Fokus/Përmirësohen parashikimet për konjunkturën ekonomike të Gjermanisë më 2013-n
Si po ecën biznesi? Këtë askush nuk mund ta dijë më mirë se vetë sipërmarrjet. Një anketim tregon se sipërmarrjet gjermane e shohin me optimizëm vitin 2013. Pjesa më e madhe e sipërmarrjeve gjermane nuk kanë arsye për t’u ankuar. Ky është rezultati i një anketimi aktual për koniunkturën, i kryer në fillim të këtij viti nga Shoqata e Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë në Gjermani (DIHK), me rreth 28.000 sipërmarrës. Veçanërisht mirë i kanë punët sektori i ndërtimit, ai i shërbimeve të informatikës, sigurimeve, konsulencave për sipërmarrjet, restorantet, hotelet dhe në përgjithësi sektori i udhëtimeve dhe kohës së lirë. Përmirësim të ndjeshëm presin edhe industria kimike dhe farmaceutike. "Kriza e borxheve nuk i ndikon më aq fort sa më parë parashikimet, ndonëse pasiguria tek sipërmarrjet nuk është zhdukur plotësisht", thotë Martin Wansleben, drejtor i DIHK. "Vlerësimet e sipërmarrjeve tregojnë megjithatë se ato presin që ekonomia të shënojë rritje gjatë vitit". Ashtu siç ishte parashikuar në vjeshtë 2012, Shoqata e Dhomave të Industrisë dhe Tregtisë pret për vitin në vijim një rritje ekonomike prej 0,7 për qind. Viti 2013 ka premisa të jetë një vit i mirë për koniunkturën, thotë Wansleben. Punësimi vazhdon të shënojë rritje me një mesatare vjetore prej 150.000 vendesh të reja pune. Frikërat për biznesin me eksportin nuk janë vërtetuar. Por natyrisht ka edhe sektorë, në të cilët ende nuk vihet re tendenca pozitive. Kështu në industrinë metalurgjike, ndërtimet nëntokësore, lundrimet, tregtinë e autoveturave dhe shtëpitë botuese vazhdojnë vështirësitë. Këto mund të ashpërsohen nëse edhe në Gjermani do të ketë probleme me kreditimin e ekonomisë. Martin Wansleben paralajmëron në këtë kontekst për rregullimin e tepruar të tregjeve financiare. Vetëm në nivel të BE-së ekzistojnë aktualisht 15 projekte të tilla, dhe atyre u shtohet edhe unioni bankar. Në sistemin e planifikuar të ndarjes së biznesit bankar dhe me taksën për transaksionet financiare, në Evropë rrezikon të krijohet një "patchwork" ligjesh dhe rregullash. "Diskutimi aktual ka të bëjë kryesisht me sasinë e madhe të parave në qarkullim. Këto rregulla kanë si synim ta përmirësojnë këtë situatë. Pra sasia e tepruar e parasë duhet të pakësohet, dhe kjo është pozitive pasi përbën një fenomen të krizës. Në të njëjtën kohë hapësira e veprimit për bankat do të zvogëlohet", shprehet Wansleben. Konkurrenca për kapitalin bazë do ta bëjë atë më të shtrenjtë dhe kështu do të rriten edhe normat e interesit që duhen paguar për kreditë. "Këtë nuk e presim të ndodhë nesër, por do të ndodhë me siguri brenda një intervali kohor prej pesë deri dhjetë vjetësh". Më pak dramatike vlerëson Shoqata e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë zhvillimin gjendjen në tregun monetar. Që prej muajit nëntor jeni ka humbur 15 për qind kundrejt euros. Por për sipërmarrjet gjermane nuk ka rreziqe deri tani, thotë kryeekonomisti i DIHK, Alexander Schumann. Eksportuesit nuk janë të shqetësuar aktualisht. Plot 40 për qind e eksporteve gjermane kanë destinacion eurozonën dhe këtu kursi i këmbimit nuk luan asnjë rol. "Sa i takon rreziqeve direkte duhet pasur parasysh se një euro e fortë ka edhe efekte pozitive pasi bëhen më të lira lëndët e para dhe energjia për shembull", thotë Schumann. Meqenëse sipërmarrjet gjermane janë të ndërthurura në zinxhirët ndërkombëtarë të livrimit të lëndëve të para, ato mund të kenë avantazhe nga ky zhvillim.
...