Surroi për kodin: Shembull i zaptimit të shtetit

Duke reaguar lidhur me refuzimin e Parlamentit të Kosovës për ndryshimet në Kodin Penal, publicisti i njohur Veton Surroi tha se nenet që kanë të bëjnë me lirinë e medias e kanë origjinën në kohën e Milosheviçit. Ky është një shembull i zaptimit të shtetit, tha Surroi, apo i legjitimimit të zaptimit të shtetit nga ana e një parlamenti jo përgjegjës, një parlamenti i cili tregon në masë të madhe një tendencë të shkeljeve të lirive dhe të drejtave të njeriut. Një ditë më parë, Ministri i Drejtësisë në Kosovës, Hajredin Kuçi, njëherësh zëvendësKryeministër, paraqiti dorëheqjen, duke zbatuar kështu premtimin që ka dhënë më 27 prill të këtij viti, sipas së cilit, “nëse Kodi Penal i ri i Kosovës, me dy nene kundërthënëse 37 dhe 38, miratohejnë formën siç është, atëherë ai do të paraqiste dorëheqjen”. Madje Kuci, ftoi presidenten Jahjaga që t`i kthejë mbrapsht këto dy nene për amendim në Kuvend, gjë të cilën presidentja e ka bërë, por Kuvendi nuk ka miratuar ndryshimet, pasi procedura e votimit nuk ka sjellë 61 votat e kërkuara pro. Me këtë vendim është shprehur i shqetësuar edhe shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Kosovës. “Kuvendi e ka fundosur lirinë e shtypit në Kosovë”, thuhet në reagimin e këtij organizmi. Nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit.