TANKE DHE PASAPORTA
Rusia sulmoi Gjeorgjinë në fundjavën e kaluar, një vend i vogël me aspiratë për në NATO dhe me një demokraci të re perëndimore. A janë të rrezikshme edhe për rajonin tonë influencat dhe interesat ruse dhe çfarë duhet bërë, sipas jush, për të relativizuar sa më shumë një rrezik rus në rajon, por edhe te fqinjët e rajonit tonë?
Është e qartë se shqyrtimi i kësaj çështjeje e kërkon një farë reflektimi paraprak mbi historinë, raportet, rrethanat, faktorët e pretekstet që kulmojnë pastaj me këtë pamje okupacioni tipik. Aq të krahasueshme me ditët kur Hitleri kapërcente gardhet e lëshohej pa teklif trojeve të tjetrit. Kjo që po ndodh në Tskhinvali apo më keq akoma në Gori, është reale sigurisht, por nuk do të na ndihte shumë as ne, as Gjeorgjisë e as civilizimit në përgjithësi, nëse e çelim direkt me këtë sekuencë: me tanket ruse që vërshojnë rrugëve të Gjeorgjisë. Ose me avionët e luftanijet ruse që gjuajnë ku të mundin. Them madje se ajo që e ndihu nazizmin të bëjë atë që bëri, është pikërisht kjo: që analiza e bëmave të tij filloi pa kontekst rrethanash e historie, filloi vonë, filloi pikërisht me sekuencat kur tanket e gjithë ajo makineri e tmerrshme lufte e ndërtuar qetë-qetë mu nën hundën e botës demokratike, iu lëshua befas vetë kësaj të fundit. Me të gjithë forcën.
***
Konflikti i sotëm në këtë zonë të Kaukazit, si çdo konflikt tjetër i këtij lloji, mund të shihet njëherësh në tre plane: i pari, si ekzistencë dhe shkallëzim i një tensioni ndëretnik me motive separatiste, i dyti si një administrim i keq ose i dobët i këtij tensioni lokal nga qeveritë qendrore dhe i treti, si rrjedhojë e kombinacioneve dhe ambicieve gjeopolitike globale. Dy planet e para e kufizojnë sferën e analizës (dhe terrenin e aksionit) brenda kufijve shtetërorë të Gjeorgjisë, ndërsa plani i dytë na vendos para një peizazhi shumë të shtrirë – nga ku mund të dalë që vetë përcaktorët e luftës së sotme nuk ndodhen medoemos brenda, por jashtë kufijve fizikë të Gjeorgjisë. Para së gjithash në Rusi. Ashtu si shumë vëzhgonjës të tjerë edhe unë pranoj që çështja duhet parë nën një kombinim gjithëplanesh. Megjithatë në se më pyesni për ndonjë preferencë, nuk e fsheh se jam i prirur që të anoj fort nga qasja e tretë, ajo e vështrimit të gjërave nisur nga interesa dhe synime të forcave të mëdha e të fuqishmëve jashtë - dhe mbi-gjeorgjiane apo jug-osetiane. Të cilat pastaj bëhen katalizatori numër një për ndezjen apo uljen e flakëve në vende e rajone të tilla. E them këtë jo vetëm se tipikisht e historikisht Kaukazi (më tepër se sa Ballkani ynë) përbën një zonë me “sizmicitet të lartë global”, pra një zonë ku përplasen fort “pllakat tektonike” të ekonomisë dhe (për rrjedhojë) të politikës botërore, por edhe për një arsye tjetër. Edhe në rastin konkret të Osetisë Jugore me gjithë mospajtimin e brendshëm, gjendja e përgjithshme – pra situata në shumicën e kohës – ka qenë dominuar nga paqja dhe jo nga lufta. Kjo madje është e vërtetë edhe për kohën mbas shpërbërjes së Perandorisë Sovjetike. Periudha që nga armëpushimi i 1992-shit (kurorëzuar me vendosjen e forcave trepalëshe paqeruajtëse nën monitorimin e OSBE-së) e deri në 2004, flet mjaft mirë për këtë. Ndryshe si do të rronin ata nja 15.000 gjeorgjianë etnikë në mesin e një armiqësie të 55.000 osetianëve të egërsuar? Dhe si mund të ndodhte ajo që ka ndodhur sipas reporterëve, që kemi nja numër aq të madh martesash e krushqish mes dy komuniteteve? Pikat e nxehta të luftës pra, më shumë sesa me acarime reale të brendshme