E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ceka: Rama, falje për Trebickën

 

BLEDAR HOTI

“Edi Rama duhet t’i kërkojë falje publikut dhe qytetarëve për mënyrën se si e trajtoi opozita vdekjen e biznesit Kosta Trebicka”. Thirrjes së maxhorancës ndaj Ramës, i është rreshtuar në krah edhe kreu i PAD-së, Neritan Ceka, i cili përfaqëson partinë e opozitës së majtë. Ceka ka bërë të ditur gjithashtu se ka qenë kundër mitingut të zhvilluar nga PS-ja, duke mos marrë pjesë në të, për arsyet se ende nuk kishte dhënë një mendim të saktë nga prokuroria për vdekjen e biznesmenit Trebicka. “Kam qenë kundër protestës së opozitës për këtë ngjarje dhe PAD nuk u bashkua me atë protestë, duke deklaruar se është e parakohshme dhe nuk mund të manipulohet mbi vdekjen e një personi, derisa prokuroria nuk ka dhënë mendimin e saj përfundimtar. Dhe në këtë drejtim z.Rama duhet t’i thotë ‘më fal’ publikut apo qytetarit Ceka”, u shpreh kreu i PAD-së. Nënkryetari i Kuvendit, Ceka, i ka bërë apel dhe partive politike që në Kuvend të ndalojë debatet që dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. Ai fokusohet te debatet jashtë rendit të ditës të deputetëve të Kuvendit. “Mendoj se nuk është ruajtur distanca e nevojshme nga shtypi. Politika dhe shtypi janë dy gjëra të ndryshme. Nuk më duket normal kalimi i menjëhershëm në Kuvend i debateve që hap shtypi. Kjo krijon pështjellim, e nxit dhe vetë shtypin për prodhime lajmesh të parakohshme, por nga ana tjetër krijon një imazh jo të mirë të politikës shqiptare dhe kjo është kosto që e paguan i gjithë publiku”, u shpreh  Ceka. Kreu i PAD-së refuzoi të merrte pjesë në mitingun e shpallur nga PS-ja më 12 shtator për vdekjen e Trebickës, duke theksuar se PS-ja abuzoi me mitingjet e mëparshme që bëri për tragjedinë e Gërdecit, duke realizuar ndryshimin e Kushtetutës. Ceka madje deklaroi se “Edi Rama e shfrytëzoi për të realizuar qëllimet e tij personale si kryetar bashkie”. Ndërsa maxhoranca në bllok ka kërkuar që Edi Rama të kërkojë falje për qëndrimin e mbajtur në lidhje me vdekjen e biznesmenit Trebicka. Kryetarja e PD-së ka mbajtur linjën e ashpër të qëndrimit ndaj kryetarit të PS-së, duke kërkuar deri dhe dorëheqjen e tij nga posti që mban. “Të mbjellësh katastrofizëm sa herë që hap gojën, nuk është alternativë qeverisëse. Të mbështesësh të ardhmen tënde mbi frikën e mbjellë me mashtrim, mbi njerëzit që të besojnë, është stalinizëm, pol potizëm, fidel kastrizëm; në Shqipëri e ka emrin Edi Rama dhe politikë më të vjetër e më të mjeruar se kjo, nuk mund të ketë. Në çdo vend demokratik të botës, një kryetar  partie, do kishte dhënë dorëheqjen. Shqiptarët e dinë që kjo lloj politike mund të prodhojë gjithçka, por jo integrim”, deklaroi Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›