Anglia në ankth për Ledli King
Anglia vazhdon të humbasë lojtarët në Botërorin 2010. Pas dëmtimit të kapitenit Rio Ferdinand dhe barazimit zhgënjyes me SHBA-në në ndeshjen e parë të Grupit C, britanikët rrezikojnë të privohen nga Ledli King. Mbrojtësi i Totenhemit, i aktivizuar në qendër përkrah Territ si zëvendësues i Rio Ferdinand, ka pësuar një dëmtim në ije dhe mund të mos jetë më i gatshëm për të luajtur me “Tre Luanët”. Në ditët e ardhshme, King do t’u nënshtrohet vizitave mjekësore më të hollësishme, për të kuptuar sa serioz është problemi. Një tjetër telash për trajnerin Fabio Kapelo. Pas problemeve me portën, pas gafës së pafalshme të Robert Grin, drejtuesi i stolit të Anglisë duhet të ndryshojë mbrojtjen për dy sfidat e mbetura me Algjerinë dhe Slloveninë. Favoriti për të luajtur përkrah Territ është Karrager, ndërsa Apson dhe Dauson do të vazhdojnë të qëndrojnë në stol.
#