ndërmjet dy etnive, përkojnë mjaft me dy gjëra. Së pari me “nxehjen” e sedrës, interesave ekonomike apo ambicieve politiko-ushtarake të Rusisë si shtet. Një interes pra, me veshje zyrtare dhe shtetërore. Dhe për këtë anë është folur mjaft në shtypin tonë dhe sidomos atë të huaj. Për këtë flet qartë edhe fakti se përse konflikti u mbinxeh pikërisht mbas 2004-s. Nuk ndodhi sigurisht për shkak të trëndafilave të “revolucionit të trëndafiltë”, por për shkakun e thjeshtë se programi “Shakashvili” përfshiu prioritete me efekte globale: para së gjithash aspiratën për anëtarësim në NATO. Ndërsa ka edhe një shkak të dytë shumë të rëndësishëm – mendoj unë - për të cilin është folur shumë më pak. Ky është interesi i grupeve kriminale lidhur me kontrollin dhe zhvillimin e linjave të trafikut ilegal në atë zonë. Dhe është pikërisht viti 2004 që flet mjaft qartë edhe për këtë aspekt. “Rinxehja” e madhe e atij viti në konfliktin jug-osetian, përkon pikërisht me momentin kur qeveria e re e Shakashvilit ndërmori me energji disa masa të rrepta ndaj kontrabandës. Kujtojmë që “rocky tunnel” –një rrugë e rrallë tuneli që lidh Gjeorgjinë dhe Kaukazin e poshtëm me stepat ruse –dhe përmes tyre me tregjet e qendrat e zhvilluara të Rusisë dhe Evropës, kalon pikërisht në territorin e Osetisë së Jugut. Përveçse e rëndësishme dhe e leverdishme, ajo është edhe pothuajse rruga e vetme në aksin kryesor që lidh dy rajone nga ku lëvizin mallra me leverdi të lartë, si legale ashtu edhe ilegale. Është e kuptueshme pse interesi për këtë tip “kanal Suezi” të dytë të ndizet aq fort, jo vetëm nga ana e shteteve e vendeve, por edhe nga ana e grupeve kriminale të monopolit e të trafiqeve të çdo lloji.
***
Vijmë tani tek thelbi i çështjes. Vlerësimi i agresionit rus ndaj një demokracie dhe parandalimi i skenarëve të ngjashëm në rajonin tonë. Unë them se kyçi i kësaj pune, qëndron pikërisht në vlerësimin që bota e zhvilluar ka sot për demokracinë, shoqërinë dhe shtetin demokratik. Kam përshtypjen se në këtë çështje është toleruar dhe tolerohet së tepërmi. Duke injoruar nganjëherë edhe kritere thelbësore që e shquajnë një sistem demokratik nga një diktaturë apo gjysmë-diktaturë. Entuziazmi që përfshiu botën demokratike pas përfundimit të Luftës së Ftohtë e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik ishte i ekzagjeruar. Ishte edhe pak naiv – mendoj unë. Protagonistëve të vendeve të reja lindore iu mjafton shpesh një zhargon i thjeshtë perëndimor, një afishim sipërfaqësor aspiratash pro-demokratike, pro-tregut të lirë dhe euro-atlantikë, për t’u pranuar e njohur e mbështetur jo vetëm në krye të qeverive që ngrinin me ngut, por edhe në tryezat kyçe ndërkombëtare e globale. Rasti i Rusisë është më i dukshmi. Askush nuk ka thënë deri më sot që Rusia nuk është një vend demokratik –apo jo. Që Rusia nuk është pro-zgjedhjeve të lira, pro-tregut të lirë, pro-lirisë së shtypit etj. Pse? Sepse edhe rusi Putin (të gjithë e dinë që ai dhe vetëm ai vulos e firmos në Rusinë e sotme), e mësoi shumë thjesht atë zanat: edhe ai nuk i kursen aspak termat demokratike, emancipuese, civilizuese e integruese. Kjo për çudi bën që të gjithë të harrojnë jo vetëm të kaluarën e tij KGB-iste, por edhe situatat reale që ndodhin në terren, me dhunimin e pamëshirshëm të të drejtave të njeriut, me vrasje të gazetarëve, me burgosje të biznesmenëve konkurrentë etj. U zgjuam vetëm tash që vërshuan tanket e avionët. Të cilat në fund të fundit s’janë veçse mjete që përdoren në terren. Dhe jo thelbi i agresionit.
