E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bum rivlerësimesh të pasurisë

02/12/2011  Një muaj afat për faljen fiskale, qytetarët ua kalojnë bizneseve. Arkëtohen mbi 423 milionë lekë

Pas 31 dhjetorit do të ketë penalizime për bizneset, deri në konfiskim të mallit

Rivlerësimi i pasurisë nga qytetarët është hallka më rezultateve e procesit të faljes fiskale. Kur ka mbetur më pak se një muaj nga zbatimi i ligjit, nga ky proces janë arkëtuar në buxhetin e shtetit mbi 423 milionë lekë, nga të cilat 401 milionë lekë vetëm si tatim nga rivlerësimi i pasurisë. Sidomos muajt e fundit interesi i qytetarëve për legalizimin e aseteve dhe rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme ka ardhur në rritje. Sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave, rreth 35 miliardë lekë janë futur në qarkullim për individët dhe bizneset. Deri tani kanë përfituar mbi 4 mijë qytetarë dhe 1 500 biznese. Autoritetet theksojnë se nuk do të ketë asnjë shtyrje të afatit përtej 31 dhjetorit 2011. Ndaj kanë bërë apel për bizneset që të shfrytëzojnë kohën e mbetur për t’ju përgjigjur ritmit të qytetarëve në këtë proces.

Falja fiskale për bizneset

Subjektet e biznesit mund të përfitojnë ende nga ligji i amnistisë fiskale, pasi kanë afat edhe 30 ditë. Pas datës 31 dhjetor i gjithë detyrimi, duke përfshirë penalitetet dhe kamatëvonesat, mbetet i plotë për t’u paguar nga subjektet debitore. Në organin tatimor, rezultojnë si potencial i mundshëm për t’u falur rreth 420 mijë raste të përbëra detyrim, gjobë, interes në vlerën rreth 57,7 miliardë lekë detyrime të papaguara. Nëse debitorët paguajnë rreth 4,3 miliardë lekë detyrime, sipas viteve pranë administratës tatimore, atëherë shuma potenciale e mundshme për t’u falur në zbatim të ligjit do të jetë rreth 28 miliardë lekë. Në rast të shkeljes së afatit të këtij ligji ka edhe sanksione për autoritetet. Shkelja e procedurave të legalizimit të kapitalit nga banka dënohet me gjobë administrative nga 100 000 deri në 200 000 lekë. Ndërsa, mosushtrimi në kohë i procedurave të parashikuara nga ky ligj, për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme nga nëpunësi i hipotekës dënohet me gjobë nga 5 000 deri në 10 000 lekë. Sa i përket masave për bizneset pas aplikimit të këtij procesi ato do të shkojnë deri në konfiskim të mallit të padeklaruar.

Përfituesit

Në bazë të Ligjit të Faljes, përfituesit më të mëdhenj do të jenë qytetarët që do të deklarojnë të ardhurat e tyre, pasuritë e tyre si dhe do të përfitojnë nga falja e të gjitha detyrimeve të papaguara, si lokale, ashtu dhe nacionale. Gjithashtu, do të jenë përfitues bizneset e vegjël dhe të mëdhenj, të cilëve do t’u falen detyrimet, si dhe do të kenë mundësi të legalizojnë asetet e tyre. Të gjithë individët, persona fizikë apo juridikë, shoqëri tregtare që parashikohen në ligj, do të legalizojnë kapital apo rivlerësojnë pajisje, makineri dhe objekte, do të përfitojnë nga falja tatimore, doganore, apo do të hipotekojnë apartamentet i nënshtrohen fillimisht plotësimit të formularit. Individi, personi fizik tregtar apo përfaqësuesi i tij që ka për të legalizuar kapital plotëson në dy kopje formularin e aplikimit dhe pjesë përbërëse e këtij udhëzimi, për depozitim shumash në të holla në një numër llogarie bankare të hapur prej tyre për këtë qëllim. Formulari i aplikimit me hyrjen në fuqi të këtij udhëzimi, vihet në dispozicion të aplikuesit nga të gjitha bankat e licencuara nga Banka e Shqipërisë. Aplikuesi do t’i paraqesë punonjësit të bankës dokumentin e identifikimit së bashku me formularin të aplikimit të plotësuar, duke i bashkëlidhur edhe fotokopjen e noterizuar të dokumentit të identifikimit. Ndërsa biznesit i falen të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat, por duhet të paguajë deri 50 për qind të principalit të borxhit.

Të ardhura të arkëtuara, deri tetor 2011

Llogaria ekonomike Shuma lekë

“Tatim në burim për legalizimin e shumës të holla nga individët (3%) 17,684,573.40

“Tatim nga rivlerësimi i pasurisë së personave juridik (3%)” 1,126,560

“Tatim nga rivlerësimi i pasurisë së individëve (1%)” 401,793,542.01

“Penalitete kur kapitali i legalizuar, depozituar transferohet jashtë shtetit (13%)” 2,417,705.19

Totali 423.022.381

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›