Suspendimet ua mohuan finalet

Bayern Munich dhe Chelsea do të takohen në finalen e Ligës së Kampionëve në Allianz Arena më 19 maj. Pavarësisht gëzimit për kualifikimin, të dyja skuadrat do të jenë të hendikepuara nga fakti se do të kenë disa prej futbollistëve titullarë të suspenduar.
Kapiteni i Chelseas, John Terry, mbrojtësi Branislav Ivanovic dhe mesfushorët Ramires dhe Raul Meireles nuk do të jenë në gjendje t’i ndihmojnë skuadrës së tyre përballë bavarezëve për shkak të kartonëve. Për po të njëjtën arsye, te Bayerni nuk do të luajnë mbrojtësit David Alaba, Holger Badstuber dhe mesfushori Luis Gustavo.
Mungesa këto jo të vogla për një ndeshje me rëndësi kaq të madhe si finalja e Ligës së Kampionëve. Por, edhe në të kaluarën futbollistë të ndryshëm, prej të cilëve figura të njohura, kanë munguar në finale të garave të rëndësishme përfshirë Kampionatin botëror.
Laurent Blanc
Franca: Kampionati botëror 1998
Laurent Blanc e humbi rastin e paraqitjes në finale të Kampionatit botëror – të zhvilluar në vendlindje – pasi u përjashtua me karton të kuq në përballjen gjysmëfinale kundër Kroacisë.
Claudio Caniggia
Argjentina: Kampionati botëror 1990
Pas shënimit në gjysmëfinale kundër nikoqirit Italisë, Claudio Caniggia u ndëshkua me karton të verdhë dhe u suspendua për finale kundër Gjermanisë Perëndimore.
Franco Baresi
Milan: Liga e Kampionëve 1994
Franco Baresi mungoi në një prej netëve më të famshme të Milanit, kur gjiganti italian shkatërroi Barcelonën 4-0 në finalen e Ligës së Kampionëve më 1994. Mbrojtësi ishte i suspenduar pas ndëshkimit në duelin me Monacon në gjysmëfinale.
Alessandro Costacurta
Kampionati botëror 1994 dhe Liga e Kampionëve 1994
Mbrojtësi legjendar i Milanit humbi dy finale jashtëzakonisht të rëndësishme dhe atë të dyja brenda një viti. Ai fillimisht u suspendua për finalen e Ligës së Kampionëve më 1994 kundër Barcelonës, pas përjashtimit me karton të kuq në duelin gjysmëfinal me Monacon. Kurse mungoi edhe për Italinë në finalen e Kampionatit botëror kundër Brazilit pas kartonit të verdhë ndaj Bullgarisë në gjysmëfinale.
Paul Scholes & Roy Keane
Manchester United: Liga e Kampionëve 1999
Scholes dhe Keane munguan në natën e famshme në Barcelonë, pasi të dy mesfushorët e Manchester Unitedit u ndëshkuan me kartonë të verdhë në gjysmëfinale kundër Juventusit dhe u suspenduan për finalen përballë Bayern Munichut.
Michael Ballack
Gjermania: Kampionati botëror 2002
Dy muaj pasi me Bayer Leverkusenin humbi në finalen e Ligës së Kampionëve nga Real Madridit, Ballack mungoi në finalen e Kampionatit botëror kundër Brazilit për shkak të një kartoni të verdhë që mori në gjysmëfinale ndaj Koresë së Jugut.
Pavel Nedved
Juventus: Liga e Kampionëve 2003
Mesfushori çek, Pavel Nedved u ndëshkua me karton të verdhë në gjysmëfinale kundër Real Madridit dhe mungoi në finale kundër Milanit.
Daniel Alves & Eric Abidal
Barcelona: Liga e Kampionëve 2009
Daniel Alves dhe Eric Abidal u ndëshkuan me kartonë të verdhë në ndeshjen e dytë gjysmëfinale kundër Chelseas në Stamford Bridge dhe si rezultat munguan në fitoren 2-0 ndaj Manchester Unitedit në Romë.
Darren Fletcher
Man Utd: Liga e Kampionëve 2009
Darren Fletcher është specialist për të munguar në finale. Mesfushori i Manchester Unitedit nuk ka luajtur në tri finale të Ligës së Kampionëve. Më e rënda ishte në Romë më 2009, ku ai ishte ndëshkuar me karton të kuq në fitoren ndaj Arsenalit në gjysmëfinale dhe nuk ishte në dispozicion për finale kundër Barcelonës.
Franck Ribery
Bayern Munich: Liga e Kampionëve 2010
Ylli francez, Franck Ribery mungoi në humbjen e Bayernit nga Interi në finalen e Ligës së Kampionëve 2010, pasi ishte përjashtuar në duelin e kthimit në gjysmëfinale ndaj Olympique Lyonit pas një ndërhyrjeje të ashpër ndaj sulmuesit Lisandro Lopez.