“TV Klan”, kjo është stina e sfidave
Drejtuesit e këtij televizioni thonë, “shpresojmë që ky të jetë sezoni i Tv Klanit”. E ndërsa shtatori ka trokitur tashmë, beteja televizive duket se kësaj radhe do të jetë e fortë, po ashtu edhe dilemat tona për të zgjedhur programin më të preferuar. “Klan” premton që të mbulojë të gjitha ditët me programe, disa prej të cilave tashmë të njohura, ndërkohë që do të ketë edhe disa programe të reja. “Ne sfidën e kemi me RAI-n”, tregon presidenti i këtij televizioni, Aleksandër Frangaj, ndërkohë që na tregon ambientet e reja të këtij televizioni, një hapësirë e bollshme pune, por edhe tre studio të reja të cilat do të ndezin dritat e tyre për pak ditë.
Fevziu si Vespa
Ka kohë që e mendon, por tani erdhi momenti për të vendosur. Do të bëjë “Opinion” katër herë në javë, ndërkohë që sezonin e kaluar erdhi para teleshikuesit dy herë në javë. Një program i ndërtuar mbi bazën e debatit politik i cili tani nuk do të lejë më asnjë hapësirë. Çdo ngjarje politike, por jo vetëm, (me kushtin që ajo të jetë në fokusin e lajmeve të ditës), do të trajtohet në “Opinion”, tamam ashtu siç bën Bruno Vespa në programin e tij “Porta a Porta” në RAI UNO. Të hënë, të martë dhe të mërkurë, programi do të jetë në orën 2200, ndërsa të enjten në 2100.
E diela me Arditin dhe me....
“E diela shqiptare” është një nga programet e reja të sezonit në “TV Klan”. Në fakt për këtë program ka gati një vit që flitet dhe mesa duket organizatorët kanë pritur që çdo gjë të realizohet për së mbari për të bërë më pas startin, i cili duhet të jetë i suksesshëm. Sipas Frangaj, “E diela shqiptare” do të jetë në të njëjtat parametra si “Domenica In”, që realizohet tek RAI UNO. Një studio e re rreth 2000 metra2 do të jetë vendi ku teleshikuesit do të gjejnë gjithçka duhet për të kaluar bukur një të diel para ekranit. Për të realizuar gjithçka perfekt, nga Italia ka ardhur edhe Franco Ferrari, i cili është drejtor fotografie në RAI. Skenografia është realizuar nga Bashkim Zahaj nën konsulencën e kolegëve të tij italianë. Programi do të ngrejë siparin më 21 shtator në orën 13:30 deri në 19:30. Organizatorët nuk na tregojnë shumë detaje, madje as shoqëruesen e Arditit në program. Por premtojnë spektakël dhe argëtim pafund. Natyrisht ashtu siç ndodh edhe tek programet e huaja ditëve të diela, informacioni për sportin nuk do të mungojë.
Programet e njohura pa asnjë ndryshim
Dashamirësit e programit “Kutia”, ku njerëzit e zakonshëm provojnë fatin, do të startojë që nga kjo e hënë deri të premten. Si gjithmonë prezantues do të jetë Enkel Demi.
Aldo morning Show” do të rifillojë që nga e hëna, me të njëjtat rubrika simpatike, por me një redaksi më shumë, atë të Fierit. Natyrisht në drejtim do të jetë Aldon Lipe.
“Më shumë dashuri” do të vijë në tetor, ndërkohë që këtij programi i paraprin “Dua më shumë Shqipërinë”, një natë që do të mbledhë shqiptarë të famshëm nga e gjithë bota e që do të realizohet nga Vera Grabocka nën drejtimin e Alketa Vejsiut.
“Zonë e ndaluar” do të jetë si gjithmonë të hënave, me dokumentare shumë interesante, të cilat kurohen deri në detaje nga një gazetar profesionist si Andi Bushati.
“Njerëzit e humbur” tani gjenden në “Klan”
Edhe pse ngjan si frazë pa kuptim në fakt është e vërtetë. Programi i njohur që dikur transmetohej në “Vizion Plus”, “Njerëz të humbur”, nga 12 shtatori dhe çdo të premte, do të transmetohet në “TV Klan”. Aida Shtino tashmë me eksperiencë në këtë lloj programi i cili ka në bazë të tij gazetarinë investigative do të sjellë raste të reja, duke lënë të gozhduar para ekranit jo vetëm personat e interesuar, por edhe njerëz kuriozë që thjesht duan të dinë për fatin e të tjerëve. Sipas sondazheve, ky është një nga programet televiziv më të ndjekur. “Klan” i ka rezervuar këtij programi një studio të madhe, disa redaksi nëpër rrethe, si dhe një staf të gjerë në mënyrë që suksesi të jetë i garantuar.
Formate që presin të konturohen
Kanë ardhur në “Klan” THESHBLSH, por akoma nuk janë stacionuar diku. Mbas largimit nga “Portokalli”, ata i gjen në studiot e “Klan” duke u përgatitur për suksesin e radhës. Por nuk do të nxitojnë. Drejtori i programacionit tregon se Juli me Gentin së bashku me disa humoristë të tjerë do të përgatisin një program humoristik, i cili do të vijë në ekran në shkurt ose në mars të vitit 2009.
Edhe Sonila Meço, folësja e edicionit qendror në “TV Klan” është duke menduar për një program tërësisht të sajin, por deri tani nuk ka diçka konkrete.
numrat e klanit
42 orë transmetim direkt do të ketë gjatë një jave në televizionin “Klan”.
1 milion euro është investimi i këtij sezoni, ku shpenzimin më të madh e kanë marrë ndërtimi i tre studiove të reja.
“Histori pa zhurmues” të Pandi Laços
Si gjithmonë i veçantë në gjetjet e tij edhe kësaj here Pandi Laço do sjellë një format televiziv shumë interesant dhe që me siguri do të mbajë të ngërthyer të gjithë brezat, pasi programi ka natyrë retrospektive. “Histori pa zhurmues” do të ketë si objekt të çdo emisioni, një vit nga jeta nën diktaturë e shqiptarëve dhe aty do të trajtohen ngjarjet më pikante të atij viti, në politikë, probleme sociale, kulturë, sport etj. Gjithashtu do të ketë edhe të ftuar në studio që do të dëshmojnë dhe do na rrëfejnë detaje rreth atyre ngjarjeve. Programi do të jepet çdo të diel mbrëma dhe qëllimi i tij do të jetë që të tërheqë atë audiencë të kultivuar që ka pretendime nga një program televiziv.