Rikthehet Covid-19 në Kukës, mjekët thirrje qytetarëve: Nëse keni simptoma, paraqituni në spital

Lëvizjet e shtuara dhe sezoni turistik ka rikthyer rastet e të prekurve me COVID-19 në Kukës. Shefi i urgjencës në spitalin e Kukësit, Jemin Ferati, tregon se nuk ka një shifër të saktë të të prekurve, pasi simptomat janë të ngjashme me virozat e tjera të stinës.
“Kohët e fundit ka filluar edhe të rritet fluksi. Simptomat janë pak a shumë të ngjashme”, shprehet mjeku
Ai apelon që pacientët të paraqiten ne spital dhe të bëjnë tamponin e shpejtë.
“I bëjmë thirrje qytetarëve që të bëjnë tamponin. Pasi na ngatërrohen edhe me virozat stinore. Të gjithë pacientët që kanë kaluar COVID vijën dhe kërkojnë ndihmë spitalore për atë që ne e quajmë post-COVID”, thotë mjeku.
Pavarësisht se infektimet nga COVID-19 nuk janë alarmante apo me forma agresive por për disa pacientë është dashur hospitalizimi kryesisht moshat e treta, pasi ky virus kërkon një mjekim më të specializuar.
“Moshat e treta dhe të dyta i hospitalizojmë sepse në zonat rurale është i pamundur mjekimi dhe ata vijnë me çrregullime respiratorë”, tregon mjeku.
Shefi i urgjencës u bën thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm këtë periudhe si pasojë e luhatjes së temperaturave apo mbivendosjes së virozave të ndryshme me COVID 19, e në çdo rast duhet t’i drejtohen mjekut të familjes.
Gazetar M. Merhori
/rtsh/