Svoboda-Schultz: Duhet transparencë
Kreu i socialistëve: Kthehemi në Kuvend sapo të pranohet hetimi, përfshirë kutitë
Dy drejtuesit kryesorë të grupit të socialdemokratëve në Parlamentin Europian, Martin Shultz dhe Hanes Svoboda, mbështesin Partinë Socialiste në kërkesën e saj për hetimin e plotë të zgjedhjeve duke përfshirë këtu edhe hapjen e kutive. Në njoftimin për shtyp të publikuar edhe në faqen zyrtare të internetit të socialdemokratëve europianë, konfirmohet takimi mes Martin Shultz dhe kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Sipas këtij njoftimi, z.Schultz shprehu shqetësimin e grupit të tij rreth bojkotit të Kuvendit të Shqipërisë nga përfaqësuesit e PSSH pas zgjedhjeve parlamentare në vend në qershor 2009. Z.Rama nga ana e tij shpjegoi arsyet për këtë bojkot dhe kërkesat e partisë së tij për një transparencë më të madhe të procesit zgjedhor në Shqipëri. Ai gjithashtu sqaroi se partia e tij pranon vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pas zgjedhjeve dhe se nuk është objektivi i partisë së tij ndryshimi i rezultatit të zgjedhjeve. Partia Socialiste, megjithatë, kërkon ngritjen e një komisioni hetimor me qëllim ushtrimin e një hetimi të plotë për manipulimet e mundshme përgjatë zgjedhjeve të vitit 2009 që mundëson përmirësimin e proceseve zgjedhore në të ardhmen. Z.Rama deklaroi se kur një vendim për një hetim të plotë të jetë marrë, atëherë anëtarët e partisë kryesore të opozitës do të marrin përgjegjësitë e tyre në Parlament dhe të kontribuojnë për ecurinë e procesit të integrimit europian. Z.Schultz dhe z.Rama ranë dakord që një rrugëdalje për krizën politike aktuale në Shqipëri duhet të gjendet urgjentisht dhe se një bazë e re dialogu konstruktiv ndërmjet qeverisë dhe opozitës duhet të vendoset. Për këtë qëllim u ra dakord që opozita të kthehet në Parlament në të njëjtin moment, pasi të jetë marrë një vendim për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, i cili do të ushtrojë një hetim të plotë, përfshirë hapjen e kutive të votimit, mbi mënyrën se si u mbajtën zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Ekspertë ndërkombëtarë duhet të asistojnë komisionin hetimor në përmbushjen e punës së tij dhe duhet gjithashtu të asistojnë në përcaktimin e përmirësimeve të nevojshme të kuadrit zgjedhor. Z.Schultz dhe Z.Rama e konsideruan iniciativën e marrë nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë si një hap serioz dhe i nevojshëm drejt gjetjes së një zgjidhjeje për krizën politike në vend. Ndërkohë, në takimin me Hanes Svoboda u vu theksi te detyrimi që ka qeveria për t’i dhënë zgjidhje krizës. “Qeveria duhet të veprojë dhe të thotë, dakord, le të kemi transparencë të plotë. Ne si qeveri e pranojmë që opozita e njeh rezultatin e zgjedhjeve. Kjo është vendosur dhe këtë e ka thënë dhe gjykata. Por në të njëjtën kohë qeveria duhet të jetë e gatshme të tregohet e hapur dhe transparente, duke përfshirë dhe transparencën e kutive, të kutive të votimit, sepse kjo do të tregonte realisht se kush ka të drejtë kur thotë që ka pasur hile apo nuk ka pasur fare hile”, tha ai. Kryetari i Partisë Socialiste ka takuar eurodeputetin e grupit të djathtë të PE, Eduard Kukan, Kryetar i Delegacionit për Marrëdhëniet me Europën Juglindore. Eurodeputeti Kukan ka zëvendësuar Doris Pack në këtë delegacion. Edhe gjatë këtij takimi, Rama u shpreh se PS kërkon transparencë dhe jo pushtet në tavolinë.
#