E Shtunë, 31 Tetor 2026

TAP, Samaras: Greqia në konstelacionin e zhvillimeve pozitive

Kryeministri grek, Antonis Samaras e ka cilësuar njoftimin zyrtar për ndërtimin e gazsjellësit TAP, “zhvillimin më pozitiv ekonomik për Greqinë dhjetë vitet e fundit”.

Në një deklaratë, Samaras vuri në dukje se është fjala për një “vepër kolosale” dhe theksoi se ky zhvillim përbën një “levë që na shtyn të dalim sa më shpejt nga kriza”. 

"Greqia që po ndërtojmë sot do të jetë shumë më e mirë, më e fuqishme dhe më kompetitive nga ajo që kishim para krizës. Greqia ka hyrë tashmë në konstelacionin e zhvillimeve pozitive”, nënvizoi kryeministri grek, Antonis Samaras.

Deklarata e kryeministrit Antonis Samaras:

"U komunikua para pak edhe zyrtarisht përzgjedhja e gazsjellësit TAP që do të transportojë gazin natyror të Azerbajxhanit nga deti Kaspik. Do të kalojë nga Greqia e Veriut dhe Shqipëria, do të përshkojë hapësirën nënujore të detit Adriatik dhe do të përfundojë në Itali. Bëhet fjalë për një vepër kolosale. Për ndërtimin e një infrastrukturë shumë të madhe energjetike, me vlerë miliadra euro. Një nga veprat më të mëdha që janë ndërtuar në Europë njëzet vitet e fundit. Dhe më e madhja që është bërë në Europën e Jugut. Vetëm në Greqi vlera e investimit e kalon shifrën 1,5 miliard euro. Dhe rëndësia është e shumanshme:

1 - Ky gazsjellës nuk ishte projekti i vetëm që ekzistonte për tansportimin e gazit azer në Europë. Më saktësisht, deri para pak kohe ekzistonte kandidatura e vetme e një projekti tjetër, që do ta anashkalonte fare Greqinë dhe do të kalonte nga Turqia në Bullgari, dhe prej andej në Rumani dhe në Europën Qendrore. Ne mbështetëm kandidaturën e TAP dhe brenda pak kohe e fituam veprën!

2 - Ndërtimi i një vepre kaq të rëndësishme e vendos Greqinë në mënyrë konstante në hartën e transportuesve dhe të furnizimit energjetik të gjithë Europës. Kjo përbën një “votëbesim” tepër të rëndësishëm për Greqinë dhe për perspektivat e vendit tonë në hapësirën europiane. Pas njoftimit zyrtar për TAP, “skenarët e katastrofës” për Greqinë dhe të daljes nga euro, ndalojnë përfundimisht. Sepse nuk kanë më asnjë kuptim. Sepse, pa më thoni, kush do të investonte kaq shumë kapitale që rrezikonte në pikëpamje ekonomike, shoqërore dhe politike? Posaçërisht kur flasim për disa nga kompanitë më të mëdha të botës.

3 - Vetë vepra do të sjellë në Greqi brenda viteve të ardhshme 2.000 vende të reja pune. Dhe 10.000 vende të tjera në kompanitë qo do të mbështesin ndërtimin. Dhe madje, pa asnjë rëndesë të buxhetit të shtetit. Përveç vendeve të punës gjatë ndërtimit. Të gjitha këto përbëjnë një përforcim shumë të rëndësishëm për ekonominë e vendit tonë, e cila sot po provohet nga një nivel rekord papunësie.

4 - TAP do t’i japë Greqisë të ardhura të konsiderueshme tatimore. Por edhe ekonomive vendore të çdo zone nga do të kalojë dhe në pronën e çdo greku prej nga do të kalojë gazsjellësi. Të shënohet gjithashtu se pasojat mjedisore nga kalimi i një gazsjellësi të tillë, janë në thelb zero.

5 - Greqia do të ketë edhe përfitime të tjera, përderisa nuk do të varet më nga një furnizues i vtëm gazi. Hapet rruga, pra, për energji më të shumtë dhe më të lirë, dhe madje miqësore ndaj mjedisit.

6 - Rritet në maksimum rëndësia gjeopolitike e Greqisë, sa për Ballkanin, aq edhe për Europën në tërësi. Nga gazsjellësi TAP do të mundin, në një stad tjetër, të furnizohen edhe vendet e Ballkanit.

7 - TAP do të transportojë fillimisht 10 miliardë metra kub gaz në vit, me perspektivë t’i dyfishojë në të ardhmen kapacitetet e veta, me një kosto fare të vogël investimi shtesë. Përbën, pra, një vepër shumë të rëndësishme për diversifikimin e burimeve të furnizimit me energji edhe përtej rajonit të Ballkanit, në Europën Qendrore dhe Jugore. Europa ka 20 vjet që përpiqet për këtë, por vetëm tani po bëhet një hap kaq i madh dhe kaq vendimtar.

Greqia dhe vendet e rajonit tonë, vetëm përfitime do të kenë, domethënë, më shumë siguri energjetike dhe në çmime më të mira. Dhe gjithë këto, me epiqendër tashmë Greqinë. Më tej, ky zhvillim e shndërron Greqinë në nyje energjetike, domethënë një një pikë tërheqjeje të investimeve të reja dhe bizneseve të reja. Dhe e bën edhe më imperative nga ana e Europës, mbështetjen e shteteve anëtare si Greqia, për të zhvilluar burime të vetat natyrore. Dhe Greqia – siç e dimë, disponon burime të tilla. Kështu që, nga nyje e tranzitimit të energjisë, Greqia të bëhet edhe një vend që do të prodhojë dhe eksportojë energji.

Kandidatura për ndërtimin e TAP ishte diçka që në fillim ngjante e vështirë. Mirëpo, morëm vendimin strategjik, e promovuam me kujdes, punuam sistematikisht dhe përfundimisht ia arritëm. Njoftimi zyrtar për ndërtimin e TAP përbën zhvillimin më pozitiv ekonomik për Greqinë dhjetë vitet e fundit. Përbën më tej një levë që na shtyn të dalim sa më shpejt nga kriza. Dhe na bën me dije se Greqia, që po ndërtojmë sot do të jetë shumë më e mirë, më e fuqishme dhe më kompetitive nga ajo që kishim para krizës.

Kjo vepër i jep popullit grek, që po provohet kaq ashpër, kurajë dhe vetëbesim. Dhe u jep një përgjigje çarmatosëse gjithë atyre, brenda dhe jashtë Greqisë, që prisnin vetëm “lajme të këqija”. Mirëpo, Greqia ka hyrë tashmë në konstelacionin e zhvillimeve pozitive. Deri tani pati shumë të tilla. Njoftimi për TAP është më i rëndësishmi deri më sot. Së shpejti do të vijnë dhe vendime të tjera".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›