Barka në analizën 7-mujore: “Niveli i varfërisë do të ulet me 2 për qind brenda vitit”
Niveli i varfërisë në vend do të ulet më 2 për qind brenda këtij viti. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta synon që brenda këtij viti të ulë me 2 për qind numrin e popullsisë që rezulton nën vijën e varfërisë. Gjatë analizës 7-mujore të punës së këtij dikasteri, që u zhvillua dje, Barka deklaroi se nga 16.9 për qind që ishte në vitin 2007, këtë vit ky tregues do të arrijë në 14 për qind. Duke vlerësuar arritjet e dikasterit në këto 7 muaj të vitit, ministri Barka tha se politikat e mbrojtjes sociale do të vazhdojnë të jenë prioritet i qeverisë. Për këtë, Barka veçoi shtimin e fondeve për Ndihmën Ekonomike, të cilat siç i cilësoi ai në fillim të vitit arritën në 3.3 miliard lekë, nga 2.6 miliard që ishin vitin e kaluar, me një rritje prej 27 për qind më shumë. Ministri Barka u ndal dhe tek rezultatet pozitive të politikave të punësimit, politika që siç cilësoi ai kanë sjellë uljen e treguesve të papunësisë. Niveli zyrtar i papunësisë, i regjistruar për vitin 2007, figuron në shifrën 142.871 veta, e shprehur në përqindje në raport me forcat e punës, është 13.2 për qind. Ndërsa sot, pas një viti, shënohen 140.011 mijë të papunë, ose 13.1 për qind.
6 Shtator 2008