“TV-XXL” rikthen Teatrin e Komedisë në skenë
Institucioni më i ri i kulturës, Teatri i Komedisë vjen me shfaqjen e parë të tij premierë absolute, me regji të Stefan Çapalikut dhe Naun Shundit
Teatrin Kombëtar i Komedisë vjen para publikut me shfaqjen e tij të parë, komedinë e titulluar “TV-XXL”. Tashmë Teatri Kombëtar i Komedisë ka publikuar dhe ka vendosur dhe posterat e premierës së parë që do të fillojë jetën e institucionit më të ri kombëtar të teatrit. Menjëherë pasi është miratuar bordi artistik i teatrit ka nisur puna për përzgjedhjen e komedisë së parë, e cila ashtu siç dhe ishte premtuar, është një komedi shqiptare që vjen me titullin “TV-XXL” me regji nga Stefan Çapaliku (njëkohësisht dhe anëtar i bordit artistik) dhe Naun Shundi. Në rolet kryesore të kësaj komedie luajnë Bujar Asqeriu, Olta Daku, Lulzim Zeqja, Flaura Kureta, Marsela Lena dhe Roland Saro. Teatri Kombëtar i Komedisë u rikthye me kërkesë të artistëve pas shkrirjes së estradës. Për Teatrin e Komedisë është parashikuar një strukturë, e cila do të jetë jo më shumë se 22 veta, duke përfshirë artistët dhe stafin që do të drejtojë dhe punojë, e njëkohësisht është lënë që fondi për veprimtarinë artistike të tyre të kryhet përmes projekteve. Teatri i Komedisë nuk ka ende një godinë të posaçme, por momentalisht shfaqjet do të konkretizohen në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar, pikërisht këtu ku do të japin dhe premierën e tyre të parë. Ai drejtohet nga një bord artistik, në përbërje të të cilit janë shtatë anëtarë: regjisori dhe skenaristi Mihal Luarasi, regjisori dhe skenaristi Stefan Çapaliku, aktori Guliem Radoja, aktorja Suela Konjari, regjisori Milto Kutali dhe dy përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe asaj të Kulturës, si Elvi Fundo (përfaqësues nga Ministria e Financave). Zef Bushati (përfaqësues i MTKRS-së),
Realiteti mediatik, për herë të parë thumbohet nga Teatri i Komedisë
“TV-XXL” që do të shfaqet premierë për herë të parë në institucionin më të ri të kulturës në Teatrin e Komedisë, përpiqet në thelb të thumbojë realitetin mediatik shqiptar në veçanti dhe atë global në përgjithësi. Ngjarjet janë zhvendosur në studion e një stacioni televiziv që ndodhet në katin e dytë të një ndërtese në qendër të qytetit, mbi Bankën Kombëtare. Nëpër skenë rri duke lëvizur një kamera e mbështetur mbi një stativ me rrota. Mbi skenë është një ekran gjigant televizori në qark të mbyllur me kameran që shëtit në skenë dhe që transmeton nën siglën e “TV-XXL”. “TV-XXL” merret me mënyrat e manipulimit të së vërtetës, me karakterin ordiner të imazhit dhe mesazhit televiziv. Në qendër të estetikës së saj është vendosja përballë e teatrit si demaskues i televizionit. Është mëngjesi i parë në një televizion privat, që përpiqet të mbijetojë me të gjitha format duke përcjellë një realitet fals. Kitch i televizionit, i cili është më maskë se maska vetë, manipulon përditë mendjen dhe zemrat e publikut. Pak janë ata që e dinë sesi prodhohet ky manipulim. Studioja televizive vjen dhe bëhet fushëbeteja dramatike e njerëzve fare të zakontë, si ne dhe të ngjashëm me ne, që kanë hallet dhe problemet e veta ekzistenciale.