E Shtunë, 31 Tetor 2026

Suzana Turku: Kam sakrifikuar për t‘u bërë dirigjente

Skena për të tani është një domosdoshmëri.
Emocionet e saj i ka
provuar fare e vogël, kur ishte
një vajzë 6-vjeçare. Aktivizohej
në Pallatin e Pionierëve, këndonte,
recitonte, bënte teatër. Që atëherë ka
kaluar pothuaj gjysmëshekulli. Vajza e
vogël, e quajtur Suzana Turku, nuk iu
nda kurrë pasionit dhe sot numëron
vite të tëra artistike. I ka të gjalla çdo
herë kujtimet e së shkuarës. Fëmijëria,
Liceu Artistik, Instituti i Lartë i Arteve,
Teatri i Operës e Baletit... Skenës nuk
i është ndarë edhe sot, kur përveçse
pedagoge, mban edhe postin e zvministres
së Kulturës. As nuk i shkon ndër
mend të tërhiqet. Jeton duke dirigjuar.
Vetëm pak ditë para mbylljes së 2008-
ës, festoi 15-vjetorin e krijimit të korit
"Pax Dei". Mjaftoi si arsye për të kthyer
edhe njëherë kokën pas. "Pax Dei" është
një nga krijesat e pas viteve ‘90. Me
ndryshimet demokratike dhe hapjen
eShqipërisë, u krijua mundësia për të
plotësuar ëndrrat që kishin lindur prej
kohe, por që jetonin vetëm brenda nesh.
"Ndonëse sot kam një post të caktuar,
tek unë është vazhdimisht Zana artiste.
Të jesh artist nuk është rastësi. Është
rrugë shumë e gjatë, një investim shumë
i madh personal, familjar dhe shoqëror",
shprehet Turku. Fëmijëria e saj ka kaluar
në sallat e Pallatit të Pionierëve, ku ndiqnin
njëkohësisht këngën, korin, teatrin,
leximin në bibliotekë e ku merrnin edhe
dëftesat e përvitshme të "mikut të vogël
të librit". Një ditë e mbushur plot. Por
Suzana mendon se kjo u ka bërë mirë,u
ka edukuar disiplinën e punës. Pastaj
vjen Liceu Artistik, ku studioi për kanto
dhe për kritikë muzike. Ajo kujton: "Kam
studiuar në klasën e Shpresa Nishanit.
Formimin tim të parë muzikor e kam
marrë nga emra të shquar të muzikës
shqiptare. Mësuesja ime e parë ka qenë
Petrina Prifti, pastaj kam punuar me
kompozitorin e shquar Tonin Harapin
dhe Robert Radonë, i cili ka nxjerrë
shumë e shumë breza artistësh. Të gjithë
duhet t‘i jemi mirënjohës". Atëherë
studionte me orë të gjata, ndonëse nuk
përjashtonte edhe dëshirat e një vajze të
re për të dalë me shoqet. Edhe sot e kësaj
dite i qëndron mendimit se artisti i mirë
bëhet me shumë vullnet. Kjo ka qenë
motoja që e ndoqi edhe kur hyri në Institutin
e Lartë të Arteve (sot Akademia
e Arteve). Vazhdoi sërish të studionte
për kritikë muzike. Shkëndija e parë që
do ta orientonte drejt dirigjimit ishte një
propozim i profesorit Kostandin Traku,
i cili jepte një orë kolektive për dirigjim
koral. Por për arsye të planifikimit,
kërkesa që ai bëri për Turkun nuk u
realizua. "Në vitin e tretë ne zgjidhnim
nga një lëndë sekondare. Unë zgjodha
dirigjimin dhe fillova të bëj mësim
me Kristofor Xhokaxhi. Ishte ai që më
propozoi të kaloja për dirigjim koral.
Dhe kështu u bë", kujton Zana. Ajo u bë
ndër të paktat gra dirigjente në Shqipëri.
Nuk është ndjerë asnjëherë keq
për zgjedhjen. Ka pasur mbështetjen e
familjes dhe nuk e ka konsideruar veten
të paragjykuar, edhe për faktin se nuk i
kushtonte vëmendje asaj çfarë thuhej në
mjedisin që e rrethonte. "Unë jam rritur
në një familje të thjeshtë tiranase. Jemi
katër motra dhe asnjëherë prindërit
nuk na kanë ndaluar në dëshirat që
kemi pasur. U jam mirënjohëse që na
kanë lejuar e mbështetur në kushtet që
ndodhej Shqipëria". Por, ajo pranon se
të jesh një femër dirigjente është edhe
sakrificë. "Është pak më e vështirë, sepse
të duhet të kujdesesh edhe për familjen.
Unë i kam hyrë në hak familjes ku kam
qenë dhe ku jam tani. Por janë mësuar
me oraret e mia të gjata". Mendon se
sot kushtet kanë ndryshuar shumë nga
koha e saj. Kujton se edhe pas mbarimit
të shkollës, ishte e detyruar të shkonte
pasditeve të studionte në Teatrin e
Operës. Në shtëpi nuk kishte një piano.
Partiturat e kompozitorëve të huaj ishin
të ndaluara. Ato pak vepra që viheshin
në skenë nga ky repertor përktheheshin
në shqip, duke i hequr edhe pjesë thelbësore.
