E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suspendohet u.d. i komandantit në Zveçan, shkak hyrja e Vulin në veri

Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media ka bërë me dije se e ka suspenduar nga detyra oficerin e Policisë së Kosovës, ushtrues detyre të stacionit policor në Zveçan.

“Suspendimi i pjesëtarit të Policisë së Kosovës dhe zhvillimi i hetimeve të brendshme, është iniciuar me kërkesë të drejtorit rajonal, pasi besohej se oficeri i policisë së Kosovës, kishte dështuar në respektimin e urdhërit dhe mospërfillje të hierarkisë komanduese lidhur me hyrjen ilegale të një zyrtari të Republikës së Serbisë në teritorin e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës nuk ka bërë me dije se për cilin zyrtar është fjala, por, sot pa leje të Policisë në Zveçan ka qëndruar, shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vulin.

Në njoftimin e policisë, thuhet se “rreshteri policor, aktualisht ushtrues i detyrës së komandantit të stacionit policor në Zveçan, është suspenduar me vendim të drejtorit rajonal mbi bazën e dyshimit të shkeljes dhe mos respektimit të Ligjit të Policisë dhe Parimeve e Procedurave të PK-ës”.

Sipas burimeve të Kosovapress-it, bëhet fjalë për rreshterin, Dejan Vidojeviq.

Zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti, ka thënë se si pjesë e procedurave të parapara me rregullat procedurale të PK-ës, arma zyrtare e zyrtarit të suspenduar është sekuestruar ndërsa i njëjti është suspenduar nga kreu i Policisë Rajonale në Mitrovicë në afat prej 48 orësh, me pagesë, për vazhdim të hetimeve të brendshme.

Ditë më parë, autoritetet e rendit kanë dëbuar jashtë Kosovës Vulinin, gjatë një vizite që po zhvillonte në Kosovë, për shkak se kishet devijuar nga agjenda për të mos mbajtur fjalime politike, për të cilën gjë ishte pajtuar, kur ka marrë lejen për të vizituar Kosovën.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›