E Diel, 1 Nëntor 2026

NoziNga Istref Haxhillari Fejton Nozi, hokatar i pandreqshëm, herë shfaqet në një vend e herë në një tjetër dhe pluskon nëpër kohë porsi gomat e shpëtimit përmes furtunave. Askush nuk e di emrin e vërtetë, as moshën e tij. Thonë e quajnë Jonuz

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

NoziNga Istref Haxhillari

Fejton

Nozi, hokatar i pandreqshëm, herë shfaqet në një vend e herë në një tjetër dhe pluskon nëpër kohë porsi gomat e shpëtimit përmes furtunave. Askush nuk e di emrin e vërtetë, as moshën e tij. Thonë e quajnë Jonuz dhe për shkurt e thërresin Nozi. Po të shumtit thonë se kur u lind s’i vunë emër pasi qe i shëmtuar dhe nuk mund të quhej Pëllumb apo Pëllumbeshë sikundër patën vrarë mendjen gjatë dhe qenë gatitur prindërit e tij. Pasi kaloi ca kohë, kur djali pa emër u ngrit në këmbë dhe ngjante me dordolecët e kopshtit që i vendosin për të trembur grabitqarët, dikush i tha të atit:

- Merre këtë Nozin, fute brenda se për një javë nuk afrohet asgjë e keqe këtyre anëve.

Se ç’donte të thoshte i panjohuri me këtë emër askush nuk e kuptoi. Ndoshta artikuloi më kot katër shkronja që i ranë ndër mend, apo desh të thosh tjetër gjë për të vënë në dukje shëmtinë e fëmijës? Ku ta dish!

Disa e thërrisnin xha Nozi, të tjerët, më të shumtit, thjesht Nozi. Askush nuk e dinte moshën e tij, ndoshta as vetë ai. Gjatovinë, i dobët, me gropat e faqeve futur brenda, binin në sy sidomos këmbët e holla, veshët e mëdhenj llapushë që i dilnin jashtë kapelës dhe çibuku, pjesë e pandarë e portretit të tij. Kushdo që e shikonte, vetvetiu buzëqeshte me pamjen e pazakontë të Nozit, po edhe emrin e tij. Në tërë vendin nuk kishte asnjë Nozi tjetër.

Se ç’kishte për të qeshur emri i tij nuk ta shpjegonte dot askush. Ndoshta kontrasti me emrat e tjerë, apo vetëm se e kishte ai dhe askush tjetër. Emri është simbol, formë si punë lëvozhge e padukur, s’ka asgjë të përbashkët me emërmbajtësin, përmbajtjen e tij. Por njeriu dhe emri pas njëfarë kohe bëhen një, japin dhe marrin nga njëri - tjetri gjithshka, unifikohen, nuk rrinë dot të ndarë. Në rastin e Nozit kjo përputhje arrinte shkallën më të lartë të përsosmërisë, kulmonte natyrshëm, përplotërisht. Emri i tij përfytyrohej në trajtën e gjatovinës së shëmtuar si punë shkopi i hollë e i drejtë. Nuk mund të imagjinohej një Nozi i shkurtër ose i pashëm. Jo kjo s’mund të ndodhte.

* * *

Pamja dhe emri i Nozit bënin të vije buzën në gaz, po kur hyje në kuvend të jepte ujë me bishtin e lugës dhe ta vinte kufirin te thana. Nën dukjen e thjeshtë, brenda guackës naive të zgripshme fshihej një botë e pakuptuar, fort e çuditshme, me përmasa vigane. E qeshura e tij gurgullonte si burim i kristaltë, rridhte vetvetiu dhe prishte rrjedhjen e njëkahëshme të kohës, e kthente mbrapsht, pa faj dhe pa e ditur që shkelte një nga parimet themelore të gjithësisë. Brenda asaj mase qesharake ishin fosilizuar shakatë e botës dhe fermentohej përditë humor i hollë që nuk respektonte rregullat e eseistikës. Nozi nuk e njihte vramendjen, as mërzitej ndonjëherë. Edhe ngjarjet e hidhura pelin i përcillte lezetshëm me humor e shaka. Jo rrallë përjetimet e tij të thjeshta natyrale, pa zenë fill si të tilla, ktheheshin çuditërisht në hoka që mernin dhenë.

