E Shtunë, 31 Tetor 2026

Periudhë e rrezikshme për Lindjen e Mesme

Nga Express më 29 janar 2011 në ora 19:13

Protestat, si ato përmes të cilave u rrëzua qeveria tuniziane, po zgjerohen në Lindjen e Mesme. Demonstrata të mëdha rrugore kanë kapluar tashmë Egjiptin, Jordaninë dhe Jemenin. Një lëvizje tillë nuk duket të ketë një organizim të mirëfilltë prapa - e tëra më shumë i ngjanë një turme.

Megjithatë, të gjitha ngjarjet kanë një sensibilitet të përbashkët – pritjet në rritje të brezit të ri, i cili tani ka rastin që në Internet të shoh ndryshimet globale, dhe në këtë mënyrë të lirohet nga frika prej liderëve autokratë dhe të korruptuar.

"Mendoj se kjo është një gjë e vonuar", thotë për gazetën ‘The Washington Post’ gazetari saudit, Jamal Kashogi, lidhur me ngjarjet në Egjipt.

"Arsyet për zemërimin e njerëzve ekzistonin edhe 10-20 vjet më parë. Bota arabe në 100 vitet e fundit anon kah njëlloj renesance, megjithëse gjeneratat e fundit të saj u bllokuan plotësisht, ngase ishin mbërthyer mes frikës nga regjimet autoritare dhe zemërimit të nxitur nga korrupsioni i tyre”, sqaroi Kashogi.

A do të ndjekë Egjipti rrugën e Tunizisë

Analisti i Radios Evropa e Lirë, Mardi Soghom, mendon se, përkundër përshtypjes që e kanë krijuar fundamentalistët islamikë gjatë dekadës së fundit, shumica e arabëve të rinj nuk dëshirojnë të jetojnë në kushte mesjetare, të izoluar e të kufizuar, dhe nën dominimin e fesë.

"Ata synojnë të jenë të arsimuar, të kënaqen brenda një shoqërie mobile, të kenë një shpresë të arsyeshme për një të ardhme më të mirë, të kenë një ndjenjë të vetëbesimit, dhe të trajtohen me dinjitet. Shumica e arabëve të rinj dëshirojnë një modernizim dhe një ekonomi të fuqishme, e cila do t’iu siguronte punësim, vetura të mira dhe një jetë shoqërore me shumë pak kufizime – pra, diçka ngjashëm me jetën perëndimore”, thotë Soghom.

Ai konsideron se modernizimi i pjesshëm që ndodhi në njëqind vitet e fundit asnjëherë nuk i mundësoi botës arabe që t’i afrohet Perëndimit.

Megjithatë, ky modernizim i ushqeu aspiratat e të rinjve, për plotësimin e të cilave nuk kishte mundësi.

"Kjo kontradiktë dhe presioni i krijuar, pastaj shkaktuan një kundër-reagim ndaj modernizimit dhe tendencës për pranimin e stilit perëndimor të jetës, por edhe shfaqjen e fundamentalizmit islamik - si manifestimin më të dukshëm të kësaj rezistence.

Megjithatë, vetëm një numër i vogël i arabëve të rinj iu bashkëngjit kësaj vale të fundamentalizmit. Shumica absolute ende me i shikon me zili kushtet e jetesës së të rinjve të shteteve moderne”, pohon Soghom.

Ndikimi në rezultat

Joe Saadi, nga kompania konsulente Booz-Allen, vlerëson se Tunizia, Egjipti, Jemeni dhe Jordania janë "shtete të paqëndrueshme”, ekonomitë e të cilave nuk mund të rriten me shpejtësi të mjaftueshme për të përmbushur kërkesat në rritje të popullatës gjithnjë e më të madhe të të rinjve. Ai konsideron se Egjiptit, në vend të pesë përqind të tijes ekonomike aktuale i duhet një rritje si ajo e Indisë – plot tetë përqind.
Regjimi Mubarak’ut në Egjipt në njëfarë mase i ka toleruar dallimet politike. Mirëpo, reagimi i dhunshëm i autoriteteve në ditët e fundit e ka radikalizuar opozitën, përderisa tregu financiar ka reaguar me panik, duke ulur vlerat e aksioneve dhe kuotën e valutës vendore.

"Mubarak mund të ruaj pushtetin, nëse ushtria do të jetë e gatshme që të shtijë ndaj demonstruesve", thotë Saadi.

"Mirëpo, duket se ai për ditë e më tepër po e humbet legjitimitetin, ndërkohë që një qeveri që do ta zëvendësonte, me gjasë do të ishte edhe më radikale".

Grupi më i fuqishëm opozitar, Vëllazëria Myslimane, u bëri thirrje mbështetësve që, pas faljes së xhumasë, të dilnin nëpër rrugë. Mirëpo, kleriku mysliman, Abu Omar, i tha gazetës ‘The New York Times’, se shumë myslimanë konservatorë nuk do t’i mbështesin politikanët laik, të llojit të Mohamed ElBaradei, fitues i Çmimit Nobel për Paqe, dhe kreu i deri paradokohshëm i Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Atomike.

"ElBaradei dhe të tjerët s’kanë asnjë lidhje me religjionin. Nëse shkon Hosni Mubarak, atë do ta zëvendësojë dikush i ngjashëm me të", tha Abu Omar, i cili u bë i famshëm kur u zbulua se ishte rrëmbyer nga CIA në Milano, në vitin 2003.

