Bashkë për imunitetin

Lideri i partisë më të madhe opozitare – LDK’së, Isa Mustafa, është pajtuar edhe një herë me Kryeministrin Hashim Thaçi.
Kësaj radhe Kryetari i Prishtinës e ka përkrahur vendimin e Qeverisë, e cila vendosi të mërkurën t`i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar imunitetin e zyrtarëve të lartë shtetërorë, duke përfshirë Presidenten, Kryeministrin, anëtarët e Qeverisë dhe deputetët.
Ky hap i ekzekutivit ka marrë përkrahje publike nga Kryetari i LDK’së.
“Unë mendoj që Qeveria ka bërë mirë që e ka shfrytëzuar një kompetencë të saj kushtetuese, e ka hequr nga rendi i ditës një çështje e cila filloi të bëhet problem politik për Kosovën”, ka deklaruar Mustafa të enjten.
Por, pse Isa Mustafa po e vlerëson të drejtë vendimin e Qeverisë?
“I kontribuon sqarimit të një neni të Kushtetutës, për të cilin edhe EULEX’i edhe të tjerët thanë që nuk është mjaft i qartë dhe mbetet tani në Gjykatën Kushtetuese që ajo ta japë mendimin, dhe natyrisht se mendimi i Gjykatës Kushtetuese do të jetë mendim i cili duhet të respektohet nga të gjitha instancat, edhe të drejtësisë, edhe të politikës”, ka shtuar Mustafa.
Me të njëjtën gjuhë sikur të Isa Mustafës ka folur edhe Shefi i Grupit Parlamentar të PDK’së, Adem Grabofci.
“Ne nuk shohim asnjë të keqe këtu, përkundrazi është edhe kërkesë edhe interes i të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësuesve institucionalë, që vërtet të dinë saktësisht se deri në çfarë mase shtrihet imuniteti i tyre. Jam shumë i sigurt se as deputetët as përfaqësuesit institucionalë nuk e kundërshtojnë një gjë të tillë dhe janë të vetëdijshëm që askush nuk mund të fshihet prapa imunitetit, dhe nuk ka të drejtë të bëjë shkelje ligjore, por ligji është i obligueshëm të respektohet për të gjithë pa marrë parasysh nivelin e përfaqësimit institucional”, ka thënë Grabofci.
Ky zyrtar i PDK’së ka thënë se sqarimi i çështjes së imunitetit nuk është shqetësim partiak, por është problem i ndërtimit edhe të raporteve me miqtë ndërkombëtarë.
Megjithëkëtë, EULEX kishte kërkuar të sqarohet imuniteti i deputetit të PDK’së, Fatmir Limaj, i cili ka një fletëarrest, por se zyrtarët e BE’së kanë thënë se sqarimi i imunitetit hap rrugë për të vepruar jo vetëm ndaj një personi.
Limaj, një ditë më parë, nuk ka dashur të komentojë vendimin e Qeverisë.
Ndryshe, Shefi i deputetëve të Partisë së Isa Mustafës e ka përkrahur nismën e Qeverisë.
“Për LDK-në do të jetë një vendim, i cili obligon ashtu siç jemi sjellë edhe më herët gjatë vendimeve që ka marrë po kjo Gjykatë Kushtetuese për çështje të ndryshme”, ka thënë Ismet Beqiri, Shef i deputetëve të LDK’së.
As partia tjetër më e zëshme opozitare, Vetëvendosje nuk ka dhënë deklarata të forta për vendimin e Qeverisë.
Kurse Glauk Konjufca nga Vetëvendosje e ka vlerësuar nisëm e Qeverisë, që, sipas tij, e ka ndalur lojën me Kuvendin e Kosovës.
Por, Vetëvendosje vazhdon të refuzojë nismat e institucioneve ndërkombëtare.
“Ajo për të cilën ne kemi kundërshtuar fort është ajo se në këtë çështje nuk ka pse të përzihet një instancë tjetër, përveç institucioneve të Kosovës, pra e kam fjalën për misionin e sundimit të ligjit, EULEX. Pra, EULEX-i nuk ka çka përzihet në këtë punë, as ICO-ja, është çështje ekskluzive e institucioneve të cilat ne më në fund duhet t’i bëjmë sovrane”, ka thënë Konjufca.
Edhe nënkryetari i Partisë së Ramush Haradinajt, Ahmet Isufi thotë se Qeveria është dashur në fillim të bënte një hap të tillë.
“Konsiderojmë se deri tani është luajtur pa nevojë me këto akte të larta të shtetit të Kosovës. Çështjet e kusuritjeve të tyre duhet të jenë çështje të brendshme të tyre, por kur është fjala për interesat publike të qytetarëve të Kosovës, duhet të zbatohen aktet në fuqi”, ka theksuar Isufi.
Megjithëkëtë, një ditë më herët edhe Kryetari i Kuvendi, Jakup Krasniqi e ka vlerësuar vendimin e Qeverisë, duke thënë se ekzekutivi kreu punën që i takon me kushtetutë.
Krasniqi, i cili refuzoi të nxjerrë një rezolutë për të udhëzuar Qeverinë për t`iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, e ka mbrojtur qëndrimin se veprimet e tij kanë qenë në mbrojtje të ligjshmërisë.
Kreu i Kuvendit është përballur me akuza të drejtpërdrejta nga Ambasadori amerikan në Kosovë, Christopher Dell, i cili e gjykoi veprimin e Krasniqit si konfrontim me miqtë ndërkombëtarë.
Ndërkaq, Shefi i Qeverisë, Hashim Thaçi, edhe pse kishte paralajmëruar se nuk do të përzihej në punët e legjislativit, në fund vendosi të kërkojë nga Gjykata sqarime për imunitetin edhe të udhëheqësve të tjerë të shtetit.