E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sytë kah Prishtina

Banorët e veriut kërkojnë që Qeveria e Kosovës ta shtrijë pushtetin edhe atje. Derisa kjo të ndodhë, Qeveria e Serbisë po financon ndërtimin e banesave për serbë. Komuna i mban me shpresa joshqiptarët në veri, pa pasur fuqi të ndërmarrë gjë. Nga Express më 22 korrik 2011 në ora 08:21

Lagjja e Boshnjakëve në veri të Mitrovicës po kolonizohet nëpërmjet ndërtimit të banesave shumëkatëshe nga ana e Qeverisë së Serbisë. Beogradi ka intensifikuar përpjekjet për blerjen e pronave të shqiptarëve me qëllim të spastrimit etnik, ndërkohë që UNMIK-u ka dalë sërish në skenë, në përpjekje për pengimin e shqiptarëve për t’i ndërtuar shtëpitë.

Kur në fillim të javës zyrtarë të UNMIK-ut i thanë Sebahate Selacit se duhet të ndalë ndërtimin e shtëpisë, derisa të marrë leje në zyrën e UNMIK-ut në veri, fqinjët e saj u mblodhën para shtëpisë, jo larg urës lindore mbi lumin Ibër.

Njëri ndër ta, Hasan Miftari, tha se ai dhe fqinj të tjerë nuk do të lejonin që shtëpia të shkatërrohet. “UNMIK-u dëshiron që të shkojmë te strukturat paralele dhe të bëjmë kërkesë për leje ndërtimi. Ne nuk do ta bëjmë kurrë këtë”, tha ai.
Selacit leje për ndërtimin e shtëpisë i dha Komuna e Mitrovicës, por ende nuk dihet nëse ajo mund ta vazhdojë punën pa problem.

Ndërkohë, strukturat paralele serbe, të cilat Prishtina i konsideron të paligjshme, kanë lëshuar leje ndërtimi për një ndërtesë të madhe. Shqiptarët janë të irrituar.
"Nëse Qeveria nuk do të na mbrojë ne dhe shtëpitë tona, si dhe nuk do ta heqë këtë ndërtesë që është e paligjshme dhe jo e jona, do ta shkatërrojmë atë dhe do të mbrojmë veten dhe pronën, sepse jetojmë këtu", tha Miftari për SETimes.

Banorët e veriut të Mitrovicës kërkojnë që Qeveria e Kosovës të shtrijë pushtetin edhe në këtë pjesë të vendit, ndërkaq në Lagjen e Boshnjakëve duan njësi speciale të Policisë së Kosovës.

Të mërkurën, kryetari i Komunës së Mitrovicës u tha atyre se serbët nga vendet e ndryshme të ish-Jugosllavisë, që janë duke ardhur për t’u vendosur në banesa në veri, shpejt do të kuptojnë se janë të tradhtuar nga Qeveria e Serbisë dhe do të ikin nga aty. “Në këto ndërtesa mund të mbesin ata që njohin dhe respektojnë ligjet e shtetit të Kosovës”, u tha atyre Kastrati.

Ai pranoi se Qeveria e Kosovës ka investuar më pak në lagjen Kodra e Minatorëve dhe në Lagjen e Boshnjakëve, mirëpo, sipas tij, në zonat tjera veriore të banuara me shqiptarë është investuar shumë.

Por, ndikimi i qeverisë kosovare në pjesën veriore të Kosovës është fare i vogël. Dragan Krstic, një gazetar serb në Mitrovicën veriore, ka thënë për SETimes se Prishtina nuk ka të drejtë të lëshojë dokumente dhe leje ndërtimi për veriun. Sipas tij, reagimi i shqiptarëve së fundi është ekzagjeruar, me qëllim që të provokohet konflikt.

"Për serbët, çdo vendim i marrë nga autoritetet shqiptare nuk është i vlefshëm. E njëjta gjë vlen edhe për lejet e ndërtimit. UNMIK po zbaton Rezolutën 1244 dhe shqiptarët që jetojnë në veri duhet të kuptojnë se vetëm dokumentet e lëshuara nga komuna në veri janë të vlefshme këtu", ka theksuar Krstic.

E një koleg i Krsticit, gazetari shqiptar Adnan Ibrahimi, vë në pikëpyetje neutralitetin e UNMIK-ut kur bëhet fjalë për Mitrovicën.

"Politika e tyre nuk është më e qartë dhe zyra rajonale nuk punon në përputhje me selinë e saj në Prishtinë. Zyra rajonale është e politizuar aq shumë sa nuk mund të bëjë punë neutrale këtu. Kjo bën që ata të përdorin standarde të dyfishta shumë herë ndaj shqiptarëve", ka thënë ai për SETimes.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›