E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kondi - Roberts Jr, takim surprizë

Kreu i Gjykatës së Lartë shqiptare Thimio Kondi u prit nga John G. Roberts Jr, i Gjykates se Larte asaj amerikane, nje nga personazhet me karizmatike te gjyqesorit ne SHBA

TIRANË - Pikërisht kur po afron fundi i mandatit si kryetar i Gjykatës së Lartë, kryegjyqtari shqiptar, Thimio Kondi, kreu një takim të veçantë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me zotin John G. Roberts Jr, kryetar i Gjykatës së Lartë Amerikane. Roberts i rezervoi homologut të tij Kondi dhe gjyqtarëve që e shoqëronin një pritje shumë të përzemërt dhe miqësore. Kreu i Gjykatës së Lartë të vendit tonë, Thimio Kondi, e konsideroi këtë takim si një nder dhe privilegj të veçantë dhe i shprehu homologut të tij, Roberts, falënderimet më të përzemërta dhe mirënjohjen më të thellë. Më tej, Kondi e informoi atë gjerësisht për arritjet dhe sfidat e gjyqësorit shqiptar në përpjekjet për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe për arritjen e standardeve të përparuara perëndimore, për një drejtësi të pavarur e me integritet të lartë. Në këtë takim, kreu i Gjykatës së Lartë, Kondi, i cili është në përfundim të mandatit të tij 9-vjeçar si numri një i kësaj gjykate, mori përgëzimet dhe vlerësimet më të larta për drejtimin me kompetencë dhe profesionalizëm të Gjykatës së Lartë dhe për kontributin e tij të veçantë në reformimin e gjyqësorit shqiptar. Kryetari i Gjykatës së Lartë të SHBA-ve u shpreh ndër të tjera, se i ka ndjekur dhe po i ndjek vazhdimisht me vëmendje e interes të veçantë arritjet në procesin e reformimit të mëtejshëm të gjyqësorit shqiptar dhe shprehu mbështetjen e tij dhe të gjyqësorit amerikan në këtë drejtim. Ai u shpreh se dëshiron e shpreson që Shqipëria të bëhet me arritjet e saj shembull e model edhe për vendet e tjera të rajonit. Zoti Roberts ndërkohë, mësohet se e priti me kënaqësi të veçantë ftesën për të vizituar Shqipërinë dhe premtoi realizimin e saj sa më të shpejt që të jetë e mundur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›