Kujton vënien e "Kavaleria Rustikana"
në Teatrin e Operës, kur këngët
religjioze u hoqën sepse nuk lejohej të
këndoheshin në atë kohë. Turku kujton
se kontaktet e para me kompozitorë të
huaj kanë qenë në një cep të bibliotekës
së Liceut Artistik, mes një grumbulli
librash që ishin nxjerrë nga rafti për
t‘u hedhur. "Fillimet e mia si dirigjente
i kam me korin e vajzave në Liceun
Artistik, ku u caktova të bëja stazhin,
pasi kisha mbaruar Institutin e Lartë
të Arteve. Kam punuar shumë vepra
shqiptare. Atëherë s‘të lejonin të këndoje
në gjuhë të huaj. Kompozitorë të tillë
si Çesk Zadeja, Feim Ibrahimi, Nikolla
Zoraqi, Shpëtim Kushta, Tonin Harapi,
Limoz Dizdari, kanë shkruar apostafat
për korin e vajzave. Gjatë orëve të pushimit,
shkoja në bibliotekën e Liceut.
Një ditë, në një cep shoh në tokë një
raft me libra që i kishin hedhur. Aty kam
marrë shumë partitura, materiale të
një autori rus, i cili pasi kishte punuar
35 vjet si dirigjent kori, kishte shkruar
gjithë eksperiencën e tij, mënyrën se
si punonte me korin. Kontaktet e mia
me dirigjentë të huaj i kam filluar në
vitet ‘76-‘77, kur i përktheja nga rusishtja.
Mua më kanë vlejtur shumë ato
materiale. Pastaj më kanë ndihmuar
edhe profesorët e mi. Profesor Ramadan
Sokoli ka qenë i pari që më ka dhuruar
partitura vokale, ndërsa profesor Trako
më vuri në dispozicion gjithë literaturën
e vet", tregon ajo. Emërimin në
‘83-shin në Teatrin e Operës e quan një
fat të madh. Kujton se ishte e re, dhe në
Teatrin e Operës kishte kërkesa shumë
të larta, si i vetmi teatër opere, e vetmja
trupë profesioniste. "Ishte fat, por kisha
edhe një përgjegjësi të madhe. Fillova të
punoj me repertorin ekzistues, sepse të
gjithë koristët ishin të përgatitur, e dinin
repertorin përmendësh. M‘u desh të punoja
shumë. Unë e shoh të qartë fundin
se ku dua të arrij dhe pikëpyetjet i kam
bërë nëse mund të arrihej më e mira. Kur
e marr një vepër, mendoj që ta interpretoj
me çdo hollësi. Unë dua që ata të cilët
unë i drejtoj në skenë të kënaqen edhe
vetë, të ndjehen të mbushur shpirtërisht
në përfundim të interpretimit. Kjo
reflekton emocion edhe te spektatori".
Vitet pas ‘90-ës sollën një tjetër etapë
në jetën e saj artistike. Iu dha mundësia
për një sërë specializimesh në Francë,
Amerikë, Norvegji, Rumani, Gjermani
dhe për anëtarësim në forumet më të
larta muzikore botërore. Deri në 2012-
ën përfaqëson Shqipërinë si anëtare
e bordit drejtues të Forumit të Koreve
Olimpike, një takim i çdo 2 vjetshëm i
koreve nga të gjitha vendet e botës. Do
të vazhdonte në Teatrin e Operës deri në
vitin 2000, kur do të pushohej. Më pas do
të punonte si pedagoge në Akademinë e
Arteve. Ajo shprehet se vetëm atëherë e
ka kuptuar se sa shumë të rinj studionin
në Akademinë e Arteve. "Në ndryshim
nga koha jonë, sot shteti u jep mundësi
të shkollohen. Më tej duhet të kenë
vullnet të gjejnë mundësitë brenda apo
jashtë Shqipërisë për t‘u rritur si artistë",
shprehet Turku. Ajo sot është edhe në
një post drejtues. Shprehet se e ka pranuar
për të dhënë një kontribut nga vitet
e gjata si artiste. "Unë mbetem gjithnjë
artiste. Në pozicionin që kam sot i shërbej
komunitetit artistik me të cilin jam
rritur, kam punuar, njoh të gjitha problemet.
Jam e nderuar që jam në këtë post.
Sekreti i suksesit është marrëdhënia, ajo
çfarë komunikimi krijon me masën që
drejton. Përvoja si dirigjente më ka ndihmuar
në këtë drejtim. Ndërsa sukseset e
mia këtu janë pjesë e drejtimit të kësaj
ministrie. Është një ministri që përfshin
katër fusha: turizëm, kulturë, rini dhe
sport. Katër fusha të dukshme ku është
punuar shumë. Vetëm këtë vit ne kemi
pasur një bum të madh turistik dhe kjo
është realizuar në sajë të një kujdesi të
jashtëzakonshëm për promovimin e tij.
Me të njëjtin seriozitet punohet dhe për
fushat e tjera dhe besoj se rezultatet janë
të dukshme", përfundon Turku, e cila
shprehet se nuk do t‘i ndahet skenës
edhe pse mund t‘i jenë rezervuar sfida
të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›