Surroi nuk e përjashton kandidimin për President
Surroi në emisionin Rubikon të KTV-së, ka theksuar se nuk do që t’i kontribuojë një atmosfere spekulative.
“Kjo çështje do të sqarohet me të hyrë vitin e ardhshëm”, ka thënë ai.
Surroi në Rubikon ka folur për Raportin e Progresit, dialogun si edhe për manipulimin e zgjedhjeve dhe për veriun.
Ai ka thënë se Raporti i Progresit ka evidentuar shkelje serioze të funksionimit të një shteti.
Sipas Surroit, Kosova në aspektin e integrimit Evropian është shumë larg.
Surroi ka folur edhe për procesin zgjedhor për të cilin ka thënë se kjo qeveri është themeluar nga manipulimi i votave.
Sa u përket bisedimeve, Surroi ka deklaruar se Serbia ka hyrë në avantazh në këto bisedime, ngase nuk është kushtëzuar nga ana e palës kosovare.
Publicisti Surroi ka folur edhe për veriun ku situatën atje e ka përshkruar si të pa ndryshueshme.
“Serbia po kërkon të njihet realitetit në veri, e që është sipas Serbisë, veriu nuk është pjesë e Kosovës”, ka thënë Surroi.
Ndërsa duke folur për veprimet e “Vetëvendosjes” ka thënë se janë të paarsyeshme për këto momente që po kalon vendi.
Ndërkaq sa i përket punës së presidentes Jahjaga, Surroi ka thënë se nuk ka bërë ende ndonjë veprim serioz, dhe ka kritikuar përkrahjen që ajo ia ka dhënë PDK-së në përvjetorin e saj, duke komentuar moton e kësaj partie. /koha/