Paris të Francës që prej vitit 1965. Autorët e poezive janë dymbëdhjetë; Jacques Lacarrière, Laure Cambau, Özdemir Ince, Eftim Kletnikov, Ilhami Emin, Jordan Plevneš, Klime Korobar, Daim Iliazi, Ali Podrimja, Petraq Risto, Alket Çani, Luan Rama, ndërsa lista plotësohet me tre ese të Gil Jouanard. Libri përmban edhe shumë riprodhime të pikturave të Kaleshit, të cilat qëndrojnë krahas shkrimeve që ato kanë frymëzuar. Përmbledhja e materialeve është bërë nga studiuesi Luan Rama, i cili thotë në parathënie: “Ky libër është një kumt poetik për krijmtarinë shumëvjeçare të Omer Kaleshit, këtij piktori që me itenerarin e jetës së tij përfaqëson katër vende: Shqipërinë, Maqedoninë, Turqinë dhe Francën. Pikërisht, poetë nga të katër këto vende, duke shtuar dhe Kosovën, miq të piktorit dhe njohës të pikturës së tij, bashkojnë zërat e tyre në këtë ligjërim poetic, ku çdo poezi ballafaqohet me një tablo, me “kokat” e tij, me atë ç’ka përbën shpirtin e këtij artisti, sa ballkanas, aq edhe evropian”. Vetë piktori do te jetë i pranishëm në promovimin e këtij libri, së bashku me studiuesin Luan Rama dhe të tjerë personalitete.
18 Maj 2010