Për ta korrigjuar pak pyetjen tuaj, i bie pra që vendi demokratik që ju përmendni është sulmuar nga një koleg tjetër demokratik. Shumë më i madh e më i fuqishëm, por goxha demokratik. Është e qartë që diçka nuk funksionon në paketën e kritereve të sotme për demokracinë.
Dhe me që përmendëm mjetet dhe thelbin e agresionit. Një risi tjetër e pseudodemokracisë moderne është edhe alternimi i mjeteve të agresionit. Është sofistikuar edhe kjo punë. Ka plot elemente inovative si çdo fushë tjetër. Agresioni nuk bëhet patjetër me topa e tanke e avionë në pikiatë. As vetë vendet që mbajnë në këmbë ndonjë “ligj lufte” me fqinjin, nuk parapëlqejnë më tanket e topat. Ka mjete të tjera. Për shembull. Pasaportat. Pensione për banorët e “minoriteteve”. Leje qëndrimet. Barriera të tjera burokratike.
Aq efikas duket ky mjeti i pasaportave (shpërndarë banorëve të një vendi tjetër) sa që Rusia e përdori atë jo vetëm për të mbajtur tension të vazhdueshëm në rajon por deri edhe për të justifikuar vetë agresionin ushtarak. Duhet t’i mbrojmë qytetarët tanë “rusë” –tha ajo, kudo që të ndodhen.
Mendoj se edhe këtu ligji ndërkombëtar e tryezat ndërkombëtare kanë shumë punë për të bërë. Kjo formë e re agresioni të pastër, ende s’duket të jetë kuptuar si e tillë.
***
Është rasti këtu të shtojmë që ky “kriterium” e testim demokracie përbën sot ndoshta çështjen më të mprehtë në zhvillimet shoqërore e politike globale. Veçanërisht për vendet e reja ish-komuniste e në tranzicion. Duhet pasur parasysh që në vende të vogla si i yni, dobësia në përmbajtjen demokratike nuk mund të shfaqet përmes agresioneve ndërshtetërore (as që ka takat e as leverdi njeri të merret me atë punë), por në forma të tjera. Pikësëpari si forcim të pushteteve klanore. Si çimentim të oligarkive uzurpuese të gjithë pushteteve në një grusht. Si përjashtim e periferizim gjithnjë e më i madh të qytetarit të ndershëm e të drejtë nga shanset e zhvillimit e mirëqenies. Si mbyllje të rrethit. Të gjitha këto udhëheqësit tanë ish-komunistë apo jo-ish-komunistë i bëjnë hapur, fort, çdo ditë, por ama pa e hequr asnjë çast nga gramafoni atë pllakën e ngarkuar me fjalët NATO, BE, demokraci, të drejta e liri pa masë. Si mjeshtra të vjetër të dyfytyrësisë, ata e dinë se kjo këngë i pëlqen aq shumë Perëndimit, sa që mund ta vërë edhe në gjumë.
Në Shqipëri ende nuk ka sjellje sipas rregullave të ekonomisë së tregut. Ta zëmë nëse ngrihet çmimi i naftës, ai ngrihet menjëherë në Shqipëri, ndërsa kur ai ulet, grosistët shqiptarë nuk e ndjekin pas këtë prirje. Kështu ndodhi edhe javën që shkoi ku ulja e çmimit ishte mjaft e vogël krahasuar me tregun e huaj. Kur mund të kemi një konsolidim të kulturës së tregut në vend? Ky është faj vetëm i tregtarëve apo në tërësi i infrastrukturës së tregut dhe administratës këtu?
Këtë dukuri të operatorëve shqiptarë kemi pasur rastin ta nënvizojmë edhe më parë. Është dukuri tipike në Shqipëri, jo vetëm për tregun e karburanteve. Që natyrisht lexohet më qartë tek ky i fundit. Kur ndonëse tregjet botërore publikojnë një rënie të dukshme që nga korriku (nga 147$ në më pak se 120$ për fusot), në pikat tona të karburanti lëvizja është thuajse zero. Të gjithë e kuptojmë se një rritje globale do të prekë patjetër edhe çmimet tona. E dimë edhe kohën që kërkohet deri sa sinjalet e tregut botëror të shpalosen në tabelat tona të çmimeve. Por të gjithë e dimë gjithashtu që kjo kohë është thuajse imediate kur është fjala për ngritjet e çmimeve. Thuajse “real-time”. E patë bursën? –të thonë menjëherë zotërit e punës. Ndërsa në një rënie askush nuk e citon bursën.
