Swansea në zemër

Swansea City përherë do të mbetet në mendjen e Shefki Kuqit, edhe pse ai të enjten e shkëputi para kohe kontratën me këtë skuadër.
Trajneri i skuadrës angleze, Brendan Rodgers nuk i jepte hapësirë të mjaftueshme për të luajtur futbollistit kosovar, i cili vendosi të largohet nga ky ekip me pajtueshmëri të dyanshme. Thuhet se Kuqi pritet të kalojë në Derby County, që garon në Championship ose në Huddersfield Town - anëtar i Ligës së Tretë angleze.
Megjithatë, ish sulmuesi i përfaqësueses së Finlandës thotë se do të mbetet përherë tifoz i ekipit që udhëhiqet nga Rodgers, pavarësisht se për cilën skuadër do të luajë në të ardhmen.
Gjatë qëndrimit në Swansea City, Kuqi kujton se ishte sprovuar me shumëçka. Por, ai veçon vdekjen e Besian Idrizaj, që e kishte shqetësuar jashtëzakonisht shumë, ndërsa lindja e vajzës së tij ishte gëzimi më i madh për të gjatë qëndrimit në këtë klub.
“Ky do të jetë vend i paharrueshëm për mua, sepse këtu më ndodhën dy ngjarje që nuk harrohen”, ka theksuar Kuqi.
Ai kujton se ngjarjen më të hidhur gjatë qëndrimit të tij në Swansea City e ka përjetuar në muajin maj të vitit të kaluar, kur bashkëlojtari i tij, kosovari Besian Idrizaj kishte ndërruar jetë në moshën 22 vjeç, pas një sulmi në zemër.
“Gjëja më e rëndë që më ka ndodhur ishte vdekja e mikut timin, vëllait tim, Besianit. Kjo ishte një humbje e madhe për mua. Isha në varrimin e tij dhe e kisha shumë të vështirë të mos shqetësohesha, kur e dija se atë e kam humbur përgjithmonë. Vështirë e kisha edhe të kthehesha në Swansea, kur kujtoja se Besianin nuk do ta gjej këtu”, ka thënë Kuqi.
“Kisha shumë plane për ta ndihmuar atë në këtë sezon, por jo gjithherë punët shkojnë sipas planit. Kudo që shkoj, çfarëdo që bëj, Besianin e kam në mendje dhe gjithmonë për të flas me gruan time”, ka shtuar ai.
Ndërsa, gëzimin më të madh gjatë qëndrimit në Swansea City, 34 vjeçari e kishte pasur atëherë kur ishte bërë baba.
“Gjëja më e mirë që e kam përjetuar këtu ishte lindja e fëmijës tim të parë. Vajza ime ka lindur këtu në Swansea dhe ajo është një fëmijë shumë i lumtur”, ka theksuar Kuqi.
Andaj, ai thotë se kurrë nuk do ta harrojë Swansea City, ku ishte sfiduar me shumëçka.
“Sinqerisht, nga thellësia e zemrës sime, Swanseas i uroj të gjitha të mirat. I uroj shumë, shumë të mira. Unë tani s’do të mund ta ndihmoj më këtë ekip, i cili shpresoj që t’i arrijë objektivat. Kam kaluar një periudhë të paharruar aty”, tha Kuqi i cili ka treguar se e kishte mjaft të vështirë të ndahej nga kjo skuadër.
Por, sulmuesi ka pohuar se nuk kishte zgjidhje tjetër, sepse dëshiron ta gjejë një ekip të ri, ku do të ketë hapësirë më të madhe për të luajtur.