TEC-i i Vlorës dhe miu nën mustaqe Nga Lavdosh FerruniSot në një nga plazhet më të bukura e më të pastra të bregdetit të Adriatikut inaugurohet një nga veprat më të shëmtuara e më të pista në këto 30 vjet, TEC-i i Vlorës, e vetmja vepër energjitike e
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
TEC-i i Vlorës dhe miu nën mustaqe Nga Lavdosh FerruniSot në një nga plazhet më të bukura e më të pastra të bregdetit të Adriatikut inaugurohet një nga veprat më të shëmtuara e më të pista në këto 30 vjet, TEC-i i Vlorës, e vetmja vepër energjitike e Berishës e mbaruar, që do t’i japë atij kënaqësinë aspak të këndshme të përurimit. Themi 30 vjet, pasi gjatë viteve ‘80 edhe sistemi diktatorial tregoi ndërgjegjësim mjedisor duke mos ndërtuar vepra të reja ndotëse në këtë periudhë. Ndërsa në aspektin e energjisë qeveria komuniste projektoi veprat e mëdha hidrike si Skavicën, Bushatin, Banjën etj., dhe nuk ndërtoi asnjë megavat shtesë nga burime fosile (naftë, qymyr), burime që gjendeshin me bollëk në vend në atë kohë. Sot, Berisha ashtu tinëz brenda murit të lartë që rrethon TEC-in fosil, nën duartrokitjet e disa helmetave të shtuara me rastin e inaugurimit, do të presë shiritin përurues dhe nafta do digjet aty me solemnitet, për disa orë, ndoshta për disa ditë deri më 28 qershor. Më pas turbina do ndalet dhe TEC-i nuk dihet, nëse do ndizet më apo jo. Z. Genc Ruli pat thënë së fundi se TEC-i i Vlorës do të prodhojë energji, kur të vijë gazi në Fier dhe pasi të ndërtohet tubacioni që do e sjellë gazin nga Fieri te TEC-i i Vlorës. Dhe vetë Berisha pat thënë vitin e kaluar se ai vetë ishte në favor të linjës së interkoneksionit tek krahasonte këtë investim energjitik me TEC-in e Vlorës. Ndërsa Bojaxhiu, aktualisht person përgjegjës për këtë vepër, i cili pati thënë me mburrje se ditën e parë të punës si zv/ministër, pasi la zyrat e Bankës Botërore në Uashington, shkoi direkt te vendi ku do ndërtohej TEC-i i Vlorës, nuk është ndier fare këto kohët e fundit, dhe të gjitha gjasat janë që ai të japë shpejt e shpejt dorëheqjen si drejtor i KESH-it pas 28 qershorit (fatlum, nëse do jetë deputet), pikërisht për shkak të TEC-it të famshëm, të cilit ai i kushtoi kaq mund e përpjekje. Drejtori i ri i KESH-it nuk do të pranojë kurrsesi të blejë naftë me 100 USD fuçia për ta djegur në mes të sezonit të plazhit, që të mos shkarkohet nga puna pa marrë akoma rrogën e parë. Dhe kjo është normale. Si mund të blihet naftë me çmimin përsëri në rritje (aktualisht rreth 3-4 herë më i lartë se çmimi i parashikuar në projekt), madje naftën më të shtrenjtë D1 (se kështu është parashikuar në projekt), në një kohë që Shqipëria eksporton energji elektrike nga hidrocentralet, dhe ku turbinat vërtiten nga rrjedhja e ujit, jo nga djegia e naftës? Si mund të prodhohet energji nga TEC-i i Vlorës, kostoja për 1MW të gjeneruar prej tij mund të jetë edhe 2 herë më e lartë se çmimi i energjisë në tregun ndërkombëtar, siç e ka thënë këtë dhe ministri i Financave në fuqi, z. Bode? Zv/ministri aktual i METE-s tha në një intervistë tash në fushatë zgjedhjesh se TEC-i i Vlorës do të shërbej si “back up”, domethënë do ndizet, nëse do ketë ndonjëherë mungesë energjie në treg apo rrjeti ynë i transmetimit nuk do jetë në gjendje të importojë në sasi të mëdha. Por Berisha thotë se Shqipëria do bëhet “superfuqi energjitike”. A bën vaki që një superfuqi energjitike të mbetet pa drita? Realisht me burimet e reja hidrike që kanë filluar të ndërtohen dhe me linjat e interkoneksionit që janë në ndërtim, prej të cilave ajo me Podgoricën përfundon vitin tjetër, thuajse eliminohet fare nevoja për “back up”. Megjithatë Shqipëria e ka një “back up”, që është TEC-i i Fierit, projekti i rehabilitimit të së cilit kushton vetëm 23 milion euro, në vend të mbi 100 milionë USD të taksapaguesve shqiptarë të konvertuara në kazanë, tuba, beton, turbinë stok të modelit të vjetër etj., që do flenë bash në plazhin e bukur të Triportit.
Siç mund ta dijë lexuesi, mëkatare për miliona të shkuara dëm apo të vjedhura është dhe Banka Botërore, e cila po i bën dhe një shërbim vetes dhe Berishës duke mos publikuar para zgjedhjeve raportin e investigimit të bërë prej Panelit të Inspektimit të vetë Bankës Botërore, por i lënë për një kohë tjetër gjatë verës. Ka shumë të ngjarë që krimi ekonomik me TEC të Vlorës të tentohet të mbulohet me një tjetër krim. Tenderët e organizuar e vendimet e qeverisë së fundi për superportin e Vlorës dhe 472 ha zonë të lirë të kërkojnë që ta konsiderojnë TEC-in e Vlorës si pjesë të infrastrukturës së superportit dhe zonës së lirë. Ndryshe nga 4 vjet më parë, kur kishte 2 vjet që publiku e dinte mirë se ç’ishte TEC-i, Petrolifera e AMBO, falë vetinformimit qytetar, tash Berisha ia ka dalë që publiku mos të dijë gjë fare se ç’është porti më i madh në Mesdhe, ç’është parku më i madh eolik në Evropë etj., madje mund t’ia ketë dalë të ketë ngulur në mendje të shumëkujt skenarë me porte e me parqe e zona të lira me mijëra të punësuar. Sidoqoftë, edhe ai vetë e di mirë shprehjen e popullit se miu, që ta bëjë rrugë kalimin nën mustaqe, duhet të kaloj 2 herë.
A do të kaloj miu vallë përherë të dytë nën mustaqe më 28 qershor?