E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIA: Të rritet transparenca e financimit të partive politike në Shqipëri

TIRANË-Të rritet transparenca e financimit të partive politike në Shqipëri. Ky është konkluzioni i raportit të publikuar sot nga TIA, (Transparency International Albania), mbi “Pushtetin e Partive Politike në Shqipëri nën ndikimin e Parasë.

Raporti i bazuar në projektin “CRINIS”, i cili është realizuar në 5 vende të Ballkanit Perëndimor, Shqipëri, Kroaci, Serbi, Maqedoni e Kosovë, vlerëson 10 dimensione të çështjes. Kontabilitetin e brendshëm të partive, raportimin e partive tek autoritetet mbikqyrëse, kuptueshmëria e raportit, intensitetin dhe besueshmërinë e raportimit, si dhe aktivitetit monitoruese nga shoqëria civile.

Kështu, rezultat i studimit tregon se Indeksi “CRINIS” për vendin tonë është në nivelin mesatar, 5.9 pikë duke reflektuar një kuadër të mirë ligjor, por me një zbatim jo të mirë të tij.

Intervalët e përcaktuar nga studiuesit variojnë nga 0 deri në 3.3, nivel i pamjaftueshëm. Nga 3.4 deri në 6.7, nivel mesatar dhe nga 6.8 deri në 10-të pikë nivel mirë dhe shumë mirë.

Rezultatet e raportit tregojnë se Kontabiliteti i Brendshëm i partive vlerësohet mirë, me 8.2 pikë. Raportimi i tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve vlerësohet në nivel mesatar me 5.1 pikë.

Realizimi i qëllimit të raportit ka një nivel të mirë prej 7.8 pikësh. Detajimi i tij sërish është në nivel të kënaqshëm me 8.1 pikë, ndërsa besueshmëria e raporit është në nivel mesatar, 6.5 pikë.

Publikimi i raporteve, sipas TIA-s ka një nivel gjithashtu mesatar me 5.2 pikë, ndërsa parandalimi dhe sanksionet ndaj deformimeve kanë një nivel të ulët me vlerë 2.1 pikë secila.

Mbikëqyrja Shtetërore është në nivel të lartë me 7.7 pikë, ndërsa shoqëria civile mund të konsiderohet më indiferente duke pasur një nivel qasjeje, kontrolli mesatar, me 5.5 pikë, thuhet në raportin e publikuar sot nga TIA.

Ndërsa, vijon Raporti vihet re një disbalancë mes cilësisë së ligjit dhe rezultatit të tij. Kështu thuajse në të gjitha rastet cilësia e Ligjit është vlerësuar me pikë më të larta se niveli realizueshmërisë së tij

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›