Pollo në zonat e dëmtuara
Ministri i Shtetit, Genc Pollo ka ndjekur dje nga afër situatën në zonat e prekura nga tërmeti i fundit. Prefekti i Dibrës, Xhafer Seiti, kryetarët e komunave Shupenzë, Gjoricë, Trebisht, Zerqan e zyrtarë të tjerë vendorë kanë informuar me hollësi zyrtarin e lartë të qeverisë në lidhje me punën e bërë për sistemimin e familjeve të dëmtuara në çadra, dërgimin e ushqimeve në familjet më në nevojë, si dhe ecurinë e komisioneve të verifikimit të dëmeve. Nga ana e tij, Pollo ka urdhëruar vendorët të jenë më eficentë në punën e tyre, pasi situata është e vështirë dhe njerëzit kanë nevojë për ndërhyrjen e shtetit. Ai porositi kryetarët e njësive vendore të furnizojnë me çadra të gjitha familjet që i kanë kërkuar ato, si dhe t’u qëndrojnë pranë familjeve në nevojë për ushqime.