E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, konfirmohet skandali i eshtrave

Gazeta “Shqip” siguron dokumentet. Ja emrat e dëshmorëve “të vjedhur”
Nga depoja e varrezave të dëshmorëve në Lushnjë janë vjedhur 21 skelete njerëzish. Shifra saktësohet nga kreu i Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Lushnjës, Vangjel Bello.
I prekur thellë nga ajo që ka ndodhur dhe i vënë në pozitë të vështirë përballë familjeve të dëshmorëve tashmë “të zhdukur”, burri 70-vjeçar thotë se autoritetet shtetërore janë përgjegjëse për këtë vjedhje të paprecedentë, pasi u kanë lënë dorë të lirë vjedhësve.
Bello, i cili prej 4 vjetësh drejton Organizatën e Dëshmorëve të Lushnjës, njeh të gjithë dëshmorët e rrethit, edhe sepse ai u ka kushtuar atyre një libër. Bello njeh gjithashtu në detaje edhe vjedhjen e eshtrave të 19 burrave dhe dy grave, të rënë në luftë për mbrojtjen e atdheut. Historia e bastisjes së muzeut të varrezave të dëshmorëve, sipas kryetarit të organizatës, e ka zanafillën në vitin 2003, ndërkohë që skandali ka ndodhur vetëm pak ditë më parë, kur 21 partizanëve u janë marrë arkëmortet ku kishin mbetjet e fundit të trupave.
Emrat e 21 partizanëve, që “të vjedhur” ndodhen në një listë të Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Rrethit, ndërkohë që në bashkinë e qytetit nuk ka asnjë gjurmë të emrave dhe aq më shumë të eshtrave.
Sipas Vangjel Bellos, në vitin 2003 rreth 30 dëshmorë, kryesisht partizanë, janë zhvarrosur nga disa fshatra të Lushnjës dhe janë çuar pranë muzeut të varrezave të dëshmorëve në qytet. Zhvarrosja është kryer me qëllim përqendrimin e të gjithë dëshmorëve të rrethit në të njëjtin vend.
Deri në vitin 2006, kur në krye të Organizatës së Familjeve të Dëshmorëve të Lushnjës është vendosur Vangjel Bello, eshtrat e 30 dëshmorëve kanë qenë në muze. Pas këtij viti nisi procesi i rivarrimit së tyre.
"Për shumë vite, edhe pse kërkesa jonë ishte nderimi i këtyre të rënëve, duke i varrosur dhe jo duke i mbajtur në muze, nuk u realizua. Vetëm nëntë dëshmorë mundën të zinin vend në varrezën e dëshmorëve, ndërsa 21 të tjerë ishin në pritje. Kjo pritje e tyre ka vazhduar deri në fillim të muajit shkurt”, tregon për “Shqip” Vangjel Bello.
Sipas tij, 21 dëshmorët mbetën pa varr, për shkak të mungesës së hapësirave në varrezat e dëshmorëve. Disa herë Organizata e Familjeve të Dëshmorëve dhe Shoqata e Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare e Lushnjës i është drejtuar bashkisë së qytetit për të realizuar ceremoninë mortore të dëshmorëve që prisnin vend të lirë.
"Bashkia, më 4 nëntor të vitit 2009, ka akorduar një fond prej 400 mijë lekësh të reja për rivarrosjen e dëshmorëve që prisnin, si edhe kryerjen e ceremonisë për këtë eveniment. Finalizimi i gjithë kësaj ishte lënë që të bëhej më datë 29 nëntor 2009. Por asgjë nuk u bë dhe për pasojë për disa javë nuk u interesua më asnjë njeri për muzeun dhe fatin e eshtrave", thotë Vangjel Bello.
Mungesa e eshtrave të 21 dëshmorëve u konstatua vetëm në fillim të kësaj jave. Vjedhja e muzeut të varrezave ka nxjerrë edhe skandalin e eshtrave. Persona të panjohur kanë thyer xhamin e një prej dritareve të muzeut dhe pasi kanë hyrë brenda dhomës muze kanë marrë prej andej ç’kanë mundur. Më pas kanë shqyer edhe derën, duke marrë edhe eshtrat e të rënëve që prisnin për një varr. Pjesë të xhamave dhe të dërrasave të arkëmorteve ku qëndronin eshtrat janë gjetur si provë materiale edhe nga policia lokale, e cila është njoftuar për këtë vjedhje nga Organizata e Familjeve të Dëshmorëve, si dhe nga shoqata e veteranëve të LANç-it. Sot, në dhomën muze, të vetmet sende që kanë mbetur janë një kasafortë e hekurt me derë të hapur, një dollap dërrase pothuajse i shqyer dhe disa kurora me lule të lëna në një cep. Dera prej dërrase ka ditë që është hequr dhe vetëm një portë me shufra hekuri e “mbyll” prej tri ditësh muzeun e varrezave të dëshmorëve, si edhe depon e tij.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›