E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sydow: Edhe më shumë reforma

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga e ka pritur të mërkurën në takim Raportuesin e Komitetit për Çështje Politike të Këshillit të Evropës mbi situatën në Kosovë, Bjorn von Sydow, i cili vlerësoi se vendi jonë ka bërë hapa të rëndësishëm, por theksoi nevojën e reformave në fusha të ndryshme.

Gjatë takimit që u mbajt pa praninë e mediave, presidentja Jahjaga e ka njoftuar Sydow me zhvillimet në vend, me ç’rast ka theksuar faktin se Kosova synon përmbushjen e të gjitha standardeve për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale.

Përmes një komunikate të lëshuar për media nga Zyra e Presidencës bëhet e ditur se Jahjaga ka thënë se stabiliteti, demokracia dhe prosperiteti në gjithë rajonin janë vizion i qartë i Kosovës dhe se të gjitha vendet duhet të respektojnë dhe zbatojnë standardet evropiane.

Presidentja ka shtuar se mosmarrëveshjet në rajonin e Ballkanit duhet të zgjidhen përmes dialogut, respektimit të ndërsjellë dhe respektimit të integritetit territorial të secilit vend.

Në këtë rast, Jahjaga tha se Kosova si shtet qytetar dëshiron përfshirjen e të gjitha komuniteteve në ndërtimin e shoqërisë demokratike dhe se stabilizimi i gjendjes në veriun e Kosovës do të ndihmojë qytetarët serb atje. Ajo theksoi se barrikadat ose ndarja e Kosovës nuk janë rruga e integrimeve evropiane.

Ndërkaq raportuesi për Kosovën i Këshillit të Evropës, Bjorn von Sydow thuhet se ka shfaqur interesimin e tij për zhvillimet në Kosovë në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve.

Ai shtoi se Kosova ka një popullatë të re me potencial të madh dhe asaj i duhet zhvillim më i madh ekonomik. Sipas tij, Kosova deri tani ka bërë hapa të rëndësishëm, por theksoi nevojën e reformave në fusha të ndryshme.

Sydow shfaqi interesim edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjet praktike të interesit të përbashkët dhe vlerësoi se të dyja palët duhet të tregojnë më shumë përkushtim për të gjetur zgjidhje të përbashkëta.

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka caktuar Bjorn von Sydow për raportues për Kosovën, në sesionin e saj të rregullt, të mbajtur prej 3-7 tetor. Sidov ka ardhur dje për vizitë në Kosovë dhe përveç takimeve me krerët e shtetit, pritet të vizitojë edhe pjesën veriore të Mitrovicës.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›