TAP, përfaqësuesit Shah Deniz takohen me ministrin Bumçi
Përfaqësues të konsorciumit Shah Deniz, takohen sot në orën 13:30 me Ministrin e Jashtëm Aldo Bumçi, ku pritet të njoftojnë zyrtarisht për përzgjedhjen e gazsjellësit TAP.
Nabucco West dhe TAP ishin të vetmet kompani që parashtruan oferta për projektin e transportimit të gazit nga Azerbajxhani.
Por Azerbajxhani përzgjedhi projektin e gazsjellësit trans Adriatik Pipline për të bërë transoprtin e gazit nga deti kaspik në Evropë.
Kompanitë partnere të cilat po ndërtojnë fushën Shah Deniz II janë BP-ja britanike, SOCAR nga Azarbajxhani, Statoik i Norvegjisë dhe Total-i francez.
Hisedarët e TAP-it janë Axpo e Zvicrës, Statoil-i norvegjez dhe E.ON gjerman.
Gazsjellësi TAP në Shqipëri do të jetë rreth 209 kilometra i gjatë në tokë dhe 60 kilometra në det në pjesën e Shqipërisë në Detin Adriatik, me një vlerë investimi që arrin në rreth 2 miliard dollarë.
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt gazsjellësi për gazin natyror. Gazsjellësi do të transportojë gazin nga fusha e Shah Deniz-it në Azerbajxhan nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë dhe përmes Detit Adriatik në Italinë Jugore dhe më tej në Europën Perëndimore.
Projekti ka si qëllim rritjen e sigurisë së furnizimit, dhe larmishmërinë e furnizimit me gaz për tregjet europiane. TAP-i do të hapë të ashtuquajturin Korridorin Jugor të Gazit për në Europë dhe do të krijojë një treg të ri për gazin natyror nga Deti Kaspik.
Projekti është hartuar për të zgjeruar kapacitetin e transportimit nga 10 në 20 miliardë metër kub normal në vit. TAP parashikon edhe një rrjedhje fizike të kundërt deri në 80 për qind, si dhe mundësinë e zhvillimit të depozitave të gazit natyror në Shqipëri, për të përforcuar më tej sigurinë e furnizimit gjatë ndonjë ndërprerjeje operative të shpërndarjeve të gazit.