Rama: Në 2030-ën synojmë një nivel 6% të papunësisë, sa norma mesatare e BE-së

TIRANË, 9 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ishin sot në ambientet e Tirana Industrial Park.
Biseda me përfaqësues të biznesit e punonjës u fokusua mbi strategjitë dhe politikat e punësimit. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha se sot se papunësia në Shqipëri është në nivelin më të ulët historik, 8,8%. Kreu i qeverisë shtoi se ambicia e qeverisë është që në 2030-n të kemi një nivel 6%, që është norma mesatare e Bashkimit Europian.
“Sot në Shqipëri kemi një pagë mesatare 830 euro dhe jemi nisur me një pagë mesatare që ishte vetëm 322 euro. Është një kapërcim i madh siç është një kapërcim i madh që shihet nga Prodhimi i Përgjithshëm. Nëse shohim rritjen e prodhimit të përgjithshëm, kemi pasur një prodhim të përgjithshëm nën 10 miliardë euro dhe sot e kemi afër 25 miliardë euro. Ky prodhim i përgjithshëm është rritur nga puna, jo nga ndonjë arsye tjetër.
“Sot kemi nivelin më të ulët historik të papunësisë 8,8%. Matja e nivelit të papunësisë është raport i forcave të punës dhe në raportin e forcave të punës kemi në përgjysmim të nivelit të papunësisë dhe ambicia jonë në 2030-n është të kemi një nivel 6% që është norma mesatare e BE-së”, tha Rama.
/a.f/r.e/