Në kohën e çuditshme të optimizmit masiv, një lloj opiumi ngazëllyes shpërhapur pa fund e pa anë në masën amorfe njerëzore, kohë e bollëkut të përfytyruar, kur fytyra e vrejtur rrezikohej të pësonte ndëshkime nga më të rëndat, Nozi përjetoi periudhën e artë të humorit të tij të natyrshëm, me lëndë të bollshme që jepte pa kursim duknaja e atyre viteve. Metaforë e dhimbshme e kohës së përvuajtur ishte vetë Nozi, i dobët pa hesap, po përherë i qeshur si të mbartte mbi vete të mirat e botës. Kurrë nuk ankohej nga vështirësitë, gjthnjë ndihej plotësisht i kënaqur me atë jetë të sëkëlldisur. Hallet e mëdha i përcillte me shaka të kripura. Shkurt ndihej si veshka mes dhjamit.

Kishte një vit përcjellë ushtar djalin e madh diku larg qytetit. Më të rrallë merrte letra prej tij, po të shoqen e këputi malli. Zemra e nënës, tejet e madhe, është gatuar prej lënde hyjnore e pazakontë, e pakonceptueshme për çdo burrë. Ngutja dhe ëndrrat e shpeshta të gruas e nisën për udhë të largët Nozin, atje ku djali kryente me nder shërbimin ushtarak në mbrojtje të atdheut rrezikuar nga armiq të shumtë që mezi prisnin ta gllabëronin.

Rruga e largët e kapiti sa s’bëhet. Në repart i thanë se i biri ishte me shërbim dhe kthehej pas nja dy orësh. Nxori kutinë e duhanit dhe drodhi cigare për komandantin dhe oficerët e tjerë që vajtën t’i bënin shoqëri mysafirit disi të çuditshëm. Për më tepër në jetën e vetmuar prej asketi të ushtarakëve, degdisur majë malit, ardhësi i largët përbënte ngjarje të rrallë.

- Si jeni more djem, ka shumë armiq në këto anë? - i pyeti me sinqeritet Nozi.

- Që ka nuk diskutohet, po rrinë fshehur matanë kufirit se nuk ua mban të duken nga anët tona. Barutin e kemi të thatë dhe syrin pishë, - u përgjigj serioz, komandanti i menduar.

- Ashtu më iu lumtë, - i përgëzoi Nozi djemtë me uniformë.

Në zërin dhe sjelljen e tij ushtarakët nuk panë ndonjë gjurmë humori, po kur e shikonin ashtu të gjatë e të thatë, me tipare që të bënin vetiu të vije buzën në gaz, sidomos me fjalët që nuk u linin gjë mangut atyre të eprorëve kur u mbushnin mendjen çdo ditë për armiqtë e shumtë, që kërcënonin pa pushim vendin tonë të begatë e të pamposhtur, se si u vinte për të qeshur ashtu kot.

Nozi zuri të tregonte histori të lezetshme për jetën e begatë në ato anët e tij, punën e gjallë të njerëzve, ngazëllimin e paanë të kolektivitetit. Djemtë e dëgjonin dhe mendoheshin në se rrëfimtari ishte leshko apo mendje e hollë që mezi kuptohej.

