E Diel, 1 Nëntor 2026

TEHERAN – Irani konfirmon përgjigjen ndaj propozimit të fundit amerikan

TEHERAN, 18 maj /ATSH-AFP/ – Irani i është përgjigjur një propozimi të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që synon të nxjerrë nga ngërçi diplomatik dhe t’i japë fund në mënyrë të qëndrueshme luftës në Lindjen e Mesme, njoftoi sot Ministria e Jashtme iraniane.

”Shqetësimet tona i janë përcjellë palës amerikane”, deklaroi zëdhënësi i ministrisë, Esmail Baghai, gjatë një konference për shtyp, duke shtuar se kontaktet me Uashingtonin po vazhdojnë ”përmes ndërmjetësit pakistanez”.

Megjithatë, Irani është ”plotësisht i përgatitur për çdo eventualitet”, shtoi ai, një ditë pas kërcënimeve të reja nga Donald Trump.

Që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit më 8 prill, pas afro 40 ditësh sulmesh, po zhvillohen negociata për arritjen e një marrëveshjeje, por qëndrimet e dy palëve mbeten ende shumë larg, veçanërisht lidhur me çështjen bërthamore.

Vetëm një raund bisedimesh mes përfaqësuesve amerikanë dhe iranianë është zhvilluar deri tani, më 11 prill në Islamabad, por ai përfundoi pa rezultat.

Irani përsëriti të hënën kërkesat e tij, duke kërkuar veçanërisht zhbllokimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit dhe heqjen e sanksioneve ndërkombëtare që po rëndojnë ekonominë e tij.

Zëdhënësi iranian theksoi gjithashtu nevojën për pagesën e dëmshpërblimeve për luftën, të cilën Teherani e konsideron ”të paligjshme dhe të pabazë”./  /Ad.Ab./ a.jor.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›