E Shtunë, 31 Tetor 2026

Surroi: Paralelet Spanjë-Kosovë janë artificiale

Ai këto komente i ka bërë në Javën e Kulturave Mijëvjeçare, në kryeqendrën e rajonit bask të Spanjës, Vitoria, ku është ftuar te ligjërojë për procesin e pavarësimit të Kosovës.

Pas një analize të ngjarjeve që kanë sjellë tek pavarësimi i Kosovës, në ligjëratën e tij, Surroi është përqendruar te roli i Spanjës, sidomos pas shpalljes se pavarësisë së Kosovës. “Te gjithë ne kemi qenë të habitur me qëndrimin e Spanjës kundër pavarësisë së Kosovës, sepse sinjalet që i ka dhënë Spanja gjatë procesit negociator, por edhe më herët gjatë mandatit të OKB-së në Kosovë, dhe përmes pjesëmarrjes së forcave të saj në KFOR, ishin sinjale pro një politike unike evropiane për Kosovën”, ka thënë Surroi.

Ai ka nënvizuar se nuk mund të ngrihet një paralele në mes procesit të pavarësimit të Kosovës dhe cilitdo problem të brendshëm në Spanjë.

“Qëndrimi negativ i Spanjës i interpretuar nga këndi i problemeve te brendshme është një paralele artificiale, sepse Kosova ka lindur si shtet i pavarur brenda procesit dezintegrues të Jugosllavisë. Ky ka qenë një tranzicion negativ i Jugosllavisë socialiste drejt çintegrimit, në kuadër të të cilit është zhvilluar një luftë e përgjakshme. Kosova e pavarur ka lindur pas një ndërhyrje ushtarake ndërkombëtare dhe pas një mandati ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara të destinuar për ndërtimin e institucioneve vetëqeverisëse dhe për të krijuar një perspektivë të zgjidhjes së statusit”, ka argumentuar Surroi.

“Problemet në Spanjë janë probleme që po zgjidhen me sukses brenda një tranzicioni pozitiv, prej diktaturës në demokraci, dhe Spanja ka dëshmuar se mund të trajtoj edhe problemet më të ndërlikuara brenda një procesi të negocimit të brendshëm. Pra nuk ekziston ndonjë lidhshmëri mes problemeve të brendshme spanjolle dhe pavarësisë së Kosovës”, ka nënvizuar Surroi.

Kryetari i bordit te KPJ-se ka theksuar se në muajt qe vijnë qëndrimi i Spanjës mund te jetë përcaktues për te ardhmen evropiane të Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

“Nga ana tjetër Spanja e cila është manifestuar si një shtet i fortë evropian, në rastin e Kosovës po tregon një politikë e cila nuk i ndihmon as Bashkimit Evropian në krijimin e një politike unike, por ç’është më me rendësi nuk i ndihmon as në krijimin e një perspektive evropiane për Ballkanin Perëndimor. Spanja duke e mbajtur peng Kosovën në procesin e integrimeve evropiane në fakt po e mban peng edhe tërë Ballkanin Perëndimor. Ballkani nuk mund të integrohet me një Kosovë të izoluar pa pasur frytet e transformimit çfarë kanë pasur shtete tjera, e në radhë të parë pa i gëzuar frytet e transformimit çfarë i ka gëzuar Spanja”, ka theksuar Surroi.

“Në muajt që vijnë Spanja mund të luaj një rol të jashtëzakonshëm edhe pozitiv por edhe negativ. Pozitiv, në rastin e njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa negativ, nëse vazhdon bllokimin e Kosovës duke mos e njohur vetë, si shtet ekzemplar i Bashkimit Evropian”, ka vlerësuar ai. /Telegrafi/

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›