E Shtunë, 31 Tetor 2026

Synimet e rehabilitimit historik

John Sutherland

Një anëtar shumë popullor i Parlamentit Skocez Aleks Xhonstone ka iniciuar një mocion që synon të bëjë një lloj rehabilitimi alla Richard III për Makbethin. Po sa i përket versionit të Shekspirit? Nëse e kam lexuar atë mirë, z. Xhonstone shkon shumë larg, kur fantazon për emërtimin e një parku për Makbethin, ku supozohet se monarku famëkeq ka rënë në betejë. Nëse Makbethi është kandidat për t’u rehabilituar, kush e ka radhën pas tij? Rasputini (kaq shumë i diskretituar). Neroni? Ky për 2000 vjet rresht ka patur një nam të keq. Në fakt, Riçardi III do t’i shkonte më shumë idesë së rehabilitimit sesa çdo i poshtër i tjetër që ka hyrë në histori. Ai ka qenë një njeri me aftësi të kufizuara. (në mënyrë të shkëlqyer skeleti na e vërteton këtë gjë po të shihet vertebra e fundit). Madje edhe kur Anthony Sher solli në skenë Riçardin III, ai kishte kaq shumë paterica saqë dukej më tepër si një dyqan i lëvizshëm protezash sesa si një monark. Pres me kërshëri, pas asaj që kemi zbuluar së fundmi, që të jetojmë aq gjatë sa të shohim një prodhim modern të Riçardit III, me heroin që rrotullohet në skenë në një karrocë të motorizuar invalidësh, duke thirrur në agoni: Go kart! (një karrocë për invalidë me katër rrota). Mbretërinë për një karrocë me katër rrota! Kemi madje edhe një pikturë të Riçardit në galerinë Kombëtare- edhe kjo e shkëlqyer-që është një imazh prodhuar nga rindërtimet e fundit laboratorike- mjekësore. Po të kthehemi mbas, në shekullin e 11-të, vihet re se portretizimi mbretëror nuk kishte ecur kaq shumë sa ato që zbulohen në tregimet dhe novelat e sotme. Po Makbethi si dukej vallë? Për të marrë përgjigje do më duhet të gërmoj, të nxjerr skeletin e tij dhe ta dërgoj kafkën e tij për ekzaminim, nëse vërtet jemi të interesuar që ta dimë këtë gjë. Nuk besoj se Xhonstone do ta dëshironte një gjë të tillë. Po a ka rëndësi kjo vallë? Nëse ju pëlqen historia shkoni në Bibliotekë apo te Profesor Google. Nëse ju pëlqen drama, kërkoni Shekspirin. Nuk është letërsia sekreti më i madh i ruajtur për të zbuluar nëse shkrimtari i madh u tregua shumë i padrejtë në portretizimin e tiranit gjakësor. Ai e nxiu Makbethin në mënyrë që të lajkatonte padronin e tij, Mbretin Xhejms. Sikurse na e thotë edhe edicioni i këndshëm informativ BBC CV, sa për të marrë lezetin e gjithë kësaj, historia e vërtetë e Makbethit ishte shumë më e mërzitshme dhe e ndryshme sesa ajo që Shekspiri i ofron audiencës. “Makbethi”, thotë BBC CV, “ishte një mbret i skocezëve, sundimi i të cilit u shenjua nga një qeverisje efiçente dhe promovim i Kristianizmit”. Por një rol kushtuar qeverisjes efiçente skoceze (një subjekt i dashur për Xhonstone dhe kolegët e tij) dyshoj se do të mbante bythët të ngulura në karrige deri në aktin e pestë. Unë dyshoj gjithsesi, se mocioni që po sillet në Parlamentin skocez ka arsye më të holla se thjesht për të rishikuar historinë. Në tragjedinë në fjalë, anglezët janë miqtë në nevojë të skocezëve. Malcolmi e rimerr fronin me ndihmën e ushtrisë saksone. Makbethi sipas Shekspirit, i vështruar objektivisht është një nxitës këmbëngulës për bashkimin e të dy mbretërive. Ishte pikërisht për mbretin Xhejms VI, sovrani i parë i Skocisë dhe Anglisë që Shekspiri shkroi tragjedinë e vet. Ka pra dy arsye që ne të vijojmë të nderojmë dhe respektojmë versionin e Shekspirit: është një tragjedi e madhe dhe udhëhiqet nga një politikë e mirë. Është natyrisht një histori e tmerrshme, po çfarë pastaj?

Marrë nga “The Guardian” / Titulli është redaksional


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›