Tirana e viteve ’20 te Kulla e Sahatit
Te Kulla e Sahatit, simbol i qytetit të Tiranës, është hapur për vizitorët një ekspozitë tepër të veçantë. Veshje të trevës, stoli por dhe mobilie të punuara në mënyrë artizanale kanë qenë pjesë e ekspozitës së hapur nga Bashkia e Tiranës. Në fokus të materialeve që qëndrojnë të ekspozuara pikërisht në Kullën e Sahatit është Tirana e para dhe viteve 1920. Për disa javë, në mjediset e muzeut të Kullës së Sahatit 40 objekte të përdorura tradicionalisht nga familje e shtëpi tiranase do të jenë të ekspozuara për qytetarët. Objektet janë ruajtur për vite me radhë si pjesë e fondit të Muzeut Etnografik, u zhvendosën më vonë pas mbylljes së këtij muzeu në mjediset e Institutit të Kulturës Popullore.
Arkivi
Një ditë me skenaristin Ilia Dede
Muaji i skenaristëve në Arkivin Qendror të Filmit risolli në vëmendje të publikut këtë të mërkurë aktivitetin me kinopublicistin Ilia Dede, ku u shfaq një montazh me dokumentarë të realizuar prej tij, si dhe u zhvilluan biseda e takime mes miqsh dhe kolegësh. Ilia Dede, redaktor, gazetar dhe skenarist, ka shkruar rreth 60 skenarë filmash ndër të cilët: “Drenazhimi i tokës”,(1975), “Bilbili i Labërisë” (1977), “Bijtë e heroinës” (1980), “Fazanët” (1984), “Gjyqi” (1992), “Principata e Arbrit” (1994) etj. Paralelisht Ilia Dede u mor edhe me gazetari. Filmografia dokumentare e skenaristit Ilia Dede përfshin të gjitha llojet e nënllojet e gjinisë së filmit dokumentar, të tilla si: filma shkencorë, reportazhe për ngjarje të kohës dhe veprat ku punohej e prodhohej, portrete për figura të spikatura të historisë shqiptare, filma mbi kulturën dhe etnokulturën etj.