Edhe në kryeqytetin e Jemenit, Saana, u protestua të enjten. Rreth 16,000 protestues kërkuan dorëheqjen e presidentit, Ali Abdullah Saleh, i cili tash 32 vjet udhëheq me vendin.

Jemeni është një ndër shtetet më të varfra në Lindjen e Mesme, megjithëse me më së shumti armatim. Atje veprojnë disa lëvizje separatiste, ndërkohë që një degë të saj shumë të fuqishme e posedon edhe Al-Qaeda.

"Jemen është rasti tjetër”, thotë për ‘The Washington Post’ Hairy Abaza, ekspert për Lindjen e Mesme nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracisë, në Washington.
"Nëse gjërat dalin jashtë kontrollit, shumë aktorë do të synojnë të ndikojnë në rezultat, që nga Al-Qaeda e deri tek Irani”, thotë Abaza.

Po ashtu, Jemeni do të mund të futej në konflikte fisnore, ose të shndërrohej në një shtet dështuar si Somalia, gjegjësisht të bëhej një vendstrehim i grupeve terroriste dhe i udhëheqësve të luftës.

Revolucioni është tërheqës në fillim

Islamistët nuk mund të gjejnë pikëmbështetje edhe në shtetet tjera, edhe pse shumica e ekspertëve besojnë se ka pak gjasa që të dominojnë në qeverive e reja eventuale të Egjiptit ose Tunizisë.

"Ajo që ka ndodhur në Iran, nuk do të përsëritet në shtetet tjera", thotë John Entelis, drejtor i programit për Lindjen e Mesme në Fordham University.

"Por, unë nuk shoh se si posti i Mubarak ose qeveria e Saleh do t’ia dilnin pa një pjesëmarrje të dukshme të faktorit islamik", thotë Entelis.

Libani është edhe një tjetër e panjohur, kjo për shkak të qeverisë së kryeministrit Najib Mikati, e dominuar nga milicia shiite e Hezbollahut. Arabia Saudite, Shtetet e Bashkuara dhe Franca dështuan në parandalimin e një rezultati të tillë.

Duket se këto shtete tani e lanë Libanin që të "vlojë" brenda kaosit të tij politik dhe borxheve të jashtme. Mikati mbase mund të synojë arritjen e një rruge të mesme, e cila gjë, fundja, është tipike për politikën libaneze.

Mirëpo, një ministër i jashtëm arab deklaroi privatisht se ajo nga e cila frikësohet shumëkush është dalja nga qorrsokaku në raport me Hezbollahun dhe armiqtë e tij, ngase gjasat janë që ata mund të shkojnë vetëm drejt një lufte të re.

Megjithëse administrata e Obamës simbolikisht i përkrah aspiratat e demonstruesve pro-demokracisë, zyrtarët në Washington, por edhe ekspertë të sigurisë, e pranojnë se janë shumë të shqetësuar me mënyrën se si dfo të zhvillohet situata, marrë parasysh rëniet e mundur të qeverive dhe tronditjet me të cilat do të mund të ekspozoheshin shoqëritë, që nga Libani e deri në Afrikën e Veriut.

Përveç në raste të caktuara, në këto vende për dekada me radhë sundojnë qeveri autokrate, të privuara nga traditat, përvojat dhe infrastrukturat politike, të nevojshme për krijimin e një qeverie të re dhe të qëndrueshme.

E vetmja gjë e qartë, thonë ekspertët, është pasiguria – sepse, një periudhë të zgjatur dhe potencialisht e rrezikshme dhe jostabile, me gjasë sapo ka filluar”, shkruan ‘The Washington Post’.

"Ngjarjet në Tunizi janë të paprecedent në botën arabe", thekson Bruce Riedel, një ish-zyrtar i CIA’s që ishte këshilltar special për Lindjen e Mesme dhe Azinë Jugore gjatë mandatit të tre presidentëve amerikanë.

"Kurrë një diktator nuk është rrëzuar përmes protestave në rrugë. Si pasojë, nuk ekziston një rrjet sigurie, dhe nuk ka asnjë opozitë të organizuar dhe të gatshme për të marrë përgjegjësi... Askush nuk ka asnjë indice se çka do të mund të rezultonte në disa prej këtyre shteteve", tha Riedel.

Riedel thotë se për shkak të pasigurisë, në kombinim me shpejtësinë e ndryshimit, administrata Obama po përballet me shumë me shumë sfida të vështira, sepse po synon të tregojë mbështetjen e saj ndaj aspiratave demokratike, dhe në të njëjtën kohë synon të ruaj stabilitetin dhe të parandalojë dhunën. Shikuar historikisht, qeveritë amerikane "kurrë i kanë zgjidhur këto çështje në mënyrë të duhur", vlerëson Riedel për ‘The Washington Post’.

Megjithatë, ekspertët vlerësojnë se, të paktën në Tunizi, ku popullata është e arsimuar dhe relativisht e pasur, mund të formohet një qeveri relativisht e qëndrueshme, madje edhe demokratike. Perspektiva të tilla janë më pak të mundshme në Egjipt, Liban dhe Jemen.

Historia na mëson se revolucionet janë tërheqëse në fillim, atëherë kur liria ndjehet në ajër dhe kur duket se kryengritja është spontane. Mirëpo, që nga Revolucioni Francez dhe Revolucioni i Tetorit, e deri te ai revolta në Iran, në vitin 1979, demonstruesit, në mënyrë idealiste por të paorganizuar, zakonisht tërhiqen para elitës manipuluese dhe revolucionare, konkludon gazeta ‘The Washington Post’. (RFE)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›