- Tek ne s’mungon asgjë edhe qumësht dallëndyshe të kërkosh gjen, - vazhdonte të rrëfente për punën e njerëzve. - Gratë janë forcë e madhe, punojnë më shumë se burrat, ua kanë bërë tetë me dy. Ku t’i kërkosh e nuk i gjen. Mirpo ka nga ata të vjetrit, që nuk e shohin për së mbari punën e tyre. Kemi një Kajan, që nuk i vjen mirë kur i sheh gratë të punojnë njëlloj e më shumë se burrat. Kishte thënë diku se gratë dhe rakia vetëm për një punë janë; demek gratë për të bërë fëmijë dhe rakia për të marrë mendjen. Si thoni ju a mund të qëndrojnë këto?

- Pa punën e grave nuk do të arriheshin këto rezultate, - ia ktheva në një muhabet. - Ki kujdes se këto që thua janë lakra në kokën tënde të plakur. Ja kështu!

Ushtarë e oficerë, ( nuk merrej vesh e nuk i dalloje dot se ishin veshur të gjithë njëlloj ) qeshën me lot nga fjalët gazmore të plakut.

Më në fund erdhi djali nga shërbimi. U përqafuan me dashuri të madhe babë e bir. I ati tregoi hollësisht për të ëmën që e kishte zënë malli sa s’thuhet, vëllezërit e motrat, pastaj në sy të të gjithëve i tha:

- Na bëhet zemra mal që po kryen me nder detyrën e mbrojtjes së atdheut, kështu na shtohet dashuria për ty dhe mallit i thahet koka.

Të gjithë e përcollën me nderime Nozin hokatar. Dukej sikur diçka nga qenia gazmore e plakut mbeti në repartin ushtarak.

Zbriti në qytet. Kohë dreke. U drejtua nga restoranti në pjacë të vendit. Lokali plot, mezi gjeti tavolinë të lirë në një cep. Porositi drekë të lehtë se aq ia mbante xhepi dhe filloi të hajë. Në atmosferën e zhurmshme të restorantit askush nuk e kishte mendjen. Në derën hyrëse u shfaq një oficer i ri, elegant dhe i pashëm. Kërkoi me sy nëpër lokal, nuk pa asnjë tavolinë të lirë. U drejtua në cepin ku ishte ulur plaku. Pa thënë asnjë fjalë porositi drekë të pasur me mish dhe pije. Nozi e shikoi disa herë. Donte t’i jepte muhabet, po tjetri bënte sikur nuk e vinte re plakun ngjitur me të në tavolinë. Nozit i hipi delli i shakasë që ngacmoi sjellja e trashë e djalit të ri. Kur tavolina u mbush me tërë të mirat e perëndisë dhe oficeri mori lugë e pirun, plaku foli.

- Më njeh mua mor djalë?

Tjetri, mospërfillës, pa e shikuar drejt, i tha:

- Jo nuk të njoh.

- Kam bërë njëzet vjet burg se në luftë isha komandant armik. Sot dola. Këtu më njohin të gjithë. Kam merakun tënd. Do të thonë qenka kushëri i armikut.

Oficerit i mbeti luga në dorë. Po e shikonte me habi dhe vëmendje të madhe burrin përballë. Nuk përndjeu asnjë grimë shakaje. Burri serioz me pamje të munduar nga burgu i gjatë, vazhdonte të hante drekën varfërishte. E dinte mirë se ç’do të thoshte ta shikonin në tavolinë me të burgosurin. U ngrit me nxitim, shikoi nëpër restorant mos e kishin parë me këtë plak të rrezikshëm dhe u drejtua nga banaku, pa pikë gjaku në fytyrë.

Nozi i kënaqur hëngri drekën princërore porositur nga oficeri injorant dhe i kënaqur sa s’bëhet nga tavolina, po veçan shakaja e goditur, u largua. Zbukuruar shumë përtej së vërtetës, a thua qe ndonjë filozof nga ata të moçmit, e tregoi tërë lezet kudo dhe ajo mori dhenë si të gjitha bëmat hokatare të Nozit dinak.

Arsyetimet e holla mposhtin pamjen elegante apo muskujt e zhvilluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›