Familjet e viktimave kërkojnë dënim të kriminelëve

Këto vlerësime janë dhënë gjatë forumit me temën “Rëndësia e gjykimeve për krime të luftës”, nga familjarët që kanë më të dashurit e tyre të vrarë e zhdukur në luftën e fundit. Përveç fjalëve lidhur me këtë çështje po qëndron e hapur edhe ekspozita “Bogujevci - histori vizuele”, nëpërmjet së cilës rikthehet kujtese për masakrat e forcave ushtarake dhe paramilitare serbe mbi popullatën civile shqiptare.
Familjarët që kanë shumë anëtarë të vrarë e humbur gjatë luftës kërkuan nga autoritetet vendimmarrëse të bëjnë përpjekje serioze ligjore që kriminelët e luftës të kapen dhe të trajtohen para gjykatave kompetente, në mënyrë që të marrin dënimin e merituar.
Anëtari i Familjes Gashi nga Suhareka, e cila kishte pësuar tragjedi familjare më 25 mars të vitit 1999, Bekim Gashi thotë se nuk është i kënaqur me punën e institucioneve të Kosovës karshi fatit të të pagjeturve si dhe dënimin e kriminelëve për masakrat e bëra mbi popullatën e pambrojtur.
“Andaj shtrohet pyetja apo bëjnë përpjekje institucionet vendore dhe ndërkombëtare në kurorëzimin e drejtësisë dhe zbardhjen përfundimtare të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së Kosovës, a është duke e brejtur faktorin vendor dhe atë ndërkombëtar barra e madhe e përgjegjësisë që ata janë ngarkuar dhe zotuar institucionalisht se do të zbardhet fati i viktimave të zhdukura, të vrara, të masakruara të kësaj lufte tejet barbare. Me këto pyetje pason përgjigja negative, e cila është jo, një JO e madhe dhe dëshpëruese”, ka thënë ai.
Gashi ka dhënë vërejtje për neglizhencën institucionale karshi kësaj çështje shumë të prekshme. Sipas tij, nëse nuk zbardhet e vërteta dhe kriminelet nuk marrin dënimin, atëherë krijohet e vërteta e verbër për identifikimin e fajtorit, duke e vënë Kosovën në pozitën e fajtorit dhe duke e favorizuar Serbinë e vënë atë në rolin e viktimës.
Pak më ndryshe nga familja Gashi qëndron familja Bogujevci, e cila në po të njëjtën kohë kishte pësuar tragjedi familjare, por që në njëfarë mënyrë plaga e tyre është fashitur deri diku, sepse kriminelet që ua vranë më të dashurit e familjes së tyre, tashmë janë vënë para drejtësisë.
Njëra nga të shpëtuarat e Familjes Bogujevci nga Podujeva prej masakrës, Saranda Bogujevci, tregon për rrugëtimin e saj të rrezikshëm vetëm që kriminelët të cilët kryen krime të dalin para drejtësisë. Ajo thotë se e kanë pasur vështirë që të shkojnë në Beograd për të dëshmuar, por këtë vendim e kishin marrë gjatë kohës sa ishin në Kanada me inicimin e shumë procedura që krimineli Dejan Demiroviq të gjykohet.
“Për gjithë familjen ka qenë një udhëtim i vështirë, por është diskutuar në mes baballarëve tanë dhe ne të gjithë së bashku kemi vendos se është shumë me rëndësi që të dëshmojmë. Ka pas arsye të ndryshme, njëra prej arsyeve që e kemi pa të rëndësishme është që anëtarët e familjes, jeta e anëtarëve të familjes që kanë vdekur ka qenë me vlerë dhe është bërë një padrejtësi shumë e madhe”, ka thënë ajo.
Ndërkaq në Galerinë e Arteve të Kosovës po qëndron e hapur një ekspozitë jo e zakontë, e cila përmban dëshmi vizuele me fotografi dhe video incizime, të cilat pasqyrojnë krimet e bëra nga forcat serbe ndaj këtyre familjeve. Dihet se gjatë muajit mars të vitit 1999, Familja Bogujevci nga Podujeva dhe ajo Gashi nga Suhareka humbën shumë anëtarë të familjes. Forcat serbe përveç që vranë meshkujt, nuk kursyen nga ekzekutimi edhe gratë e fëmijët.