TURQI – Gjykata Kushtetuese i heq disa kompetenca presidentit të Republikës

ANKARA, 4 qershor /ATSH-ANSA/ – Gjykata Kushtetuese e Turqisë i ka konsideruar si antikushtetuese nenet e disa dekreteve, që kanë hyrë në fuqi në vitin 2018, të cilat i lejojnë presidentit të Republikës, aktualisht Recep Tayyip Erdogan, të emërojë një guvernator të ri të Bankës Qendrore përpara skadimit të mandatit të tij pesëvjeçar.
Lajmi u raportua nga media të ndryshme turke, duke bërë të ditur se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është marrë unanimisht.
U anuluan gjithashtu disa dispozita që i jepnin presidentit të Republikës pushtetin për të emëruar rektorët e universiteteve duke përjashtuar Këshillin e Arsimit të Lartë.
Vendimet, të marra pas një apeli të paraqitur nga partia kryesore opozitare CHP, do të hyjnë në fuqi pas 12 muajsh.
Që nga miratimi i rregulloreve në vitin 2018, Erdogan ka emëruar pesë guvernatorë të ndryshëm të Bankës Qendrore, ndërsa pushteti i presidentit të Republikës për të emëruar rektorë universitetesh ishte kontestuar nga personalitete të ndryshme nga bota akademike, veçanërisht nga shumë profesorë të universitetit prestigjioz ”Bogaziçi” në Stamboll, të cilët ende sot organizojnë protesta për këtë çështje./ /os/