Kryeministër, mos na i prish festat!
Dje, në botë, nisi atmosfera e festave të fundvitit. Sezoni u çel ngado. Babagjyshat e Vitit të Ri vërshuan nëpër rrugë, në Australinë e largët, kurse në Berlin, u organizua Samiti i Babagjyshave të Vitit të Ri. Aty, me pjesëmarrjen e 200 babagjyshave të stolisur, midis të tjerash, u vendos që fjalët dhe sjelljet e pahijshme të jenë të ndaluara; po ashtu edhe alkooli.
Edhe ne në Shqipëri kishim festë këto ditë: 65-vjetorin e ditës sonë kombëtare të Çlirimit. Por fatkeqësisht ne, qytetarët shqiptarë, prindërit dhe fëmijët tanë, patëm si atmosferë feste një shkulm sharjesh, fyerjesh nga goja e kryeministrit tonë. Tri ditë me parë na u servir e njëjta gjë.
Shpresova se pas atij horrori në Parlament, z.kryeministër do të ishte kthjelluar disi dhe fill të nesërmen do të përpiqej të dukej diçka si më i ekuilibruar. Por, zi e me zi! Përçartja u transferua në Pogradec, në ditën e Kurban Bajramit, për të trazuar një tjetër festë, për t'u kthyer përsëri në Tiranë, në ditën e festës sonë kombëtare.
Kjo ndodhi, së pari nga foltorja e Kuvendit, ndërsa dje, në drekë, nga foltorja kryeministrore, gjatë një konference për shtyp.
Ekrani është bërë i frikshëm. Në vend të përshëndetjes për festën e Çlirimit, fëmijëve tanë, që janë me pushime këto ditë, po u duhet të dëgjojnë e të shohin një lumë frazash e fantazish të sëmura, gati gati pornografike që shtrihen nga Tirana në Pezë e pastaj shpërndahen nëpër plazhet nudo të Evropës dhe që kanë si bosht jetën private të liderit të opozitës.
Pulti televiziv po na dridhet në duar! Ju lutem, ju që mundeni, bëjeni të ndalet kjo dhunë verbale e paprecedentë nga foltorja kryeministrore, ku ndërkëmben pa u kursyer gra e burra, prindër të gjallë e të vdekur. Z.kryeministër, ju nuk keni të drejtë të trazoni me një egërsi të tillë shokuese, shpirtrat e fëmijëve tanë që janë krejt të pafajshëm në këtë histori.
Para pak, më qëlloi që lexoja një shkrim në shtypin e huaj, ku tregohej se një mësueseje të një shkolle fillore në Londër, iu kërkua largimi nga puna, sepse u kishte thënë nxënësve të saj që Babagjyshi i Vitit të Ri nuk ekzistonte, se ishte thjesht një krijesë e imagjinatës njerëzore.
Mësuesja u penalizua! Pse? Sepse u kishte vrarë pafajësinë nxënësve; u kishte prishur ëndrrën fëmijërore. Nëse duam standarte, ja pra: ky është standardi i Evropës ku duam të shkojmë.
Gjuha e një kryeministri duhet të ishte modeli i etikës qytetare për të gjithë ne. Por, ai sot, është kthyer në pasivin më të madh në bilancin e këtij vendi në përpjekjet e tij për progres. Z.kryeministër, ti je arsyeja që ne nuk i marrim dot vizat për të hyrë lirisht në Evropë.
Nuk ka 'Evropë' që na pranon me një nivel të tillë prezantimi. Të duartrokitëm e të besuam 19 vjet më parë kur ishim ende studentë, sepse të identifikuam me ndryshimin, me Evropën, me Perëndimin, me hapjen e madhe.
Por, zhgënjimet që po marrim nga ty në vite nuk paskan të sosur! Fëmijët tanë në 97-ën i mbanim strukur në korridoret e shtëpive për t'i mbrojtur nga plumbat, kur vendi ishte në gjendje lufte, ndërsa ti qetësisht vendose të rikurorëzoheshe si President.
Ti ishe në krye të shtetit dhe kishe DETYRË të na mbroje. Në vend të kësaj, ne dëgjuam prej teje vetëm fjalë e shfajësime pa fund, për 'komunistët', "amerikanët', 'grekët', 'marsianët' që ishin autorë të 'rebelimit'. Vetëm ti ishe si gjithmonë i pafajshëm (!) Sot ti po bie sërish në të njëjtat pozita.
Një pyetje kam: Kujt mendon se i drejtohesh me këtë standart skandaloz komunikimi? Cilët janë nënshtetasit shqiptarë sipas teje? E sigurtë është që qytetarëve të këtij vendi, gjuha jote nuk u pëlqen. Madje i shokon. Ne nuk presim të dëgjojmë nga goja e kryeministrit të tillë nivel. Mënyra si flet është e papranueshme. Kurse ato që thua, janë thjesht të pavërteta.
Edi Rama, një djalë Tirane, i edukuar në një familje me traditë qytetare, nga prindër intelektualë e shembullorë, është një njeri mendjehapur që ka formatuar shijet e mendimet e një brezi të tërë.
Ndër të parët, ai guxoi të thyente normat e ngurta të të menduarit skematik nën regjimin totalitar të së kaluarës. Ai u shndërrua ne një pikë të fortë referimi për studentët dhe bashkëmoshatarët e tij.
Shumëkush që e njeh nga afër e që ka qenë pranë tij në ekipe pune, në vite me radhë, e di se ka të bëjë me një njeri me inteligjencë e humor të jashtëzakonshëm, me një shok të mirë, të dashur, të drejtë e të mençur, veçanërisht mbështetës e galant me shoqet e koleget femra, të cilat i ka promovuar e respektuar në vite.
Unë kam pasur fatin që jo vetëm të punoj nga afër me të vetë, po të njoh edhe familjen e tij. Ndarja, apo largesa nga ish-bashkëshortja ka përbërë një vendim të tyre të përbashkët, për të cilin ne nuk kemi të drejtë t'i përgojojmë më, sepse hyrja në këtë të drejtë përbën një nga shkeljet më brutale të të drejtave të njeriut, të drejta këto që janë në themel të Evropës, ku ti z.Berisha thua se kërkon të shkosh.
Eshtë mirë që dikush nga ata që ke afër dhe që të do vërtet të mirën, të ta shpjegoj që e folura jote në jerm i riprovon pjesës qytetare të kësaj Shqipërie se ti veç drejt kurrkundit mund të na çosh!
Me sa duket askush nuk po ta thotë, madje ata që të rrethojnë po dalin e thonë që ti e paske mirë që sillesh kështu (!). Me sa duket qenka pa miq, z.kryeministër. Një mik i vërtetë do të këshillonte ndryshe!
Pas këtyre që kanë ndodhur këto ditë, është e qartë që ne shqiptarët nuk mund të vazhdojmë kështu. Vendit i duhet një kryeministër me prerje e mendësi evropiane.
Një kryeministër që e ka forcën të ngrihet shumë më lart se niveli që prezanton sot ky institucion. Një kryeministër qytetar! Ky që kemi, me sa duket ka më për zemër punën e hafijes, se atë të kryeministrit.