Ka një pleksje faktorësh mbrapa kësaj dukurie dhe do të ishte një sfidë e madhe të shqyrtonim “pse”-të e rritjes e të uljes në tregjet botërore që nga ato të lidhura me ofertën e kërkesën e deri tek loja e spekulatorëve ndërkombëtarë dhe strategjitë energjetike të prodhuesve kryesorë. Por le të themi diçka për “pse”-në e mosndjekjes së këtyre tregjeve në të dy krahët – nga tregu ynë i brendshëm. Shpjegimi kryesor për këtë qëndron tek mangësitë e mëdha në atë që quhet infrastruktura e mbikëqyrjes së tregut. Tregu vërtet është i lirë por nuk janë të lira abuzimet me pozitën në treg. Këto madje ndëshkohen ashpër e penalisht. Dhe këtu gjithashtu ka një varg nën-lidhjesh për tu shqyrtuar. Pikëpamja ime është që në Shqipëri flukset e tregut kanë një përmbajtje të fortë monopoli (për lehtësi kuptimi le ta quajmë kështu edhe rastin kur nuk kemi një operator të vetëm, por dy-tre apo një grusht operatorësh që numërohen me gishta). Dhe që si rregull merren vesh për bukuri mes tyre. Gjithnjë në kurrizin tonë. Ky bllokim tregu duket veçanërisht në sektorin e importit. Kjo situatë lexohet indirekt pikërisht tek çmimet e tregut të brendshëm. Sidomos tek mosndjekja prej tyre e çmimeve ndërkombëtare në luhatjet ulëse. Pyetja se si u bëka që këta operatorë e bllokojnë tregun dhe i mbyllkan derën të rinjve që duan të konkurrojnë (pikë së pari me çmime më të lira) gjithashtu kërkon një shqyrtim më vete. Kryesorja këtu më duket fakti që biznesi shqiptar në përgjithësi e ato të importit masiv në veçanti janë ende të varura fort nga burokracia shtetërore dhe nga interesat private e klanore të shtetarëve që bëjnë administrimin rregullator. Domethënë që japin ose refuzojnë leje e licenca, që mbështesin hapur disa subjekte e dërgojnë inspektorate për t’i mbyllur disa të tjera. Të gjithë e dimë fjala vjen se ç’kalvar ka qenë leja për një pikë karburanti (ashtu siç e dimë edhe se ç’horizonte të hap pastaj marrja e asaj leje). Të gjithë jemi dëshmitarë ndërkaq, që brenda dy vjetësh të gjitha rrugët e Shqipërisë u mbushën blic nga tabelat e vetëm nja dy-tre firmave. A është ky një kollajllëk për të gjithë?
Edhe pse nuk duket, shteti këtu tek ne mban një rol dominues në ecurinë e bizneseve. Të ngre ose të ul në mënyrën më arbitrare. Mund edhe të të fundosë për fare.
A mendoni se mund të ketë ndryshime të tjera në qeveri përgjatë vjeshtës dhe a mendoni se duhet të ketë ndryshime në kabinetin e Berishës?
Për mua jo e jo, por mendoj se kjo çështje nuk i zgjon kurrfarë interesi asnjë banori të këtij vendi. Unë mendoj se qeverisë aktuale i duhet bërë së pari një ekzaminim i plotë në atë aspektin që trajtuam më lart. Pra të asaj se sa larg po shkon distanca mes motiveve reale klanore, mbylljes së rrethit të përfituesve nga zhvillimi, sjelljes e aspiratave banale pasurore nga njëra anë dhe patetizmit fals, e zhargonit pro-perëndimor nga ana tjetër. Nëse edhe ndërkombëtarët ndihmojnë që ky skanim të bëhet saktësisht, nevoja për ndryshim bëhet shumë e qartë dhe precize. Mund të përqendrohet edhe tek një person i vetëm.