E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trajnerët në aksion

Shumë shpejt pritet që Shoqata e Trajnerëve të kërkojë nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së t’i aprovojë disa propozime, të cilat mendohet se mund ta zbusin fenomenin e ndërrimit të shpeshtë të trajnerëve nga ana e klubeve. Sipas Shoqatës, kjo mund të bëhet nëse klubet obligohen t’u paguajnë dëmshpërblime trajnerëve që i shkarkojnë, apo edhe nëse nuk u lejohet skuadrave të angazhojnë më shumë se dy trajnerë brenda një edicioni.

Shoqata e Trajnerëve të futbollit kosovar është e shqetësuar me faktin se klubet e Superligës sivjet kanë bërë ndërrime të trajnerëve si asnjëherë më parë.

Në fakt, prej dymbëdhjetë skuadrave, vetëm Trepça e Besa ende udhëhiqen nga trajnerët me të cilët edhe e kishin nisur këtë kampionat, derisa dhjetë klube tjera deri më tash i kanë ‘provuar’ deri nga katër trajnerë.

Kjo ka bërë që Shoqata e Trajnerëve të hidhet në aksion, me qëllim që nga edicioni i ardhshëm t’u dalë në mbrojtje pedagogëve kosovarë të futbollit nga ky fenomen, prej të cilit ata po ndihen shumë të nënçmuar.

“Prej edicionit të ardhshëm do të kërkojmë nga trajnerët që kontratat e tyre me klube t’i vërtetojnë në Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Kjo do të bëhet me qëllim se nëse shkarkohen para kohe nga detyra nga ana e krerëve të klubeve, atëherë këto të fundit do të jenë të obliguara që t’u paguajnë dëmshpërblime të dëmtuarve. Këtë mund ta bëjmë si shoqatë”, ka deklaruar për Express kryetari i Shoqatës së Trajnerëve, Ajet Shosholli.

Por, kjo shoqatë nuk do të ndalet me kaq. Sipas Shoshollit, Shoqata e Trajnerëve do ta shqyrtojë mundësinë që nga edicioni i ardhshëm ta fuqizojë edhe një rregull tjetër, sipas të cilit klubet nuk do të mund t’i ‘provojnë’ më shumë se dy trajnerë brenda një kampionati.

“Jemi duke menduar që prej edicionit të ardhshëm klubeve t’ua kufizojmë ndërrimin e trajnerëve brenda një kampionati, sikurse në Maqedoni, Kroaci dhe vende tjera. Për shembull, klubet nuk do të kenë të drejtë t’i ndërrojnë më shumë se dy trajnerë brenda një edicioni, por edhe trajnerët nuk do të kenë të drejtë t’i ndërrojnë më shumë se dy klube brenda një kampionati”, theksoi Shosholli.

Mirëpo, a do të fuqizohen apo jo këto nisma të Shoqatës së Trajnerëve, i takon Komitetit Ekzekutiv të FFK-së të vendosë.

“Ky fenomen vërtet është shqetësues për FFK-në. Vërtetimi i kontratave mes trajnerëve dhe klubeve në FFK patjetër duhet të bëhet. Kurse rreth kufizimit të ndërrimit të trajnerëve duhet të mendohet mirë para se të merret vendimi. Por, ju garantoj se Komiteti Ekzekutiv me shumë seriozitet do t’i shqyrtojë ato propozime të Shoqatës së Trajnerëve dhe nëse ato janë të mira, ne do t’i fuqizojmë duke i futur në rregullore”, tha sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.

Fenomeni i ndërrimit të shpeshtë të trajnerëve nga ana e klubeve qysh moti është prezent në futbollin kosovar, por asnjëherë nuk ka qenë sa sivjet.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›